Lajm17 Jun 2019

Gjyqtarja Klodiana Veizi përballet me pyetje për pasurinë para KPK

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe vëzhguesi ndërkombëtar pranuan se pasuria e gjyqtares së Gjykatës Administrative Durrës, njëkohësisht anëtare zëvendësuese e KED Klodiana Veizi rezultonte nga burime të ligjshme, por kërkuan shpjegime për një sërë veprimesh dhe disa mosdeklarime.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Durrësit Klodiana Veizi. Foto BIRN

Pasuritë e gjyqtares së Gjykatës Administrative të Durrësit Klodiana Veizi, përfshi apartamentin ku ajo jetonte, rezultuan kryesisht të lidhura me nënën e të shoqit dhe të ardhurat nga paga. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të hënën vuri në dukje se nuk kishte dyshime mbi burimin e ligjshëm të këtyre pasurive, duke bërë me dije se ato vinin nga trashgimia, lidhje familjare dhe kompensimi, por Veizit i ishte kaluar barrë prove mbi disa pikëpyetje dhe po ashtu i ishin vënë në dijeni disa mosdeklarime në deklaratat vjetore për llogari të ILDKPKI-së.

Gjyqtares po ashtu iu lexuan nga relatorja një sërë denoncimesh që kryesishit ishin të fokusuara në vonesat e nxjerrjes së vendimit të zbardhur dhe zgjatjen e gjykimit.

Veizi, që u hetua nga një treshe e kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtare Brunilda Bekteshin dhe relatore Etleda Çiftja, tha para KPK se fakti që pasuritë provoheshin se ishin me burim të ligjshëm rrëzonte “çdo dyshim rreth tyre” dhe se administrimi i këtyre pasurive kishte të bënte me marrëdhënien familjare dhe bëhej në mirëbesim. Ajo po ashtu i tha KPK se kishte një ngarkesë disa herë më të madhe se sa norma e parashikuar nga ish-Këshilli i Lartë i Drejtësisë që sipas saj kishte sjellë vonesat, për të cilat ishte denoncuar.

Klodiana Veizi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si gjyqtare në Gjykatën e Vlorës. Në vitin 2005 ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Lushnjes, ndërsa në vitin 2014 ajo u zgjodh anëtare e Gjykatës Administrative të Durrësit me dekret të presidentit të Republikës.

Klodiana Veizi është gjithashtu anëtare zëvendësuese e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, e zgjedhur për vitin 2019 përmes shortit të organizuar në Kuvendin e Shqipërisë.

Pikëpyetjet mbi pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dukje se Veizit i kishte kaluar barrë prove në lidhje me apartamentin ku ajo jetonte, i cili rezultonte në pronësi të vjehrrës Ana Veizi. Sipas KPK edhe pse apartamenti nuk ishte në pronësi të gjyqtares apo bashkëshortit, vjehrra ishte cilësuar person tjetër i lidhur dhe për këtë arsye ishin kërkuar shpjegime mbi burimin e ligjshëm të pasurisë.

Sipas KPK-së për këtë pasuri mungonte dokumentacioni për të provuar burimin e të ardhurave dhe se Veizi kishte sjellë përgjigjet e fundit dhe dokumentacion shtesë vetëm ditën e fillimit të seancës. KPK tha se dokumentacioni do të shihej, para se të merrej vendimi.

Veizi sipas KPK kishte deklaruar vetëm se pasuria ishte krijuar nga kursimet e vjehrrit dhe vjehrrës dhe nuk kishte specifikuar konkretisht shumat sipas burimeve të caktuara. Gjatë seancës Veizi i tha KPK se vjehrra edhe për shkak të moshës edhe për shkak të kohës së kaluar, nuk mbante mend të gjitha detajet.

Ajo kundërshtoi formalisht faktin që nëna e të shoqit ishte konsideruar person tjetër i lidhur, por shpjegoi para KPK-së se ishte përpjekur të dokumentonte pasurinë e saj. “Bëhet fjalë për pasuri të krijuar në vitin 1999-2001, para se unë ta njihja Anën (vjehrrën), para se unë të martohesha me djalin e saj dhe para se të filloja punë si gjykatëse”, tha ndër të tjera Veizi.

Ajo shpjegoi se pasuria, në një zonë periferike të kryeqytetit ishte blerë me kursimet e dy bashkëshortëve të cilët kishin punuar si inxhinierë. Ajo vuri në dukje se i vjerri ishte po ashtu karikaturist dhe punë të tij ishin publikuar edhe në shtypin italian, ajo tha se kishin gjetur gjurmë të lëvizjeve bankare në ato vite, por nuk kishte marrë përgjigje nga posta në lidhje me dërgimin e karikaturave.

Ngjashëm me këtë rast asaj iu kërkua të shpjegonte lëvizjet në llogaritë bankare të të shoqit të shumave të parave që sipas vetëdeklarimit i përkisin nënës së këtij të fundit dhe ishin përfituar prej një kompensimi. Sipas KPK kishte rezultuar se paratë 2.1 milion lekë dhe rreth 18 mijë dollarë ishin pjesë e një kompnsimi që kishte marrë vjehrra e subjektit për përdorimin e pronës së saj për punë publike.

Vëzhguesi Theo Jacobs, ndërsa pranoi se burimi i kësaj pasurie ishte “i ligjshëm” dhe se nuk kishte asnjë dyshim rreth kësaj pjese, pyeti Veizin për arsyet pse paratë ndodheshin në llogaritë e të shoqit edhe pse ato nuk ishin dhuruar apo ndarë nga nëna për fëmijët.

Veizi sqaroi se bëhej fjalë për një marrëdhënie familjare. Sipas saj paratë, që duke qenë me burim të ligjshëm nuk kishin pse ngjallnin dyshime, ishin ndarë në disa banka në vitin 2009 për t’i siguruar llogaritë. Sipas saj një pjesë e parave ishin vendosur në emër të vjehrrës në llogari të ndryshme në disa banka, por duke qenë se ajo nuk mund të hapte më llogari pasi paratë e tjera do ishin mbi vlerën 2.5 milion lekë me të cilën siguroheshin depozitat, pjesa tjetër ishte vendosur në llogari në emër të të birit.

Ajo tha se për këto pasuri dhe për apartamentin vjehrra ishte e gatshme të dëshmonte, ndërsa kishte lëshuar edhe një kontratë noteriale në të cilën shpjegohej çdo gjë. Pas një ndërpreje trupi gjykues vlerësoi se nuk ishte e nevojshme marrja e dëshmisë së vjehrrës së gjyqtares.

Veizit iu bë me dije po ashtu se për disa pasuri në emër të bashkëshortit të ardhurat nga qiratë do merreshin parasysh vetëm për atë pjesë që ishin paguar tatimet. Asaj iu vu në dukje disa mosdeklarime në kohë në ILDKPKI të disa aseteve, përfshi një llogari bankare në emër të të birit, ndryshimet në llogarinë e pagës dhe të ngjashme. Sipas relatores një pjesë e këtyre pasurive ishin deklaruar disa vite më vonë.

Po ashtu u vu në dukje dyshimet se një makinë me vlerë rreth 700 euro që ishte në emër të bashkëshortit të kunatës, por që përdorej prej saj dhe të shoqit prej kohësh, mund të ishte pasuri e tyre e padeklaruar.

Veizi nuk dha shpjegime të hollësishme për këto çështje, por tha se kishte paraqitur shpjegime me shkrim dhe prova, gjë që u tha edhe gjatë relacionit.

Vonesa si çështje profesionalizmi

Relatorja lexoi po ashtu një sërë denoncimesh ndaj gjyqtares. Shumica dërrmuese e denoncimeve ishin bërë me pretendimin “për zvarritje të gjyqit” dhe për “zbardhje me vonesë të vendimit”. Në disa raste KPK tha se kishte konfimuar zbardhjen e vendimit me dy apo disa ditë vonesë.

Po ashtu sipas KPK-së gjyqtarja kishte marrë vërejtje për zbardhjen e vendimeve me vonesë. Veizi u mbrojt gjatë seancës duke shpjeguar se punonte pranë një gjykate e cila për shkak të trasferimeve, emërimeve dhe lëvizjeve të tjera kishte qenë gjithmonë me numër gjyqtarësh më të ulët se sa ishte nevoja.

Ajo tha se vetëm si relatore në vitin 2015 kishte përfunduar 621 çështja nga mbi 700 çështje që kishte pasur në short. “Për shkak të problemeve që përmenda në gjykatë, numri i çështjeve që kam shqyrtuar vetëm si relatore u rrit në vitet në vijim”, tha Veizi, duke thënë se kishte pasur mbi 1 mijë çështje në vitet pasuese. Ajo tha se kjo shpjegonte edhe vonesat në zbardhjen e vendimeve.

Ndërkohë ajo shpjegoi se nuk kishte pasur zvarritje të gjyqeve. Sipas saj pretendimet për korrupsion ishin rrëzuar nga hetimi i DSIK, ndërsa shpjegoi se ajo synonte para se të mbyllte çështje të bënte një hetim të thelluar, në mënyrë që të mos rrëzoheshin nga gjykatat më të larta për mungesë hetimi.

Ndërsa shpjegoi se nuk kishte pasur kufizime kohore për shqyrtimin e çështjeve nga ana ligjore, ajo shpjegoi se ishte “në favor të një hetimi të mirë gjyqësorë”. Sipas saj vendimet ndaj të cilave kishte denoncime ishin konfirmuar edhe në gjykata më të larta.

KPK mori kohë për të shpallur vendimin, duke caktuar si datë për këtë ditën e premte ora 9.00.