Lajm26 Jul 2019

Gjyqtarja Nertina Kosova fiton betejën në Kolegjin e Apelimit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi me vendim të formës së prerë gjyqtaren e Apelit të Krimeve të Rënda, Nertina Kosova, por vendimi nuk ishte unanim pavarësisht se Komisioneri Publik u shpreh se subjekti kishte arritur të provonte burimet financiare të familjarëve të saj.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Nertina Kosova pas vendimit të Kolegjit. Foto: E. Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të premten të lërë në fuqi konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Nertina Kosova, duke e cilësuar të drejtë kalimin me sukses të vetingut prej saj thuajse një vit më parë.

Megjithatë, trupa gjyqësore e Kolegjit nuk ka qenë unanime në këtë vendim, pavarësisht se një seancë më parë, Komisioneri Publik u shpreh se gjyqtarja kishte arritur të provonte ligjshmërinë e burimeve financiare të familjarëve të saj, përfshirë edhe një hua prej 1 milion lekësh dhënë nga babai i saj.

Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtarë Ardian Hajdari, Luan Daci dhe Rezarta Schuetz. Sipas Çomos, vendimi për Kosovën u bazua mbi dokumentet e dorëzuara prej saj në Kolegj si dhe një analizë financiare që vërtetonte mjaftueshmërinë e burimeve financiare të familjarëve të saj.

Kosova e kaloi me sukses fazën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, por u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendoi se hetimi i KPK-së në kriterin e pasurisë nuk kishte qenë i plotë.

Pas rihapjes së hetimeve për kriterin e pasurisë, Ballhysa pranoi se gjyqtarja Kosova dhe familja e saj kishin provuar ligjshmërinë e të ardhurave të tyre dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë, por me një arsyetim të ndryshëm.

Ballhysa këmbënguli që në arsyetimin e vendimit të përfshiheshin provat e reja të marra në Kolegj dhe babai si person i lidhur. Komisioneri tha se kërkimi i tij kishte ndihmuar në plotësimin e mangësive, që u vunë re në hetimin e KPK-së.

“Ky hetim në rastin konkret ishte i domosdoshëm, si përsa i takon subjektit të rivlerësimit, ashtu edhe personave të lidhur/të tjerë të lidhur me të, me qëllim krijimin e bindjes mbi besueshmërinë, në vlerësimin e këtij kriteri,” tha Komisioneri.