Lajm1 Nov 2021

Gjytarja Arbena Ahmeti konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi unanimisht në detyrë gjyqtaren Arbena Ahmeti, ndërkohë që në seancën e shpalljes së vendimit ishin të pranishëm dy qytëtarë që e denoncuan për vendime të padrejta.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtarja Arbena Ahmeti në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj

Në seancën e zhvilluar në Komisonin e Pavarur të Kualifikimit, KPK për shpalljen e vendimit për rivlerësimin e gjyqtares së Gjykatës Administrative  Të Tiranës, Arbena Ahmeti ishin të pranishëm dy qytetarë të cilët e denoncuan për vendime të padrejta. “Hajdute pronash[…]. E korruptuar”, shënohej në pankartat që ata mbanin në duar.

Komisioni shpalli të hënën vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Gjykatës Administrative të Tiranës, Arbena Ahmeti. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të enjten më 28 tetor, u evidentuan të njëjtat gjetje për pasurinë ashtu si dhe në procesin e vetingut të bashkëshortit të saj, ish-prokurorit të Krimeve të Rënda, Arens Çela, i konfirmuar në detyrë më shumicë votash, por me formë të prerë pasi nuk u ankimua prej Komisionerit Publik.

Nga analiza financiare e përgjithshme për gjyqtaren Ahmeti ka rezultuar balancë negative totale në shumën 1.8 milionë lekë, për të cilën i është kaluar subjektit barra e provës. Ajo dekalroi në seancë se kriteri i pasurisë tashmë ishte gjë e gjykuar nga KPK, për shkak të procesit të rivlerësimit të bashkëshortit të saj.

Ahmeti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizimin e konstatuan tejkalim të afeteve në disa gjykime si dhe u evidentuan 19 denoncime, ku subjektit i janë kërkuar shpjegime vetëm për një prej tyre.

Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Arbena Ahmeti kryesohej nga Genta Tafa Bungo, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Arbena Ahmeti i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe pasi punoi një vit në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Lushnjë ku punoi gjatë periudhës 2007-2013. Prej vitit 2013, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *