Kreu i sindikatës së Shërbimeve Policore denoncoi kushtet në mjedisin ku mbaheshin të dënuarit e sëmurë si skandaloze. Rreth 40 të dënuar të testuar pozitivë me COVID-19 janë mjekuar në këtë burg, ndërsa aktualisht aty ndodhen 8 të sëmurë. Një i dënuar 74-vjeçar vdiq në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Kreu i sindikatës së Shërbimeve Policore të Shqipërisë Valentin Maca denoncoi të mërkurën se godina të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit që shkoi të Burgut të Shënkollit po përdoreshin si spital COVID-19 për të dënuar edhe pse mungonin kushtet.
Maca tha se burgut i mungonin kushtet minimale të kryerjes së detyrës nga stafi civil dhe policior dhe se godinat që janë përshtatur spital ishin planifikuar për rikonstruksion, por kjo nuk ka ndodhur. “Duhet që stafi i cili shërben tek seksioni i të dënuarve që janë me Covid-19 të trajtohet me pagë shtesë dhe tju plotësohen me urgjence kushtet e punës sepse po rrezikojnë jeten”, thotë Maca.
Një zyrtarë i burgut konfirmoi se në pjesë të tij ishin kthyer në spital, por tha se ato nuk ishin të dëmtuara rëndë, ndërsa shtoi se 10 punonjës personel mjekësorë i burgut po kujdeseshin për të dënuarit.
Drejtues të burgut që kërkuan të ishin anonimë thanë se aty ishin trajtuar prej më shumë se një muaji 40 të sëmurë me COVID-19, ndërsa aktualisht ishin 8 të dënuar të sëmurë dhe 4 të dyshuar në pritje të përgjigjeve të testimit. 7 nga të sëmurët u sollën nga burgu i sigurisë së lartë i Drenovës në Shënkoll. Një i dënuar në burgun e Drenovës u raportua i vdekur të mërkurrën në spitalin “Shefqet Ndoqi”.
Maca denoncoi se një rikostruksion i godinave që do përdoreshin për këtë qëllim ishte tenderuar, por është me vonesë dhe godinat nuk janë gati. “Janë tejkaluar afatet dhe akoma nuk janë rikostruktu këto godina për arsye që nuk dihen”, tha ai ndërsa kërkoi që qeveria të shikonte përse ishin shkelur kontratat
6 godinat e burgut të Shënkollit në Lezhë pësuan dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019-të dhe që prej asaj kohe të gjithë të dënuarit që ndodheshin aty janë transferuar në burgun e Reçit në Shkodër dhe burgje të tjera të Shqipërisë. Në Shënkoll aktualisht janë 70 të paraburgosur të cilët janë në pritjet të dënimit për veprat penale që kanë kryer.