Prokuroria dhe policia njoftuan arrestimin e 11 personave të akuzuar si pjesëtar të grupit të strukturuar kriminal “Bajri”, mes të cilëve edhe trajneri i kombëtares së femrave në futboll. Grupi akuzohet për vrasje, trafik narkotikësh, gjobëvënie dhe një sërë krimesh të tjera. Policia thotë se ka dokumentuar vrasjen e një vajze 15 vjeçe dhe një biznesmeni në vitet 2000.
Dy vrasje të ndodhura në fillim të viteve 2000 dhe një sërë krimesh të tjera përfshi disa nga krimet e ndodhura sëfundmi në Shkodër, pretendohet se janë zbardhur pas 6 muaj hetimesh dhe një bashkëpunimi mes task forcës të pagëzuar “Forca e Ligjit” dhe policisë së Hollandës.
Të shtunën drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela dhe kreu i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, njoftuan arrestimin e 8 personave në Tiranë, Shkodër dhe Roterdam. Në njoftim thuhet se bashkë me tre të arrestuarit e 6 shtatorit, numri i të ndaluarve si pjesë e grupit kriminal “Bajri” kishte shkuar në 11, dy persona janë shpallur në kërkim.
Në njoftim policia bën me dije se kishte kryer përgjime dhe po ashtu vëzhgime me dron për të dokumentuar aktivitetin kriminal të grupit. “Janë kryer dhjetëra orë përgjime, mijëra informacione të shkëmbyera me partnerët, janë analizuar mijëra faqe të dhëna, si edhe janë kryer veprime pro-aktve në terren, përmes kontrollit nga ajri (dron) dhe vëzhgimit intensiv”, thuhet në komunikatën e përbashkët mes Prokurorisë së Krimeve të Rënda që ka drejtuar hetimet dhe Policisë së Shtetit.
Goditja e parë ndaj grupit u bë më 6 shtator, kur në një operacion të forcave speciale u arrestuan 4 persona, u kapën disa armë dhe po ashtu disa makina të blinduara. Megjithatë as policia as prokuroria nuk bënë me dije akuzat ndaj të ndaluarve, ndërsa në gjykatë u kërkua një masë arresti për 30 ditë, për të siguruar prova. Operacioni i dytë sipas policisë filloi mbrëmjen e të premtes njëkohësisht në Hollandë dhe Shqipëri dhe solli arrestimin e 8 personave të tjerë.
Policia thotë se janë arrestuar: Behar Brajoviq (Bajri) dhe Samet Halluni në Roterdam, Holandë, ish-portieri i Shkodrës dhe trajneri i kombëtares së femrave Armir Grima, Fabiol Rexhepi dhe Ismet Idrizi në Shkodër. Në Tiranë është arrestuar Safet Rustemi (Bajri), Denis Brajoviq dhe Klaudio Hoxhalliu. Ndërkohë si pjesë e grupit konsiderohen edhe tre prej të arrestuarve të 6 shtatorit përfshi Ilir Rustemi (Bajri), Emrah Plaku dhe Astmer Bilali.
Në kërkim sipas policisë u shpallën 2 anëtarë të këtij grupi kriminal, për të cilët gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg”, E.B., 45 vjeç, dhe N.H., 34 vjeç.
Në njoftimin për shtyp thuhet se ndaj grupit të cilësuar kriminal ka një sërë akuzash, ndërsa po bëhen hetime edhe për lidhje të tyre me krimet e fundit të ndodhura në Shkodër. “Akuzat ndaj anëtarëve të këtij grupi kriminal janë: “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i llotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se ka dokumentuar 2 vrasje të ndodhura në Shkodër më 7 shkurt 2001, kur u vra biznesmeni A.T., dhe ngjarjen e datës 20 qershor 2002, ku u vra F.H., 15 vjeçe. Të dy krimet kanë qenë botërisht të njohura dhe po ashtu edhe personat e lidhur me to, por ligjërisht askush nuk ishte akuzuar.
Ndërkohë sipas policisë arrestimet kanë lidhje edhe me krimet e fundit që kanë ndodhur në Shkodër. Brenda 3 muajve në Shkodër 6 persona u vranë në krime në dukje mafioze dhe të mbetura pa autorë, ndërsa dy persona, babë e birë, janë të zhdukur që nga mbrëmja e 23 gushtit. Oficerë të policisë Shkodër, në kushtet të anonimatit, i thanë BIRN se krimet ishin pjesë e përplasjes mes dy grupeve kriminale, përfshi atë Bajri. Sipas oficerit të policisë, konflikti ka filluar në Janar të këtij viti dhe është pasuar me një sërë vrasjesh, përfshi atë të një ish-oficeri policie dhe bashkëshortes së tij, ndërsa po ashtu ka pasur edhe disa atentate me eksploziv.
Komunikata e lidh grupin me këto krime, por lë të kuptohet se hetimet për këtë vijonin ende. “Ky grup është i dyshuar dhe po hetohet intensivisht për disa nga ngjarjet e fundit të ndodhura në Shkodër”, thuhet në njoftim.
Sipas policisë grupi kishte aktivitet të gjërë kriminal, përfshi trafik të lëndëve narkotike, pastrim parash e të ngjashme. Ndër akuzat atyre u janë komunikuar edhe disa gjobvënie, ndërsa akuzohen për “llotari të paligjshme”. BIRN mësoi se ish-portieri dhe trajneri i kombëtares së femrave Armir Grima ishte i dyshuar si përfshirë në fiksimin e ndeshjeve.
Policia thotë se operacioni policorë u koordinua me forcat e rendit në Hollandë, përfshi edhe ngritjen e grupeve të përbashkëta operacionale. Ndërkohë informacione ishin marrë edhe nga Gjermania, Kriacia e vende të tjera ku grupi mendohet se ka pasur aktivitet.
Gjatë ndërhyrjes së Policisë, grupit iu gjetën 3 pistoleta, ndërsa në një prej banesave u kap kanabis sativa. “Policia në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka sekuestruar 1 resort-hotel në Velipojë dhe 1 lokal në Shkodër në pronësi të tyre, pasi dyshohen se janë produkt i ardhur nga aktivitet kriminal”, thuhet në komunikatë. Po ashtu u kapën edhe 3 automjete e një numër i konsiderueshëm celularësh.
Menjëherë pas operacionit kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa përgëzuan policinë. Ngjarjet e rënda në Shkodër u bënë kohë më parë pjesë e debatit politik, ndërsa kreu i opozitës Lulzim Basha akuzoi kryeministrin për lidhje me grupet kriminale. Akuza pati edhe dje pas arrestimit.
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi për lidhje me grupin “Bajri”, kryeministrin, ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe deputetin e PS Luan Harusha, ndërsa përshëndeti për operacionin autoritetet hollandeze të cilëve u kërkoi të hetonin këto lidhje.
Bushati u përgjigj po ashtu me një status në rrjetet sociale. “Sot është një ditë e mirë për Shkodrën falë vendosmërisë sonë në luftën me krimin. Gjuhët e përdala të atyre që krimin e duan për politikë dhe politikën e bëjnë për të kriminalizuar kundërshtarin, konfirmojnë suksesin e sotëm”, shkroi Ministri i Jashtëm.