Lajm14 Dec 2018

Grabiten me armë 7.5 milion lekë të Drejtorisë së Transportit Durrës

Një makinë e një kompanie sigurie është grabitur nga 3 persona të armatosur në Shkozet, ndërsa kryente transportin e një shume parash të Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor Durrës.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Drejtoria e Policisë Durrës. Foto:Geri Emiri

Një makinë e një shoqërie private sigurie është grabitur me armë pasditen e të premtes në Shkozet të Durrësit, ndërsa transportonte para për në një bankë të nivelit të dytë. Tre persona të armatosur kanë marrë rreth 7.5 milion lekë që ishin xhiroja ditore e Drejtorisë së Shërbimeve të Transportit Rrugor Durrës (DSHTR).

“Rreth orës 16 :50, në lagjen nr.14 Shkozet, dyshohet se 3 persona me një mjet, nën kërcënimin e armës dhe të maskuar i kanë dalë përpara një mjeti (shoqëri private sigurimi) që po transportonte lekët në një bankë të nivelit të dytë dhe i kanë marrë një shumë parash”, thuhet në njoftimin e policisë.

Drejtori i DSHTR Roni Shqopa Durrës tha në një bisedë telefonike se shuma e grabitur ishte xhiroja ditore e drejtorisë që kryen regjistrimin e automjeteve dhe lëshimi e rinovimi i lejeve të drejtimit. “Janë grabitur 7.5 milion lekë dhe ishte xhiro e ditës. Transporti bëhet nga kompani private në fund të ditës si zakonisht”, tha për BIRN në një bisede telefonike Shqopa.

Policia nuk bëri me dije emrin e kompanisë që kryente shërbimin e transportimit, ndërsa tha se “po punohej për arrestimin e autorëve”.