Dy persona të maskuar dyshohet se janë futur në mjediset e brendshme të një fasonerie në Berat dhe kanë marrë një shumë parash ende të pa përcaktuar nga policia.
Dy persona të maskuar dyshohet se janë futur me forcë në mjediset e brendshme të një fasonerie në Berat dhe kanë grabitur një shumë parash. Policia njoftoi se ishte grabitur “Center Shqiptare Group”, që konsiderohet si një nga ndërmarrjet e fasonerisë më të mëdha në Qarkun e Beratit. Grabitja dyshohet se ka ndodhur gjatë orëve të para të së dielës.
Policia bëri me dije se ishte vënë në dijeni të thyerjes nga një telefonatë. Në një deklaratë për shtyp u bë e ditur se në ndërmarrje është grabitur një shumë lekësh, nga persona ende të paidentifikuar. Deri mesditën e së dielës, ekspertë të policisë dhe kriminalistikës, kanë qëndruar në mjediset e brendshme të fasonerisë në kërkim të provave.
Center Shqiptare Group, ndodhet në aksin rrugor Berat-Ura Vajgurore, në hyrje të qytetit të Beratit. Ajo është ndërtuar në mjediset e ish-Kombinatit Tekstil në Berat, kryesisht me destinacion Italinë.
Nga hetimet ka rezultuar se autorët e dyshuar kanë kaluar rrethimin e jashtëm dhe më pas kanë thyer xhamin e zyrës së financës. Në këtë zyrë mësohet se është vjedhur një sasi parash. As policia, as drejtuesit e ndërmarrjes, nuk komentuan mbi shumën e parave të vjedhura. Policia mësohet se ka sekuestruar kamerat e sigurisë së vetë ndërmarrjes dhe disa bizneseve të tjera të zonës.