Reportazh3 Feb 2017

Gratë mbajnë gjallë traditën e përpunimit të leshit në Gjirokastër

Edhe pse tradita e përpunimit të leshit është zbehur gjatë viteve të fundit në rajonin e Gjirokastrës, një grusht grash vazhdon ta mbajë gjallë atë duke sjellë në treg produktet e tyre artizanale.

Autor: Raimond Kola BIRN Gjirokastër
Printo

Nënë Nazo duke tregtuar prodhime leshi në lagjjen "18 Shtatori", në Gjirokastër | Foto nga : Raimond Kola

Nënë Nazo duke tregtuar prodhime leshi në lagjjen “18 Shtatori”, në Gjirokastër | Foto nga : Raimond Kola

“Nazo ia bëre çorapet e djalit”? pyet njëri prej klientëve.”Merri të keqen…të mbajnë ngrohtë valë,” i përgjigjet ajo duke e përcjellur.

Të gjithë e njohin nënë Nazon në tregun industrial të Gjirokastrës. Gruaja e veshur me të zeza dhe me një kapuç prej leshi në kokë zë shpesh një cep pallati në mes të tregut, që shtrihet përgjatë rrugës së Lagjes “18 Shtatori”.

Në mëngjes herët ajo aty nxjerr njëra pas tjetrës palët e çorapeve dhe kapuçët, shallët dhe fanellat e leshit dhe i shtron prodhimet e saj mbi një tezgë të vogël.

Nazo mban tek këmbët dy topa filli leshi dhe me gishtërinjtë si flutur thur gjatë ditës çorape dhe kapuçë duke u shërbyer njëkohësisht edhe njerëzve që afrohen për të blerë.

“Bëj çorape për fëmijë dhe për të rritur, kapuçë, fanella mishi që vishen si kanatiere, doreza dhe papuçe, që të gjitha të thurrura me lesh,” thotë ajo, ndërsa merr një rreze dielli dhe lëviz me të shpejtë gishtat.

Ndërsa shtizat  lëvizin si balerinë edhe dy topat e vegjël me fijen e leshit  nisin e zvogëlohen, Nazo tregon se përgatitja e gjalmit (fijes) bëhet më parë për ta pasur më të lehtë thurjen.

“Leshi që merret nga delet lahet dhe thahet, më pas shtjellohet dhe vendoset në furkë dhe tirret me gisht,” thotë ajo.  “Rri katër muaj në fshat e përgatitem duke larë e tjerrë leshin  dhe thurrur veshjet e pastaj zbres në Gjirokastër për ti tregëtuar,” shton gruaja nga fshati Golem i Gjirokastrës.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, numri i deleve ose të leshtave në Shqipëri nuk ka patur ndryshime të dukshme në vitet e fundit. Në vitin 2015, numri i të leshtave ka qenë 1.9 milionë krerë ose 1,2 % më shumë se në vitin 2014.

Kategoria kryesore e të leshtave janë delet e qumështit, me 74 % ndaj totalit të tufës. Rajonet ku është më i përqëndruar mbarështimi i të leshtave është Vlora me 18 %, Gjirokastra me 15 % dhe Fieri me 14 %. Gjirokastra numëron si qark rreth 292.000 krerë të leshta, ndërsa Lezha është rajoni i cili ka numrin më të vogël të të leshtave me 1,7 % ndaj totalit të numrit të krerëve në të gjithë vendin.

Por megjithë këtë “arsenal” nuk ka të dhëna për sasitë e leshit të vjelë dhe destinacionit të tij. Studimet kanë dëshmuar se ekonomia shqiptare përfiton pak nga ky produkt.Sasia më e madhe e leshit të vjelë shërben për përdorim familjar ose hidhet dhe nuk përdoret.

“Shumica shkon dëm pasi çmimi ka rënë gati 50 lekë për një kilogram,” shpjegon Nazua.

Prodhime leshi nga nënë Nazo dhe gra të tjera nga fshati Golem, Gjirokastër | Foto nga : Raimond Kola

Prodhime leshi nga nënë Nazo dhe gra të tjera nga fshati Golem, Gjirokastër | Foto nga : Raimond Kola

Të dhënat zyrtare të ministrise së Bujqesise tregojnë se prej vitit 2001, prodhimi i leshit ka mbetur gati i njejtë, rreth 3,300 tonë  në vit. Çmimet në tregun shqiptar të leshit për përpunim janë tejet të ulta dhe nuk ndihmojnë krijimin e zinxhirit përpunues nga bariu tek artizanët. Edhe disa fabrika të vogla të përpunimit të leshit kanë falimentuar. Pas viteve nëntëdhjetë ekonomia shqiptare humbi gati tërësisht industrinë e pëprunimit të leshit.

Për ta zhbërë trendin në zhdukje të zinxhirit përpunues, dy vjet më parë qeveria zviceriane mbështeti një projekt në zonën e Antigonesë dhe Lunxhërisë për ta rigjallëruar lidhjet e barinjve të zonës me artizanatin. Projekti përfshiu disa prej barinjve me tufa të mëdha duke u tërhequr atyre prodhimin e leshit të vjelë nga delet. Rreth 20 gra që u përfshinë në larjen dhe përgatitjen e leshit dhe 14 gra të tjera u morën me përgatitjen e punimeve artizanale.

“Këto produkte u punuan në mënyrë tërësisht artizanale, proces ky i cili përfshin teknikën e përpunimit të leshit, lyerjen e leshit me ngjyra natyrale të përftuara nga bimët, tjerrjen me dorë dhe përdorimin e motiveve tradicionale të zonës”, thotë koordinatorja e grave artizane Lubiana Bajo.

Bajo shpjegon se përveç trajnimit të artizanëve me teknika të reja të punës me  tezgjah dhe shajak, u mbështetën financiarisht edhe banorë të zonave të Lunxherisë dhe Antigonesë, të cilët u përfshinë  në procesin e përpunimit të leshit.

Sipas drejtorit të Zyrës Rajonale të Punësimit në Gjirokastër, Eduart Pesha, artizanët e përpunimit të leshit tashmë po identifikohen, në mënyrë që të regjistrohen në Dhomën Kombëtare të Artizanatit.

“Përmirësimet ligjore në proces do të ndihmojnë këtë sektor për të rigjallëruar traditën dhe nxitur punësimin,” u shpreh Pesha. “Kjo do të zgjidhte edhe problemin e artizaneve  që dalin nëpër trotuarë dhe shesin në mënyrë të paorganizuar produktet,” shtoi ai.

Nënë Nazua është një nga gratë artizane që shesin në trotuar. Rreth 11 gra të  tjera nga zona të ndryshme të Gjiokastrës shesin në të njejtën mënyrë – herë me prodhime të bëra vetë herë me prodhime të bëra nga gratë e moshuara në shtëpi.

Nazua arrin të bëjë edhe dy çorape në ditë  ndërkohë që çmimet  e prodhimeve prej leshi variojnë nga 200 lekë deri në 1500 lekë. Ka raste kur dikush merr disa prej produkteve dhe nënë Nazos i duhet të kthehet më herët në shtëpi.

Jo pak prodhime të grave artizane si ajo tregëtohen edhe “on line” nga kompani të vogla shqiptare, ku një palë çorape leshi reklamohet për 5 Euro apo një kapuç për 10-15 Euro.

“Këto vajzat e reja në fillim i mbanin larg po tani kanë nisur ti pëlqejnë,” thotë Nazo, duke shtuar se kapuçet i pëlqejnë ngjyra-ngjyra, dhe për këtë arsye ajo dhe gratë e tjera e  ngjyejnë leshin me bojra bimore nga arra, shega ,vishnja dhe e kombinojnë me fije trikotazhi me ngjyrë. “Vitin tjetër do bëj dhe bluza prej leshi se edhe ato kanë nisur të tërhiqen,” përfundoi ajo.