Për gratë në veçanti, zotërimi i tokës dhe pronës shënojnë fundin e pasigurisë ekonomike dhe vulnerabilitetit dhe ka një ndikim të mundshëm mbi të gjithë komunitetin. Gratë gjithashtu investojnë 90% të të ardhurave të tyre në familje.
Shumica prej nesh e konsideron shtëpinë si strehën tonë të dashur: është vendi që ne e bëjmë tonin dhe që na ruan prej të tjerëve, një vend i sigurt për familjet tona. Ne mund të shqetësohemi rreth kostos së marrjes me qira apo blerjes së shtëpisë sonë. Ne mund të kemi vështirësi për ta mbajtur atë. Por ne nuk shtrihemi natën me frikën e vazhdueshme se do të dëbohemi sepse dikush tjetër do të pretendojë pronësinë e shtëpisë.
Jemi me fat. Rreth 1 miliard njerëz kudo në qytetet e mëdha të botës nuk kanë asnjë të drejtë mbi pronën apo tokën ku jetojnë. Nga barrakat e Kantagalos në Rio në Kibera të Nairobit, breza të ndryshëm njerëzish po qeverisen nga një botë e fshehtë rrjetesh ilegale – një para-ekonomi e drejtuar nga gangsterë – që mbështeten në shërbimet e furnizimit mbi të cilat të tjerët nuk kanë akses për shkak të statusit të tyre.
Pasojat janë të mëdha dhe kanë një efekt të madh mbi gjithçka, nga shëndeti dhe mirëqenia te konflikti dhe dhuna. Mendoni kështu: pa pronë për ta përdorur si kolateral, ju keni më pak gjasa të merrni hua para nga huadhënës të respektueshëm; qeveritë dhe korporatat kanë më pak gjasa të paguajnë për infrastrukturë dhe shërbime bazë nëse pronësia është e paqartë; dhe stabiliteti i të gjithë komunitetit është në rrezik.
Si janë lënë pas gratë
Siguria dhe pronësia e tokës është kritike për fuqizim social dhe ekonomik. Megjithatë kjo është një zonë plot paradokse. Le të përpiqemi ta përkthejmë në shifra: toka dhe prona mund të formojnë 75% të pasurisë së një kombi, megjithatë tre të katërtat e popullsisë botërore nuk mund të provojnë se e zotërojnë tokën ku jetojnë apo punojnë. Në fakt, 90% e të gjithë tokës në Afrikë është ende plotësisht e padokumentuar.
Ky vakum i të drejtave prek gratë më së shumti. Është më i përhapur në Azinë Jugore dhe rajonin e mesëm, lindor dhe verior të Afrikës. Në MENA në veçanti, 25 milionë gra në zona urbane nuk kanë të drejta kushtetuese dhe statusore të pronës.
Të dhënat specifike në vende janë po aq të befasueshme. Të marrim Ugandën. Atje proporcioni i burrave që zotërojnë tokë është 21% më i lartë se proporcioni i grave. Tradicionalisht, gratë nuk kanë të drejta prone të pavarura. Sigurimi i të drejtave mbi tokën për gratë varet nga fortësia e marrëdhënies së tyre me burrin e familjes apo klanit. Për më tepër, konflikti 20-vjeçar ka ndikuar mbi këtë dhe si rezultat, gratë përballen me një luftë për të vënë në zbatim të drejtat e tyre mbi tokën.
Gratë zotërojnë më pak se 20% të tokës në botë. Një sondazh mbi 34 vende të zhvilluara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë e çon përqindjen deri në 10. Kjo të lë gojëhapur nëse marrim në konsideratë se gjysma e popullatës botërore janë gra. Më shumë se 400 milionë gra merren me bujqësi dhe prodhojnë shumicën e furnizimeve ushqimore të botës. Megjithatë fermeret ende nuk kanë të drejta të barabarta të tokës në më shumë se 90 vende.
Një katalizator i fuqishëm ekonomik
Për gratë në veçanti, zotërimi i tokës dhe pronës shënojnë fundin e pasigurisë ekonomike dhe vulnerabilitetit dhe ka një ndikim të mundshëm mbi të gjithë komunitetin. Gratë investojnë 90% të të ardhurave të tyre në familjet e tyre dhe kur zotërojnë prona, marrin më tepër pushtet mbi vendimet e familjes, siguria ushqimore shtohet dhe perspektivat për fëmijët dhe brezat e ardhshëm përmirësohen.
Kërkimet e fundit sugjerojnë se siguria dhe pronësia e tokës ulin rrezikun e dhunës në familje për disa gra, sepse pavarësia ekonomike nënkupton se ato fuqizohen aq sa për të dalë nga një marrëdhënie abuzive.
Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB reflektojnë rëndësinë e të drejtave të grave mbi tokën dhe pronën duke caktuar një shënjestër për të drejta të barabarta pronësie dhe për kontroll mbi tokën deri në 2030.
Shumë shtete, veçanërisht në botën në zhvillim, kanë prezantuar ligje të reja progresive për të rritur barazinë gjinore të pronësisë së tokës. Për shembull në Kosovë, ku pronësia e grave shkon në rreth 15%, mungesa e sistemeve të titujve pronësor përpara luftës dhe shpërbërja e Jugosllavisë i ka lënë shumicën e grave pa prova të pronësisë së tokës dhe pronave. Këtu, puna po bëhet për të krijuar një sistem të ri titujsh, që do t’ia japin dokumentacionin edhe grave.
Por realiteti është se edhe kur ndryshimet në ligj ndodhin, ka ende një hendek të madh mes ligjeve dhe zakoneve në disa pjesë të botës.
Në më shumë se gjysmën e të gjitha vendeve, tradita patriarkale dhe besimet e lashta sociale kërcënojnë të drejtat e grave për tokë edhe kur ia jep ligji. Për shembull Bangladeshi ku ligji i jep grave dhe burrave të drejta të barabarta për të blerë dhe zotëruar tokën, në praktikë kjo është e kufizuar nga ligjet e trashëgimisë që drejtohen nga Sheriati, ku gratë dhe vajzat kanë shumë disavantazh.
Shifrat e fundit tregojnë se në 34 vende, vajzat nuk kanë të drejta të barabarta për të trashëguar ashtu sikurse djemtë. Dhe në 25 vende, vejushat janë veçanërisht të pambrojtura pasi nuk e trashëgojnë automatikisht pronën e bashkëshortit – mund t’i shkojë familjes së tij apo djemve. Është një gjë të çosh përpara legjislacionin, por një gjë krejt tjetër të ndryshosh besimet dhe zakonet.
Të drejtat e pronës dhe tokës janë të drejta të njeriut – dhe në duart e grave, mund të veprojnë si një katalizë e fuqishme ekonomike.