Analize13 May 2020

Greqi: Shqetësime për mungesë transparence për “fondin e zi” të Ministrisë së Emigracionit

Qeveria greke është përballur me rezistencë të ashpër lokale për mënyrën sesi ajo e ka trajtuar krizën e emigrantëve. Tani ajo ka krijuar një fond të veçantë brenda ministrisë së emigracionit për shpenzime të fshehta me shumë pak mbikëqyrje.

Autor: Apostolis Fotiadis BIRN Athinë
Printo

Foto: Pixabay.

Krijimi i një “fondi të zi” për pagesa sekrete në emër të ministrisë së emigracionit të Greqisë ka ngjallur polemika në një vend me një histori shpenzimesh qeveritare jo transparente.

Fondi u shfaq si pjesë e një ligji të ri për azilin – pasi një periudhë konsultimi publik mbi legjislacionin kishte përfunduar – dhe u miratua javën e kaluar duke shkaktuar zemërim te ligjvënësit e opozitës.

Ministri i emigracionit, Notis Mitarakis, ka argumentuar se ministria e tij ka nevojë për “fleksibilitet” në trajtimin e krizës së emigrantëve në Greqi, pasi Turqia fqinje braktisi një marrëveshje të vitit 2016 me Bashkimin Europian në fund të shkurtit dhe hoqi kufizimet për emigrantët dhe refugjatët nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika që përpiqen të arrijnë në bllok nëpërmjet territorit të saj.

“Ne përballemi me rrjete kontrabandistësh nga ana e Turqisë, rrjete brenda kampeve, rrjete që pengojnë dëbimet”, tha Mitarakis.

Mitarakis do të kontrollojë shpenzimet nga fondi me mbikëqyrjen e tre nëpunësve civilë nga ministria e tij. I gjithë dokumentacioni do të shkatërrohet çdo gjashtë muaj dhe, me një ndryshim nga propozimi fillestar për të qetësuar kritikët, informacionet për pagesa mbi 25,000 euro duhet të dorëzohen në një komitet të posaçëm të parlamentit grek.

Krijimi i fondit ka bërë që analistët të pyesin nëse qeveria planifikon t’i paguajë kundërshtarët e rreptë të politikës së saj të migracionit; në shkurt, qeveria konservatore greke u përball me rezistencë të fortë lokale në ishuj si Lesbos dhe Kios përsa i takon krijimit të qendrave të mëdha të reja për të strehuar dhjetëra mijëra emigrantë dhe refugjatë.

“Ka shumë të ngjarë të ketë të bëjë me aftësinë e qeverisë për të menaxhuar reagimet lokale ndaj politikës së saj të emigracionit”, tha Tasos Kostopoulos, studiues i historisë së lidhjeve të së djathtës ekstreme me aparatin shtetëror.

“Në atë rast, rreziku politik është shumë i lartë”, tha ai për BIRN. “Nëse ka fjalë se ka një listë pagese në dispozicion për të paguar radikalët dhe kritikët, atëherë këta të fundit do të shtohen si me magji.”

“Në rastin e Ministrisë së Emigracionit mund të ketë një nevojë për fleksibilitet për të trajtuar urgjencat, por nuk ka aspak nevojë për fonde sekrete. Nuk ka asnjë arsye të vlefshme për shkatërrimin e provave dhe kjo mbulon faktet që qëllimi i saj është i brendshëm, gjë që shtron pyetje në lidhje me kredencialet e saj demokratike.”

Veprim që të kujton fillimin e viteve 1990

Emigrantë sirianë duke mbërritur me varkë nga Turqia në ishullin e Lesvosit në Greqi. Foto: Wikipedia.

Kjo polemikë të kujton një debat nga fillimi i viteve 1990 mbi fondet sekrete të përdorura nga ministri i jashtëm i asaj kohe, Antonis Samaras, në kulmin e tensioneve midis Greqisë dhe fqinjit të saj verior, Maqedonisë së Veriut, mbi emrin e vendit.

Samaras, i cili kishte pasur mosmarrëveshje me kryeministrin e asaj kohe, Kostantinos Mitsotakis, u përball me akuza se shuma të konsiderueshme u ishin paguar gazetarëve, duke shkaktuar një hetim nga një komitet disiplinor i shoqatës më të madhe kombëtare të gazetarëve, ESHEA.

Në transkriptet e dëshmisë së tij para komitetit në mars 1994, Mitsotakis tha se kishte pasur një problem me “keqpërdorimin e fondeve sekrete”.

“U befasova kur u informova se sistemi ka ndryshuar”, tha ai. “Ministri i punëve të jashtme mund të jepte fonde sekret kudo që dëshironte ndërsa monitorimi bëhej nga një komitet prej tre anëtarësh i cili ishte emëruar nga vetë ministri. Të gjitha dokumentet në lidhje me këtë u shkatërruan dy herë në vit.”

“Unë njoh njerëz, gazetarë, të cilët janë paguar me para në dorë”, tha Mitsotakis. “Paratë paguheshin kryesisht për propagandë në lidhje me debatin mbi emrin, por në vend që kjo propagandë të synohej jashtë vendit, ajo pjesës brenda vendit”. Asnjë provë nuk u paraqit për të mbështetur pretendimet.

Mitsotakis, i cili vdiq në 2017, ishte babai i kryeministrit aktual të Greqisë dhe kryetarit të Demokracisë së Re në pushtet, Kyriakos Mitsotakis. Në atë kohë, Samaras, i cili ishte kryeministër midis vitit 2012 dhe 2015 dhe mbetet deputet i Demokracisë së Re, i hodhi poshtë akuzat.

Kostis Papaioannou, një ish-sekretar i përgjithshëm për të drejtat e njeriut në Ministrinë greke të Drejtësisë, tha për BIRN: “Në të kaluarën ka pasur shumë polemika rreth mënyrës se si ministrat menaxhonin fonde sekrete. Por krijimi i një fondi sekret në ministrinë e emigracionit është një risi në historinë e demokracisë greke.”

“Duket se në mendjet e disa njerëzve çështja e refugjatëve mund të bëhet një mjet për të lehtësuar aranzhimet brenda partive për të pasur pushtet dhe për të shpërndarë para politike.”