Analize25 Mar 2020

Greqia shton kufizimet, por kritikohet për përgjigjen ndaj COVID-19

Ekziston një shqetësim i gjerë në lidhje me aftësinë e spitaleve greke për t’u përballur me pandeminë Covid-19 dhe për të ndaluar përhapjen e tij në kampet e tejmbushura me emigrantë dhe refugjatë.

Autor: Apostolis Fotiadis BIRN Athinë
Printo

Athina, kryeqyteti i Greqisë. Foto: Pixabay.

Greqia po dyfishon masat kufizuese për të frenuar përhapjen e Covid-19, por përballet me kritika në lidhje me kapacitetin e sistemit të kujdesit shëndetësor për të trajtuar anëtarët më të cenueshëm të shoqërisë greke.

Të dielën pati një rritje të madhe të rasteve të konfirmuara me koronavirus në vend, me 94 nga një total prej 624 të infektuarish.

Disa druhen se numri relativisht i ulët i rasteve të konfirmuara është një reflektim i strategjisë së shtetit për të kryer teste vetëm në rastet më akute, në kundërshtim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë e cila bën thirrje që vendet të kryejnë testime masive dhe gjurmime të kontakteve të të infektuarve.

Që nga 23 marsi, qeveria ka ndjekur një numër vendesh të tjera në Europë në kufizimin e lëvizjes, duke i lejuar njerëzit të lëvizin vetëm për në dhe nga puna, për blerje ushqimesh, për të ndihmuar një të afërm të cenueshëm, për të shëtitur një kafshë shtëpiake ose për të bërë vrap. Nuk do të lejohen më shumë se dy persona në hapësira të hapura ose makina. Kjo shkelje do të gjobitet me 150 euro. Grekët do të duhet të mbajnë me vete konfirmimin me shkrim për arsyen pse kanë dalë nga shtëpitë e tyre.

Në të njëjtën ditë, ministria e shëndetësisë bëri thirrje për vullnetarë mjekë dhe infermierë të trajnuar, që aktualisht nuk punojnë. Dokumentet e para nga BIRN tregojnë se ministria po organizon një trajnim të shpejtë në triazh dhe intubim në spitalet rajonale.

Kina ka dërguar pajisje mbrojtëse për punonjësit e shëndetit të vijës së parë, por autoritetet shëndetësore megjithatë kanë lëshuar udhëzime për mjekët se si ata të kryejnë punën e tyre në mungesë të mbrojtjes së nevojshme, nëse është e nevojshme me duar pa doreza.

Masat e qeverisë janë mirëpritur gjerësisht, por ka pikëpyetje mbi strategjinë në zhvillim dhe kapacitetin e sistemit të kujdesit shëndetësor publik për të përballuar këtë stuhi, pas vitesh me radhë masash shtrënguese që e sollën këtë sistem në prag të kolapsit.

Përgjigje “gjysma-gjysma”

Kamp refugjatësh në Lesbos. Foto: Pixabay.

Organizata Kombëtare e Shëndetit Publik në Greqi thotë se 176 mjekë të rinj dhe 733 infermierë dhe staf administrativ janë punësuar që nga shpërthimi Covid-19, ndërsa 2,145 personel të tjerë të spitalit do të jenë në bord brenda ditëve.

Por Meropi Mantaiou, një specialist i mushkërive në spitalin Sotiria në Athinë, i cili deri më tani është marrë me më shumë se gjysmën e rasteve me Covid-19 në Greqi, tha që shifrat s’janë të vërteta.

“Janë integruar pak mjekë të rinj integruar në spital”, tha Mantaiou për BIRN. “Transferimet nga spitalet dhe klinikat e tjera kanë siguruar më shumë infermierë dhe ndihmësa, por ata janë pa përvojë. Nuk mund të përdorësh njerëz të patrajnuar në njësinë e kujdesit intensiv. Kjo punë “gjysma-gjysma”.

Probleme të ngjashme ka edhe në strategjinë e shtetit, ose mungesën e saj, për t’u marrë me përhapjen e virusit midis emigrantëve dhe refugjatëve në kampet në territorin grek dhe ishujt si Lesbosi.

Qeveria ka kufizuar lëvizjen e refugjatëve dhe emigrantëve jashtë kampeve dhe ka urdhëruar përgatitjen e mjediseve speciale për të trajtuar rastet e konfirmuara brenda tyre. Autoritetet greke dhe agjencitë e ndihmës po kufizojnë numrin e personelit të vendosur nëpër kampe.

“Ka më pak lëvizje dhe nuk dëgjon ëm atë zhurmën e vazhdueshme që dëgjoje në kamp”, tha Peter Casaer, një zëdhënës i “Medecins sans Frontieres”, MSF, në klinikën e organizatës pranë kampit të madh Moria në Lesbos.

“Në kampe nuk ka kapacitete për t’u marrë me një shpërthim të mundshëm të koronavirusit dhe nuk ka asnjë plan dhe strategji të dakorduar qartë për të rritur kapacitetin mbrojtës”, tha Casaer për BIRN.

“Përpjekjet për të informuar dhe përgatitur njerëzit janë burimi zhgënjimi të pafund pasi qasja në gjërat themelore si uji ose banjat nuk është siç duhet të jetë”, tha ai. “Njerëzit e dinë se çfarë po ndodh. Nuk mund të them se shoh frikë, por kur flet me ata, ata pyesin për tualetet dhe se çfarë do të bëhet me pastrimin.”

Parlamenti Europian i ka bërë thirrje Komisionerit të BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, për “evakuimin urgjent parandalues të kampeve të mbipopulluara”.

Një lëvizje e ndërmarrë që nga fillimi i marsit për të nisur ndalimin e ature që hyjnë në vend që nga Turqia – pasi Ankaraja braktisi një marrëveshje të vitit 2016 me BE për të mbajtur refugjatët dhe emigrantët brenda kufijve të saj – kërcënon ta përkeqësojë problemin.

Më shumë se gjashtëqind refugjatë dhe emigrantë, kryesisht familje, janë transferuar në një qendër të sapohapur në Greqinë veriore, ku shoqata rajonale e policisë ka paralajmëruar se mbingarkesa dhe mungesa e pajisjeve mjekësore mbrojtëse do ta bëjnë shumë të vështirë frenimin e përhapjes së Covid-19.