Në një njoftim për shtyp, policia shqiptare deklaroi se ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, aktualisht në kërkim nga drejtësia e vendit të tij për korrupsion, përdori territorin shqiptar dhe një makinë diplomatike hungareze për të kaluar në Malin e Zi.
“Shtetasi Nikola Gruevski më datë 11.11.2018, rreth orës ora 19:11, ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Hanit të Hotit në drejtim të Malit të Zi, si pasagjer në automjetin me targë CD1013A, në pronësi të Ambasadës Hungareze në Tiranë,” njoftoi policia shqiptare të enjten në darkë.
Sipas policisë, në këtë ditë mbi Gruevskin nuk kishte urdhër kërkimi dhe nuk kishte arsye për ta ndaluar.
“Interpol Shkupi në datë 13.11.2018, rreth orës 19.35 i ka dërguar Interpol Tiranës njoftimin për shpallje në kërkim ndërkombëtar për këtë shtetas”, vijon më tej njoftimi.
Policia nuk bëri të ditur nëse Gruevski ka përdorur pasaportë apo kartë identiteti për udhëtimin e tij.
Gruevski u dënua nga gjykatat maqedonase me dy vjet burg në çështjen gjyqësore të koduar me emrin “Tanku”, ku u gjet fajtor për blerjen e paligjshme të një Mercedesi prej 580,000 eurosh në vitin 2012 nga ish-ministrja e brendshme Gordana Jankuloska, të cilin ai planifikonte të përdorte për të qëllimet e veta.
Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin e tij me dy vjet burg më 5 tetor.
Gruevski ka insistuar që kjo dhe raste të tjera gjyqësore kundër tij janë një sajesë politike nga qeveria e re e udhëhequr nga Bashkimi Social Demokrat, SDSM.
Ai shërbeu si kryeministër i Maqedonisë nga viti 2006 deri në vitin 2016. Partia e tij e djathtë VMRO DPMNE u rrëzua nga pushteti në vitin 2017 pas një krize të gjatë politike në të cilën ai dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u akuzuan për imponim të sundimit autoritar dhe përfshirje në korrupsion.
Më 13 nëntor, Gruevski njoftoi se gjendet në Hungari ku ka kërkuar strehim politik.