Lajm6 Jan 2017

Haradinaj kritikon Francën për arrestimin e tij

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se ishte “për të ardhur keq” që Franca kishte vepruar bazuar te një mandatarrest serb që e akuzonte atë për krime lufte, ndërsa zyrtarë të lartë në Prishtinë kërkuar lirimin e tij.

Autor: Die Morina BIRN Prishtinë
Printo

Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga policia franceze. Foto: Jean-Francois Badias/BETA.

Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga policia franceze. Foto: Jean-Francois Badias/BETA.

Ramush Haradinaj postoi një mesazh në Facebook të premten duke kritikuar Francën për arrestimin e tij në bazë të një mandatarresti serb për krime lufte, të cilat pretendohet se janë kryer ndërsa ai po luftonte kundër forcave të Sllobodan Millosheviç në fund të viteve 1990.

“Është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviqit,” tha ish-kryeministri, i cili tani drejton partinë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ai shtoi se “miqtë e Serbisë brenda dhe jashtë Kosovës” nuk mund ta ndalojnë bërjen e shtetit.

Haradinaj u paraburgos të mërkurën nga policia në aeroportin Mulhouse Freiburg të Bazelit në Francën lindore pasi mbërriti në një fluturim nga Prishtina.

Një gjykatë franceze vendosi ta mbajë atë në paraburgim “derisa Serbia të bëjë një kërkesë formale ekstradimi”, raportoi Reuters të enjten në mbrëmje.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa nxiti Francën të premten të lirojë Haradinajn, duke argumentuar se mandatarrestet për krime lufte të lëshuara nga Serbia për ish-luftëtarët e UÇK janë “krejtësisht politike dhe nuk kanë bazë ligjore apo juridike”.

Ministri i jashtëm Enver Hoxhaj tha në një konferencë për shtyp ndërkohë se arrestimi ishte “një goditje për Kosovën”.

“Kam dërguar një kërkesë te gjykata franceze, për saktësim se Serbia nuk ka juridiksion mbi Kosovën”, tha Hoxhaj.

Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Haradinaj tha për BIRN se avokatët e liderit po punonin mbi kërkesën që do t’i dërgohej autoriteteve franceze për lirimin e tij me kusht.

Partia gjithashtu organizoi një marshim proteste në ambasadën franceze në Prishtinë të premten, që u mbështet nga veteranët e UÇK-së dhe dy parti të tjera opozitare, Vetëvendosje dhe Iniciativa për Kosovën, NISMA.

Time Kadrija, një deputete e partisë së Haradinaj i tha BIRN se kishte mbledhur mjaftueshëm firma deputetësh për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për arrestimin.

“Së shpejti do të përpiqemi të thërrasim një seancë parlamentare urgjente. Kemi firmat e nevojshme dhe mbase përmes një rezolute mund të kërkojmë që Serbia të tërheqë ato emra [të ish-luftëtarëve të kërkuar si Haradinaj] që i janë dërguar Interpolit,” tha Kadrija.

Rrahman Ramadani, një veteran i UÇK që mori pjesë në protestë tha se ai doli në rrugë për shkak të “padrejtësisë” së kryer kundër Haradinaj.

“Kjo nuk është aspak e mirë, as për UÇK, as për popullin shqiptar. Ramush Haradinaj dhe të gjithë ish-komandantët e UÇk duhet të lirohen sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Ramadani për BIRN.

Që prej arrestimit të Haradinajt, një fushatë ka nisur në median sociale për lirimin e tij.