Lajm24 Jul 2019

Haradinaj refuzon t’i përgjigjet prokurorëve në Hagë

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj tha se zgjodhi të mos japë ndonjë përgjigje për pyetjet që iu bënë ndërsa u mor në pyetje si i dyshuar nga prokurorët në Hagë, të cilët po hetojnë krimet e luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Autor: Blerta Begisholli BIRN Prishtinë
Printo

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë konferencës për shtyp të premten ku dha dorëheqjen. Foto: BIRN.

Ramush Haradinaj, një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili njoftoi dorëheqjen e tij si kryeministër pas thirrjes për t’u marrë në pyetje si i dyshuar, u mor në pyetje të mërkurën në Hagë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Haradinaj tha se nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të parashtruara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila po heton krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës së Kosovës, nga viti 1998 deri në vitin 2000.

“Sot jam paraqitur si i dyshuar për të kryer obligimin ligjor. Kam pranu këshillën ligjore për mos me u përgjigj fare në pyetje,” tha Haradinaj pas marrjes në pyetje.

“Unë do të respektoj çdo obligim ligjor që më del në çdo kohë. Për ne është me rëndësi ta tregojmë një shembull të respektimit të ligjit,” shtoi ai.

Haradinaj, i cili të premten dha dorëheqjen si kryeministër, është një nga dhjetëra ish-anëtarët e UÇK-së që janë thirrur për t’u marrë në pyetje në Hagë. Ish-kryetari i parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ishte më i fundit që lajmëroi se ishte thirrur në Hagë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë pritet të gjykojnë ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të paditur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për krime përfshirë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale. Sidoqoftë, asnjë aktakuzë nuk është bërë ende publike.

Haradinaj tashmë është liruar dy herë nga akuzat për krime lufte nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Ai tha se ia ka dërguar letrën e tij të dorëheqjes drejtuesve të partive politike në Kosovë, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, dhe se zgjedhjet e përgjithshme duhet të mbahen së shpejti.

“Deri në zgjedhjen e qeverisë së re, do të vazhdoj të kryej detyra kushtetuese si kryeministër i një qeverie në largim,” tha ai sipas mediave.

Ai tha për agjencinë e lajmeve Reuters para se të nisej për në Hagë se do të konkurrojë në zgjedhje, nëse ndaj tij nuk ngrihet asnjë aktakuzë.

Vetëvendosja paralajmëroi ndërkohë që nëse presidenti Thaçi vonon caktimin e një date për mbajtjen e zgjedhjeve, kjo e fundit do të thërrasë një seancë të jashtëzakonshme parlamentare.

“Kjo është e vetmja mënyrë për të ndalur presidentin nga manipulimi për të shtyrë datën e zgjedhjeve,” tha Glauk Konjufca nga Vetëvendosja në një konferencë shtypi të martën.

Kosova pritet të mbajë zgjedhje të parakohshme në shtator, pasi asnjë nga partitë aktuale qeverisëse politike nuk mund të formojë një qeveri.