Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi këshilltarin e tij Sylejman Selimi, një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u lirua këtë vit pasi kreu një dënim për krime lufte.
Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi Sylejman Seliminin si këshilltarin e tij politik të hënën, katër muaj pas emërimit të tij të diskutueshëm, që u kritikua nga aleatët perëndimorë të Kosovës.
“E kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, Sylejman Selimi, sipas kërkesës së tij. Falënderoj z. Selimi për kontributin që ai ka dhënë deri tani në zyrën time politike,” shkroi Haradinaj në Facebook pa shpjeguar më tej arsyet për këtë vendim.
Në vitin 2015 Selimi u shpall fajtor për torturimin e një të burgosuri civil në një qendër të improvizuar paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Likovc në komunën e Skënderajt në vitin 1998 dhe fillim të vitit 1999.
Ai u dënua me tetë vjet burg nga gjyqtarët në Gjykatën Themelore të Mitrovicës në maj të vitit 2015, por Gjykata e Apelit në Prishtinë e uli dënimin në shtatë vjet burg në tetor 2016.
Selimit iu dha lirimi i parakohshëm nga burgu në fund të janarit të këtij viti. Pak ditë më pas, Haradinaj e emëroi atë si këshilltarin e tij.
Vendimi i Haradinajt për të punësuar Selimin u kritikua ashpër nga ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili tha në shkurt se “kriminelët e dënuar të luftës nuk kanë vend në qeverinë e Kosovës”.
“Liderët e të gjitha partive nuk duhet të mbështesin individë të tillë. Një mbështetje e tillë vë në pikëpyetje angazhimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit,” shtoi Kosnett.
Emërimi u kritikua gjithashtu nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut, e cila e dënoi deklaratën e politikanëve të Kosovës të cilët lavdëronin Selimin pas lirimit nga burgu.
“Njerëzit që kanë kryer krime lufte duhet të qëndrojnë larg institucioneve shtetërore. Vendimi për emërimin e z. Selimi si këshilltar politik tregon mungesë serioziteti dhe mungesë angazhimi të qeverisë ndaj drejtësisë, pajtimit dhe paqes,” tha Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.
Selimi ishte anëtar i grupit të Drenicës të UÇK-së, i cili ishte burimi i shumë udhëheqësve politikë të Kosovës pas luftës, duke përfshirë edhe presidentin aktual Hashim Thaçi.
Tre ish-anëtarë të tjerë të grupit të Drenicës të UÇK-së, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Isni Thaçi, gjithashtu u dënuan për torturimin e civilëve në qendrën e burgimit në Likovc.
Në qershor të vitit 2018, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se Gjykata e Lartë duhet të rishikojë çështjen kundër anëtarëve të grupit të dënuar të Drenicës.
Pas luftës, Selimi u emërua si komandant i Gardës së Kosovës, më pas komandant i Korpusit Mbrojtës të Kosovës.
Ai më pas u bë komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në vitin 2011, kur u emërua ambasador në Tiranë.