Lajm24 Jun 2020

Hashim Thaçi akuzohet për krime lufte

Një aktakuzë prej dhjetë pikash është ngritur kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi duke e akuzuar atë për krime që dyshohet se janë kryer në luftën për pavarësi të fundit të viteve 1990, përfshirë vrasje dhe tortura.

Autor: Marija Ristic BIRN Berlin
Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: Facebook/Hashim Thaçi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, sipas deklaratës së saj për shtyp të mërkurën, ka ngritur një aktakuzë prej dhjetë pikash në Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, politikanin kosovar Kadri Veseli dhe të tjerë për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me dhunë të personave, persekutim dhe tortura.

“Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh , serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Një gjyqtar i procedurave paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës aktualisht po shqyrton aktakuzën për të vendosur nëse do të konfirmojë akuzat.

Sipas njoftimit për shtyp, Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës e vlerësoi të domosdoshëm këtë njoftim publik për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Thaçit dhe Veselit për të penguar dhe dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Zoti Thaçi dhe zoti Veseli besohet se kanë realizuar një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin për krijimin e Gjykatës dhe për pasojë për të penguar punën e Gjykatës në përpjekje për t’u siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë.”

“Duke ndërmarrë këto veprime,  z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vendosur interesat e tyre personale përpara viktimave të krimeve të tyre, sundimit të ligjit dhe të popullit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 100 njerëz, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, janë thirrur për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si të dyshuar ose dëshmitarë në lidhje me krimet që dyshohet se janë kryer gjatë luftës për pavarësisë të Kosovës nga Serbia midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 1999 në Kosovë.

Ndër ta kishte edhe ish-luftëtarë guerile të UÇK-së, të cilët janë bërë politikanë të profilit të lartë, siç është Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës pasi u thirr.

Dhomat e Specializuara të Kosovës do të dëgjojnë raste që dalin nga një raport i task forcës së BE-së, i cili tha se zyrtarë të UÇK-së mund të përballen me aktakuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës. Krimet e pretenduara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Raporti u autorizua pasi Këshilli i Europës publikoi një hetim në vitin 2011, i cili pretendonte se disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë Thaçin, ishin përgjegjës për abuzime të ndryshme të të drejtave të njeriut. Thaçi i ka mohuar akuzat.

Negociatat për krijimin e gjykatës zgjatën nga viti 2011 deri në vitin 2015. Stafi i gjykatës përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar ka mbikëqyrur sistemin e drejtësisë në Kosovë, rezultatet e të cilit në ndjekjen penale të krimeve të luftës kanë qenë të dobëta – më pak se 20 vendime të formës së prerë në çështjet e krimeve të luftës.

Besohej se prokuroria e Kosovës nuk mund ta përballonte dot presionin politik në raste të ndjeshme në lidhje me zyrtarët e lartë dhe kjo qe arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar vendosi të krijojë gjykatën e re.