Lajm8 Jul 2020

Hashim Thaçi thirret për t’u marrë në pyetje

Presidenti Hashim Thaçi, një ish-udhëheqës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha se do të merret në pyetje në Hagë të hënën nga prokurorët të cilët tashmë kanë përgatitur një aktakuzë duke e akuzuar atë për krime lufte.

Autor: BIRN BIRN Prishtinë
Printo

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: Facebook/Hashim Thaçi.

Hashim Thaçi njoftoi të mërkurën se do të udhëtojë drejt Hagës në fillim të javës tjetër për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e cila po heton krimet e kohës së luftës dhe pas luftës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar njoftoi më 24 qershor se ka një aktakuzë të pakonfirmuar që akuzon Thaçin, si dhe Kadri Veselin dhe ish-luftëtarët e tjerë të Ushtrisë Çirimtare të Kosovës, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

“Do të doja të ndaj me ju që të hënën do të udhëtoj drejt Hagës, i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për t’u marrë në pyetje”, shkroi Thaçi në Facebook.

Nëse aktakuza konfirmohet nga një gjykatës, Thaçi do të gjykohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ai ka mohuar çdo keqbërje dhe ka thënë se do të tërhiqet nga posti i presidentit nëse gjykohet.

Më shumë se 100 ish-luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga prokurorët e Hagës, të cilët po hetojnë akuza që përfshijnë vrasje, tortura dhe ndalime të paligjshme.

Në deklaratën e tij në Facebook, Thaçi tha se ai dhe ata do të “përballen me drejtësinë ndërkombëtare me dinjitet dhe integritet”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se i bëri publike muajin e kaluar akuzat kundër Thaçit dhe Veselit sepse pretendonte se ata ishin të përfshirë në “një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin për krijimin e gjykatës dhe për të penguar kështu punën e gjykatës në përpjekje për të siguruar që ata të mos përballeshin me drejtësinë”.