Prokuroria e Lezhës i kërkoi gjykatës të pushonte një hetim të nisur për falsifikime dhe shkelje ligji në lejet për ndërtimin e 5 hidrocentraleve në Kaçinar të Mirditës, por pas kundërshtimit të banorëve gjykata vendosi që çështja të rihetohej.
Koncesioni i dhënë për ndërtimin e 5 hidrocentraleve në Kaçinar të Mirditës do të do të rihetohet nga prokuroria e Lezhës me urdhër të gjykatës. Vendimi u mor këtë të enjte nga Gjykata e Rrethit Lezhë, e cila rrëzoi kërkesën e organit të akuzës që kishte vendosur pushim hetimesh në lidhje me procedimin penal ndaj disa zyrtarëve të Bashkisë Mirditë për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”, pas kallëzimit që kishin bërë banorët.
Në përfundim të seancës gjyqësore banorët përshëndetën vendimin e marrë nga gjyqtari Artan Hajredinaj, duke e konsideruar si një fitore të parë në betejën e tyre ndaj HEC-ve që kanë nisur prej më shumë se 3 vitesh. “Është një fitore e parë, për t’ia rikthyer e për të nxjerrë në pah të gjithë shkeljet që janë bërë në procedurën e dhënies me koncesion për 5 hidrocentralet në zonën e Kaçinarit”, tha Gjon Pjetri një prej banorëve.
Vendimi i Gjykatës së Lezhës nuk u komentua nga zyrtarët e Bashkisë Mirditë të cilët ishin të pranishëm në seancën gjyqësore. Koment nuk ka pasur as nga kompania me drejtues Ndue Shkurtin.
Koncesioni për ndërtimin e 5 HEC-eve të vogla në zonën e Kaçinarit në Mirditë është dhënë në vitin 2018. Por kompania nuk është lejuar nga protestat e banorëve të 7 fshatrave të nisë punën. Banorët e Kaçinarit paditën koncesionarin dhe zyrtarët e bashkisë Mirditë që kishin dhënë lejet në SPAK. Por Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, pasi regjistroi procedim për veprat penale “Shpërdorim Detyre” dhe “Falsifikim Dokumentesh”, ia kaloi çështjen për hetim Prokurorisë së Lezhës.
Kjo e fundit pas hetimeve doli në konkluzionin se nuk ka element të veprës penale dhe dërgoi çështjen për pushim hetimesh në gjykatë. Por këto përfundime u kundërshtuan nga banorët.
Pas debateve në seancën e parë më 22 nëntor, gjykata vendosi të enjten tu japë të drejtë banorëve dhe i cilësoi hetimet e prokurorisë të paplota.
Banorët thonë se ky vendim do të ndihmojë në gjetjen e shkeljeve. “Mjafton t’iu them se janë shumë shkelje në dosjen e koncesionit. Nuk janë pyetur banorët e Kaçinarit, nuk janë realizuar dëgjesat publike, pastaj ka shkelje dhe falsifikime të vazhdueshme”, thotë Gjon Pjetri banor i Kaçinarit.
Banorët thonë se janë të vendosur për moslejimin e ndërtimeve të HEC-eve që sipas tyre shkatërrojnë të gjithë zonën.
“Aty janë 7 fshatra dhe ne do të shkojmë deri aty që pa u larë me gjak ai lum nuk do e marrë kush ujin. Bashkia Rrëshen ju ka dhënë për interesat e tyre personale. Nuk merret uji, atë na ka lënë baba dhe babgjyshi e do ta mbrojmë deri në gjak”, thotë Gjergj Dedaj banor i zonës.