Lajm24 Nov 2018

Helmim masiv në një fasoneri të Durrësit, 8 punonjëse në spital 

Tetë rrobaqepëse shkuan në urgjencën e Durrësit me të vjella dhe kollë, dy prej tyre u dërguan në Tiranë në gjendje më të rëndë. Gratë, punëtore në një fasoneri, u thanë mjekëve se janë ndjerë keq për shkak të avujve gjatë hekurosjes. Policia shoqëroi pronarin italian, ndërsa thotë se shkaku ishte transportimi i disa kondicionerëve.

Autor: Geri Emiri BIRN Durrës
Printo

Foto ilustruese Urgjenca e Spitalit Rajonal Durrës. Foto:Geri Emiri

Tetë punonjëse të një fasonjerie në Fllakë të Durrësit janë paraqitur të helmuaera në urgjencën e spitalit, ndërsa është ende e paqartë se çfarë ka sjellë helmimin. Sipas drejtoreshës së Spitalit Rajonal Durrës, dy nga të helmuarat janë dërguar në Tiranë pasi “shfaqnin shqetësime më të shumta”, ndërkohë që pesë të tjera po mbahen nën vëzhgim në urgjencën e Durrësit.

Në një njoftim zyrtarë Policia e Shtetit bëri me dije se ngjarja ndodhi mesditën e  të shtunës në një rrobaqepësi emri i të cilës nuk është njoftuar. “Rreth orës 13 : 30 , në një rrobaqepësi në Fllakë janë ndjerë keq 8 punëtore, të cilat ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin  e policisë.

Policia bëri me dije se kishte shoqëruar pronarin e kompanisë një shtetas italian me inicialet G.S, por nuk bëri me dije emrin e kompanisë.

Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që punonjëse të fasonerive në vend helmohen masivishit. Në maj të këtij viti 20 punonjëse të një fasonerie në Shkozet u helmuan, shkaqet e këtij incidenti nuk janë zbardhur ende, ndërsa prokuroria i tha BIRN në një përgjigje zyrtare në gusht se ishin ende duke hetuar.

Organizata të të drejtave të grave kanë denoncuar mosrespektimin e të drejtave të grave që punojnë në fasoneri. Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, (GADC) dhe Qendra për të Drejtat në Punë (CLR) denoncuan në maj se gratë në këtë sektor punonin në kushte të rrezikshme, të ekspozuara ndaj lëndëve kimike, fizike e biologjike për të cilat nuk informohen dhe për rrezikshmërinë e të cilave nuk kanë dijeni.

Emri i kompanisë ku ndodhi helmimi i fundit nuk është publikuar nga autoritetet. Policia bëri me dije se ishin duke hetuar shkaqet, por ndërkohë njoftoi se kishte dyshime se bëhej fjalë për gazin e çliruar gjatë transportimit të disa kondicionerëve që ndodheshin brenda fasonerisë. “Sot disa punëtorë i kanë lëvizur kondicionerët për t’i nxjerrë jashtë ambienteve të punës dhe dyshohet se gjatë lëvizjes kanë lëshuar gaz helium dhe ky ka qenë shkaku që punëtoret nuk janë ndier mirë nga ana shëndetësore”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të njëjtin version dha edhe Ilmi Tota, kryeinspektor i Inspektoriatit Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale në Durrës: “Po zhvillojmë hetime për ngjarjen. Mendohet se kanë qenë duke çmontuar një kondicioner”.

Megjithatë të helmuarat rezultojnë të gjitha rrobaqepëse dhe në spital nuk është paraqitur asnjë prej atyre që sipas policisë po lëviznin kondicionerët. Drejtoresha e Spitalit Rajonal Durrës Nadire Kërtusha tha se të gjitha të helmuarat ishin gra që punonin në fasoneri. “Ato thonë se kur kanë hekurosur, avulli i ka turbulluar, por ato nuk e kuptojnë këtë pjesë dhe ende nuk kanë mbaruar ekzaminimet”, tha Kërtusha.

Ajo tha se nga tetë personat e paraqitur dy janë dërguar në Tiranë për shkak se kanë qenë në situatë shëndetësore më të rëndë, një është lejuar të shkojë në shtëpi, ndërsa pesë gra të tjera po mbahen në urgjencë nën vëzhgim. Sipas Kërtushës gratë “Kanë pasur të vjella dhe kollë”.