Lajm18 Nov 2017

Helmohen banorët e një lagjeje në Laç, dyshimet mbi ujin e pijshëm  

  Autoritetet presin kthimin e përgjigjeve nga një laborator në Tiranë, për të shpjeguar helmimin e rreth 20 banorëve të një pallati dhe disa shtëpive rreth tij. Banorët thonë se uji vjen erë të rëndë, por ujësjellësi ia vuri fajin depozitave

Autor: Elvis Hila BIRN Laç
Printo

Prend Çupi sëbashku me pesë pjesëtarë të familjes përfundoi në urgjencën e spitalit të Laçit, tre ditë më parë sëbashku me 5 pjestarët e familjes së tij, pasi kanë shfaqur shenja të helmimit.

“Gjendja shëndetësore e imja dhe 5 pjestarëve të tjerë të familjes nuk ishte e mirë tre ditë më parë. Kishim lodhje temperaturë dhe të vjella”, thotë Çupi.

Ai është i bindur se helmimi ka ardhur nga konsumi i ujit të pijshëm. Ai i tha BIRN se prej 15 ditësh uji në çezmat e tyre vjen i ndotur dhe me një erë mjaft të rëndë.

Prend Çupi dhe familja e tij nuk janë të vetmit që kanë patur probleme me shëndetin. Me dhjetra qytetar i janë drejtuar gjatë ditëve të fundit në urgjencën për ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur sintoma helmimi.

Situata e krijuar vuri në alarm autoritetet, të cilëve pas verifikimeve të kryera u rezultoi se qytetarët banonin në të njëjtën lagje dhe dyshimet janë se janë helmuar nga konsumi i ujit të pijshëm. Shefi i Urgjencës në Spitalin e Laçit Agron Lala tha se që nga dita e premte janë paraqitur rreth 20 pacientë në ditë me simptoma të njëjta helmimi.

Sipas tij dyshimet e para janë për një helmim masiv nga uji nisur nga deklarimet e vetë pacientëve, por edhe nga fakti se ata ishin banor të të njëjtit pallat.

“Ditën e premte kemi vënë re se të sëmurët nuk po na vinin me një situatë të zakonshme gastrointoiti dhe për këtë njoftuam Drejtorinë e Shëndetit Publik në Kurbin”, tha Lala.  Sipas tij situata u vu nën kontroll dhe pjesë më e madhe e pacientëve pasi marrin mjekim kthehen në shtëpi. “Nuk kemi patur ndonjë rast dramatik që ka patur probleme serioze me shëndetin”, tha Agron Lala.

Çupi i tha BIRN që prej 15 ditësh uji ka ardhur shumë i ndotur dhe me një aromë shumë të rëndë. “Nuk e di pse ka ndodhur kjo, por ai ujë është i pakonsumueshëm. Lutemi që të gjendet zgjidhje, pasi në të gjithë pallatin tonë është kjo problematikë. Kemi marrë 40 firma për tu ankuar edhe më lart, pasi tek ujësjellësi jemi ankuar”, thotë ai.

Drejtori i Shëndetit Publik në Kurbin Gazmir Dervishi deklaroi se menjëherë pasi janë njohur me situatën kanë marrë kampionet dhe janë dërguar për analiza në Tiranë, ndërsa tregon se nga analizat paraprake të kryera në Laç, rezulton se uji i depozitave është i ndotur.

“Bëhet fjalë për banorë të një pallati dhe disa banesave private që janë helmuar”, tha Dervishi. Ai tha se po priteshin analizat e ujit që ishin dërguar në Tiranë, por akoma nuk ka ardhur përgjigjia.

Sipas tij burimi i helmimit mund të ishte uji, ndërsa fajëson depozitat. “Depozitat e ujit aty janë jashtë çdo kushti higjeno-sanitar”, tha ai, por shtoi edhe se në Laç rezulton se uji është i ndotur.

Burime zyrtare nga Ujësjellësi i Kurbinit bëjnë me dije se shkak i helmimit nuk është ujsjellesi, por depozitat e vetë banorëve të këtij pallati të cilat janë jashtë çdo kushti higjeno-sanitar. E vetmja masë që është marrë deri më tani është vendosja e një njoftimi në hyrje të pallatit ku ju kërkohet banorëve që mos ta konsumojnë ujin.