Ekspertët shprehen se zgjerimi i hendekut gjinor të pagave, një treg pune i ndarë dhe diskriminimi po pengojnë progresin e grave në tregun e punës në Moldavi.
Ashtu si shumë gra të tjera në Moldavi, 30-vjeçarja Mariana po has vështirësi për të gjetur një punë të mirë pavarësisht nivelit të lartë të arsimit.
Perspektivat e saj janë edhe të vështira pasi ajo ka një fëmijë, dhe shumica e kompanive hezitojnë të punësojnë nëna.
“Kam qenë në disa intervista gjatë muajve të fundit dhe punëdhënësit më kanë thënë hapur se nuk janë të interesuar për një grua që ka një fëmijë në kopsht, e cila mund të duhet të qëndrojë në shtëpi nëse fëmijët e saj sëmuren,” tha Marian BIRN me fytyrën e zymtë.
Ekspertët thonë se qasja e limituar e grave në vende pune apo ngritje në detyrë brenda kompanive pasqyron faktin se gratë në Moldavi tradicionalisht qëndrojnë në shtëpi dhe rrisin fëmijët e tyre deri në moshën tre vjeçare, sepse shërbimet shtetërore të kujdesit për fëmijët dhe kopshtet i marrin fëmijë vetëm pas kësaj moshe.
“Ne kemi vetëm një ose dy çerdhe në Kishinau dhe gjithashtu disa çerdhe private që marrin fëmijë mbi 18 muajsh ose dy vjeç,” tha Catinca Mardarovici, kryetare e Platformës për Barazi Gjinore 50/50, në Moldavi për BIRN.
Por çerdhet private nuk janë të lira. Ato kushtojnë rreth 4.000 lei (200 euro) në muaj. Paga mesatare në Moldavi është pak më shumë, rreth 5.600 lei (280 euro) në muaj.
Mungesa e çerdheve i pengon gratë që kërkojnë punë. “Nëse një grua ka një fëmijë në parashkollor, ajo duhet të shkojë ta marrë më herët nga kopshti dhe kjo e bën atë më pak efikase në punë,” tha Mardarovic.
Mariana pajtohet me këtë. “Në Moldavi, është zakon ta regjistrosh fëmijën në kopsht menjëherë pas lindjes, përndryshe rrezikon që ata të mos e lejojnë fëmijën tënd të shkojë në kopsht, madje as në moshën tre vjeçare,” tha ajo.
Por Mariana shton se duhet të kesh gjithashtu “njohje” ose të paguash nën dorë që të jesh e sigurt që fëmija yt do të hyjë në një kopsht shtetëror.
Rritja e hendekut të pagave
Një studim i kohëve të fundit i publikuar nga Qendra e Partneritetit për Zhvillim ndërkohë tregon se hendeku midis pagave mesatare të burrave dhe grave në Moldavi është në rritje.
Studimi tregoi se nga viti 2012 deri në vitin 2016, mospërputhjet u rritën nga 12.9 për qind në 14.5 për qind.
Në vitin 2016, një grua moldave humbi mesatarisht 11,417 lei (rreth 570 euro) për shkak të këtij paragjykimi.
“Ne kemi vënë re se hendeku i pagave po rritet,” tha për BIRN analistja politike Natalia Covrig, e cila kontribuoi në studim.
Në disa sektorë, thuhet në raport, hendeku është rritur ndjeshëm në krahasim me vitin 2014: 10.53 për qind në industrinë e IT, 16.6 për qind në sektorin e transaksioneve financiare, 12.12 për qind në transportin ajror dhe me 11.31 për qind në sektorin e siguracioneve.
Ekspertët shprehen se humbjet vjetore financiare të grave mund të arrijnë në 87,753 lei në industrinë e IT dhe 74,024 lei në rastin e transaksioneve financiare.
Nënpërfaqësimi i grave në postet më të larta në kompani është vënë re gjithashtu edhe në studimin e Qendrës së Partneritetit për Zhvillim.
“Studimet tregojnë se disa sektorë konsiderohen si ‘mashkullorë’. Në sektorë të tillë, gratë kanë më pak qasje në postet drejtuese, që mund të jetë një arsye për këto mospërputhje dhe pse gratë janë më pak të përfaqësuara në postet drejtuese,” tha Covrig.
Afaristet në Moldavi thonë se barazia gjinore në aspektin e pagave duhet të miratohet më me kujdes nga politikat shtetërore, për të krijuar një mjedis pune më të barabartë.
Mardarovici mendon gjithashtu se si gratë ashtu edhe burrat ndikohen nga stereotipet gjinore dhe kështu zgjedhin fusha të ndryshme për të punuar. Mundësitë që gratë të të punojnë në punë me paga më të larta ulen nga një mentalitet i vjetër dhe një kulturë shoqërore që i cakton ato në punë “të buta”.
“Më shumë se 80 për qind e grave punojnë në fusha sociale si arsim, shëndetësi, punë sociale, ku pagat janë më të ulëta,” theksoi Mardarovici.
Studimi tregon gjithashtu se gratë janë më pak të informuara për pagat në tregun e punës dhe se peshoreve të pagave u mungon transparenca.
“Në sektorë më teknikë, gratë e gjejnë veten më shumë në fund të piramidës. Studimi ynë tregon se gratë po negociojnë për paga më të ulëta sesa burrat sepse paga mesatare për pozicionin nuk dihet,” theksoi Covrig.
Ajo tha se Moldavia ka gjithashtu një problem edhe me klasifikimin e vendeve të punës, gjë që nuk i referohet “punës me vlerë të barabartë, vetëm punës së barabartë”.
Legjislacioni më i mirë për këtë është aktualisht në progres. Por Mardarovici paralajmëron se, në Moldavi, legjislacioni dhe politika duken mirë vetëm në letër.
“Dokumentet janë të shkruara shumë mirë, ndonjëherë kopjohen nga legjislacioni rumun ose përkthehen nga legjislacioni i BE-së, por shpesh ato janë të vështira për t’u vënë në praktikë,” tha ajo.
Studimi gjithashtu ngre ndërgjegjësimin për hendekun mes burrave dhe grave kur vjen fjala te pensionet. Në nivel kombëtar, diferenca midis pensioneve të burrave dhe grave varionte nga 16.26 për qind në vitin 2012 në 18.08 për qind në vitin 2016.
Në vitin 2016, një grua në pension merrte 3.236 (160 euro) lei më pak se një burrë në pension.
Në nivelin e komunës Kishinau, situata është akoma më e theksuar, me një mospërputhje vjetore prej 7,262 leish.
Sipas një liste ankesash të vitit 2016 të pranuar nga Këshilli për Parandalimin dhe Eliminimin e Diskriminimit dhe Sigurimit të Barazisë në Moldavi, kriteri i parë për diskriminim ishte aftësia e kufizuar, gjinia ishte e dyta, gjuha e folur ishte e treta dhe etnia/raca ishte në vendin e katërt.
“Gjatë vitit të fundit situata ka ndryshuar. Tani kriteri i moshës është në vendin e tretë. Që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në legjislacionin e pensioneve, numri i ankesave është rritur, sepse ligji është i ri dhe ka akoma më shumë mangësi,” tha për BIRN kryetari i Këshillit për Parandalimin dhe Eliminimin e Diskriminimit dhe Sigurimit të Barazisë në Moldavi, Ian Feldman.
Ai përmendi një shembull tipik të diskriminimit nga kompania shtetërore e transportit ajror të Moldavisë, e cila punëson stjuardesa me kontratë pune një vjeçare, ndërsa burrat marrin kontrata për pesë vjet.
“Nëse gratë ngelin shtatzënë, ato nuk mund ta zgjasin kontratën e tyre të punës dhe kompania mund të os respektojë detyrimet për lejen e lindjes,” theksoi ai, duke shtuar se këshilli i tij kishte nisur0 një padi kundër linjës ajrore shtetërore.
Nga ana tjetër, Feldman dha një shembull të një burri që mori lejen e lindjes dhe u pushua nga puna nga një bankë e madhe në Moldavi dhe më pas paraqiti një ankesë në Këshillin për Parandalim dhe Eliminim të Diskriminimit.
Ai beson se në Moldavi institucionet shtetërore janë më të prirura ndaj diskriminimit sesa kompanitë private.
Feldman theksoi gjithashtu theksoi se institucioni i tij ka pak fuqi reale për të ndrequr diskriminimin. Edhe nëse ai lëshon ndonjë gjobë, procedurat gjyqësore duan shumë kohë dhe pas një viti gjobat anulohen.