Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me dije se po kryeheshin veprime hetimore lidhur me një procedim penal për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pasiv. Prokurori Çoçoli tha se nuk ishte në dijeni nëse ndaj tij kishte hetime.
Një prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër është shoqëruar dhe marrë në pyetje nga kolegë të Krimeve të Rënda të cilët po hetojnë në lidhje me dyshimet për korrupsion. Zyrtarisht Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri me dije se po kryeheshin veprime hetimore lidhur me një procedim penal për akuzat e korrupsionit aktiv dhe pasiv, por nuk ishte kërkuar masë sigurie për prokurorin e Gjirokastrës Spartak Çoçoli.
Çoçoli mësohet se u shoqërua në policinë e Gjirokastrës ku është marrë në pyetje për llogari të procedimit penal Nr. 08/2019. Prokuroria nuk bëri me dije nëse Çoçoli pyetej si person në hetim, por njoftoi se çështja penale kishte të bënte me korrupsion pasiv dhe aktiv të gjykatësit ose prokurorit e parashikuar “nga nenet 319 dhe 319/ç” të Kodit Penal.
I pyetur nga BIRN rreth këtij hetimi, prokurori Spartak Çoçoli përsëriti disa herë se nuk kishte dijeni. “Siç e shikoni unë jam në punë dhe ato që janë thënë janë të pavërteta”, tha Çoçoli.
Çoçoli ishte denoncuar më parë publikisht nga familja e një vajze të larguar nga shtëpia se kishte favorizuar personin që ata e akuzonin për rrëmbim. BIRN po ashtu mësoi nga burime pranë policisë se procedimi i ri ishte i lidhur me lirimin e një makine të sekuestruar.