Lajm12 Oct 2021

Hetime të paplota: Gjykata i kthen SPAK dosjen e Bashkim Dedjes

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka konstatuar akte të papërdorshme në dosjen hetimore të dorëzuar për gjykim nga SPAK në ngarkim të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i cili akuzohet për fshehje pasurie.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Ish-reu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Foto nga : LSA

Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi të martën kërkesën e SPAK për kalimin në gjyq të çështjes së ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, i akuzuar për fshehje pasurie.

Gjyqtari i seancës paraprake, Erjon Bani ka vendosur rikthimin e çështjes në SPAK për plotësim hetimesh.

“U vendos të plotësohen hetimet. Janë bërë të papërdorshme disa akte,” i tha BIRN koordinatorja për të drejtën e informimit, Dinora Aleksi. Rikthimi i çështjes për plotësim të hetimeve u konfirmua edhe nga koordinatorja për marrëdhënien me median pranë SPAK, Xhuljeta Krasta.

Përfaqësuesja ligjore e Dedjas, avokatja Antoneta Sevdari pohoi për BIRN se ata kishin konstatuar se akti i ekspertimit për pasuritë është i papërdorshëm, pasi nuk është kyer nga auditues ligjorë, por nga ekspertë kontabël.

“Ekspertët duhet të jenë auditues ligjorë dhe të regjistruar në regjistrin elektronik të Ministrisë së Drejtësisë,” sqaroi Sevdari dhe shtoi se kishin kërkuar më parë kryerjen e një ekspertimi të ri të pasurisë.

Veç Dedjas, SPAK nisi procedim penal edhe për ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo duke e akuzuar për deklarim të rremë.

Hetimet për dy ish-gjyqtarët e shkarkuar nga vetingu nisën nga SPAK në maj të vitit 2020, pas dyshimeve se ata kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme.

Në prill të këtij viti, SPAK siguroi në Gjykatën e Posaçme urdhra sekuestroje për një dyqan prej 172 metrash katrorë në pronësi të Lulos dhe një shtëpi me sipërfaqe 60 metra katrorë në Golem në pronësi të Dedjas. Në të njëjtën kohë, SPAK sekuestroi gjithashtu një karburant në Vlorë në pronësinë e ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi dhe dy prona në emër të babait të tij.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja e kaloi shkallën e parë të vetingut, por u rrëzua nga një vendim i Kolegjit të Posaçëm i Apelimit, KPA që e lidhi këtë subjekt rivlerësimi përmes një kontrate me OSHEE, me një apartament në Golem, që pretendohej se ishte i vëllait.