Lajm28 Apr 2021

Hetimi i KPA-së për Kastriot Selitën nuk sjell ndryshime në qëndrimet e palëve

Komisioneri Publik parashtroi pjesërisht mbi aktet e administruara nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit në funksion të ankimit dhe 12 denoncimeve të reja dhe u shpreh se u qëndron të gjitha shkaqeve. Gjyqtari Selita deklaroi se në kushtet kur Komisioneri u qëndron shkaqeve edhe për fakte që janë të provuara, është i gatshëm për kryerjen e një hetimi në një nivel më të lartë provueshmërie.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Kryetari i Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita në KPA. Foto: Vladimir Karaj.

Komisioneri Publik paraqiti parashtrime të pjesshme të mërkurën lidhur me aktet e administruara nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA në funksion të shkaqeve të ankimit ndaj konfirmimit në detyrë të kreut të Gjykatës Administrative të Apelit, Kastriot Selita, si dhe për 12 denoncimet e reja nga publiku të mbërritura pas përfundimit të procesit në shkallën e parë të vetingut.

Edhe gjyqtari Selita paraqiti parashtrime të përmbledhura, duke i kundërshtuar konstatimet e komisionerit, Florian Ballhysa për konflikt të mundshëm të interesit në gjykimin e dy çështjeve; për provueshmërinë e bashkëpunimit të bashkëshortes me një fondacion dhe për vlerat e pronave të vjehrrit që kanë shërbyer si burim për krijimin e pasurive të tjera.

Kastriot Selita, i cili drejton Gjykatën Administrative të Apelit prej vitit 2013 u konfirmua në detyrë nga KPK në qershor 2019 me votat e Brunilda Bekteshit dhe Lulzim Hamitajt, ndërkohë që kryesuesi Olsi Komici votoi për shkarkimin.

KPA vendosi më 1 prill të çelë hetimin gjyqësor për Selitën si dhe të hetojë mbi 12 denoncimet e reja. Komisioneri Publik i kërkoi KPA-së të rihetojë deklarimet e subjektit dhe të personave të lidhur, si dhe të kryejë një analizë të re financiare me qëllim justifikimin e burimit të ligjshëm të pasurive që zotëron. Ndërsa lidhur me vlerësimin e aftësive profesionale, ku përfshihen edhe rastet e konfliktit të interesit, komisioneri Ballhysa e konsideron të cënueshëm vendimin e KPK-së për Selitën.

Komisioneri Ballhysa shpjegoi në fillim të seancës të mërkurën se nuk kishte arritur t’i shqyrtonte të gjithë dokumentet e mbërritura nga Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit Administrativ, gjykatat administrative të shkallës së parë, Durrës, Vlorë e Tiranë si dhe nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, AShK që, sipas tij, në total përbëheshin nga 2600 faqe. Por, ai u shpreh i gatshëm të paraqiste parashtrimet e tij për ato akte me të cilat ishte njohur.

Ballhysa pohoi se nga sa ishte njohur me aktet e administratura prej Kolegjit, u qëndronte të gjitha shkaqeve të ankimit.

Ai evidentoi se në dy raste, gjyqtari Selita kishte hequr dorë disa muaj me vonesë nga shqyrtimi i çështjeve ku rezultotne që aktet të ishin nënshkruar prej bashkëshortes së tij.

Gjyqtari Selita e kundërshtoi këtë konstatim duke u shprehur se kishte hequr dorë sapo ishte njohur me aktin. “Faktet mësohen kur konstatohen, gjatë studimit të dosjes, apo edhe më vonë”, tha Selita dhe shpjegoi se e rëndësishme ishte mosmarrja pjesë në vendimarrje. “Qëndrimi i Komisionerit është i pabazuar, në asnjë kontekst ligjor”, tha ai.

Ballhysa vijoi se prej akteve të dërguara nga një bankë e nivelit të dytë të kërkuar nga Kolegji për të konkluduar mbi pretendimin e Selitës se bashkëshortja e tij kishte bashkëpunuar me një fondacion dhe kishte përfituar të ardhura të ligjshme nga një kontratë konsulence, nuk provohej ndonjë gjë e re. “Ndryshe nga sa pretendon subjekti i rivlerësimit nuk ka asnjë transaksion të kryer nga bashkëshortja e tij”, pohoi Ballhysa.

Selita tha se nuk ishte në dijeni se çfarë kishte kërkuar konkretisht Kolegji nga banka “Intesa Sanpaolo” dhe shtoi se nisur nga sa parashtroi Komisioneri Publik, aktet e dorëzuara nga kjo bankë konfirmonin atë çfarë ai kishte deklaruar. Ai theksoi se kishte deklaruar se deri në vitin 2002 veprimet ishin kryer nga drejtori i fondacionit dhe se pas vitit 2003 ishin kryer transaksione edhe prej bashkëshortes së tij. “Nëse Kolegji kërkon një nivel më të lartë provueshmërie, atëherë jam i gatshëm të vazhdoj të siguroj prova të tjera”, tha Selita.

Komisioneri konstatoi se bazuar në dokumentet e dërguara nga ASHK, vlera e shtëpisë së vjehrrit të subjektit e regjistruar në vitin 2006 së bashku me truallin 600 mijë lekë, ishte përllogaritur 7.8 milionë lekë.

Në ankim, Ballhysa evidenton se objekti është vlerësuar me 3 vlera të ndryshme nga KPK, por në analizën financiare është përfshirë vlera më e ulët prej 4.7 milionë lekësh.

Selita tha se në atë periudhë ishte kuptuar se deklarimi i vlerës së pasurive duhej të kryhej me million lekë. Ai sqaroi se vlera e tokës 0.66 milion lekë e shënuar nga vjehrri A. K. në deklaratë ishte pasqyruar në mënyrë të pasaktë. Sipas Selitës, vlera ishte ajo e pasqyruar në kontratë, në shumën 600 mijë lekë.

Ai parashtroi edhe lidhur me vlerën e shpenzuar për shtëpinë private të ndërtuar nga familja e bashkëshortes, çmimi i shitjes së të cilës ka shërbyer si burim për krijimin e pasurive, pasi bashkëshortja ka përfituar pjesë takuese.

Selita vijoi se deklarimi i A.K. në vitin 2003 i referohet preventivit të shpenzimeve për shtëpinë në shumën më shumën 4.7 milionë lekë dhe shpenzimeve 250 mijë lekë për projektet elektrike. Selita theksoi se në vitin 2006 është deklaruar se vlera ka qenë 5 milionë lekë.

Subjekti tha se ishte deklaruar gabim edhe vlera për një automjet tip Ford Fiesta, pasi ishte shënuar 0,4 milionë lekë, ndërkohë që duhej të ishte shënuar 0,04 milion lekë.

Selita u ndal në mënyrën e deklarimit të pjesës takuese nga vjehrri i tij. Sipas subjektit, babai i bashkëshortes kishte deklaruar duke ju referuar faktit se ishte kryefamiljar. “Edhe për autoveturën ka deklaruar se e zotëronte 100%, por ajo zotërohej tërësisht prej vajzës”, pohoi Selita dhe tha se u qëndronte të gjitha parashtrimeve të mëparshme për pasurinë.

Komisioneri solli në vëmendje edhe vendime për çështje të ngjashme ku subjekti i rivlerësimit ka disponuar me zgjidhje të ndryshme. Sipas Ballhyës, aktet e çështjeve të administruara së fundmi nuk sillnin ndonjë ndryshim lidhur me shkaqet e ankimit.

Selita u shpreh në seancë se kërkimet kanë qenë të ndryshme dhe për këtë arsye është dhënë zgjidhje e ndryshme.

Subjekti u pyet në fund të seancës nga kryesuesja e trupit gjykues Albana Shtylla dhe relatorja Ina Rama lidhur me mënyrën e përllogaritjes së të ardhurave dhe shpenzimeve të vjehrrit për periudhën 1997-1999. Ai tha se nëse do të duhej të ishte ai i pari që të jepte qëndrim, ishte i gatshëm ta krynte këtë gjë në ditët në vazhdim.

“Përderisa Komisioneri Publik u qëndron shkaqeve të ankimit edhe për fakte të provuara, edhe unë i qëndroj parashtrimeve dhe jam i gatshëm për kryerjen e hetimit në një nivel tjetër provueshmërie”, pohoi Selita.

Pasi trupi gjykues i kryesuar nga Albana Shtylla, me relatore Ina Ramën dhe anëtarë Sokol Çomon, Natasha Mulajn dhe Rezarta Schuetz u tërhoq, vendosi të shtyjë seancën për më datë 19 maj, ora 10:00 dhe u kërkoi palëve të përgatisin konkluzionet përfundimtare.