Reportazh25 Jun 2019

Historianët amatorë në Durrës hedhin dritë mbi të shkuarën e harruar të qytetit

Një grusht intelektualësh me pasion historinë po hedhin dritë mbi të shkuarën e afërt të qytetit bregdetar duke gërmuar në arkivat e institucioneve publike, ato familjare dhe të sipërmarrjeve të mëdha industriale tashmë të mbyllura.  

Autor: Gëzim Kabashi BIRN Durrës
Printo

Kirurgu-ortoped Bashkim Habibi, njeherazi autor, Bashkim Habibi | Photo : Gëzim Kabashi

Detyra që iu dha nga eprorët me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë Dr. Bashkim Habibit, lidhej më shumë me pasionin për historinë se sa karrierën e tij të gjatë si kirurg-ortoped në Spitalin Rajonal të Durrësit.

Tre vjet më vonë, pas hulumtimesh të gjata në arkivat vendore dhe familjare të ish-punonjësve të spitalit, Habibi solli në dritë për botim një libër prej 500 faqesh, 1500 fotosh dhe dokumentesh që përshkruajnë rrugëtimin e sistemit shëndetësor në qytetin-port gjatë shekullit të fundit.

“Mu desh të punoja më shumë se 3 vjet së bashku me bashkëshorten mjeke, për të mbledhur materiale nga arkivat dhe familjarët e personelit që kishte kontribuar në sistemin spitalor të Durrësit,” kujton Habibi për botimin e tij të vitit 2015-të, të titulluar ‘Historiku i spitaleve të Durrësit”, të cilin ja ka dedikuar të bashkëshortes, Dezdemona.

Doktor Habibi nuk është durrsaku i vetëm më pasion për historinë. Ai bën pjesë në një grup të vogël intelektualësh lokal, që edhe pse nuk e kanë profesion, po përdorin me pasion arkivat vendore për të shkruar copëza nga historia e e qytetit.

Këto libra ‘historikë’, të cilët jo gjithmonë janë shkruar për lexuesin e gjerë, por gjejnë një audiencë në rritje mes studentëve shqiptarë që studiojnë në universitete evropiane dhe janë të interesuar të hulumtojnë të shkuarën e Durrësit.

Qyteti bregdetar i Durrësit, njëherazi porti më i madh i vendit, ka një histori të lashtë dhe një trashëgimi të pasur arkeologjike të shtresëzuar nën themelet e pallateve shumëkatëshe dhe argjilës së kodrave që e rrethojnë.

Por ndërsa për historinë antike të qytetit nuk mungon bibliografia nga autorë vendas dhe të huaj, zhvillimet shoqërore dhe profesionale gjatë shekullit të fundit nuk kanë marrë të njëjtën vëmendje.

Për të mbushur këtë hapësirë, intelektualë nga sfera të ndryshme, po i përdorin arkivat e qytetit por jo vetëm, për të hedhur dritë mbi të shkuarën e afërt dhe personalitetet e tij.

Dr. Lorenc Agalliu, shef departamenti në arkivën e Durrësit, shprehet se ky institucion ka shumë dokumente që dikur i përkisnin arkivave të ndërmarrjeve të madha industriale dhe fabrikave të qytetit.

“Në arkivë gjen mjaft të dhëna për ndërmarrje që nuk ekzistojnë më si Kantieri Detar, Flota Tregtare, ndërmarrjet e Gomë Plastikës, Uzina e Radio-Televizorëve, ajo Mekanike Bujqësore, apo fabrika e parë të prodhimit të cigareve në ballkan STAMLES, e themeluar në vitin 1924 – që të gjitha me vlera kombëtare të cilat meritojnë të kenë historikun e tyre,” tha ai.

Dr. Lorenc Agalliu, shef departamenti në akrivën e Durrësit | Foto : Gëzim Kabashi

Agalliu nënvizon se shumë nga hulumtuesit që i drejtohen arkivave vendore nuk janë profesionistë të fushës dhe ai bën thirrje që të gjejnë mbështetjen dhe mirëkuptimin e ekspertëve në zhvillim e pasionit të tyre.

“Ata duhen përkrahur për nismat e tyre, por në të njëjtën kohë duhen mbështetur edhe nga ekspertë të fushës,” tha Agalliu. “Nga ana tjetër autorët në shumë raste punojnë vetëm për pasion,” shtoi ai.

Shumica e autorë lokal mbështeten në kursimeve personale, rrjetin e tyre familjar dhe shoqëror për të mbuluar kostot e botimit të librave të tyre.

Mësuesi i merituar Dr. Astrit Hoxha është një prej tyre. Duke filluar në vitin 1995, ai ka botuar monografitë “Historiku i shkollave të mesme në Durrës” dhe “Historiku i shkollës “Naim Frashëri”, dy referencat të rëndësishme bibliografike për kërkues të interesuar në fushën e arsimit në këtë rreth.

Botimet e tij Hoxha i ka sjellë në jetë më mbështetjen financiare të familjarëve dhe ish-nxënësve. Të njëjtën rrugë ka zgjidhur edhe kolegu i tij Xhod Beja, i cili ka botuar disa libra kushtuar qytetit, pranisë së familjeve italiane para dhe pas luftës së dytë botërore, si dhe mbi zhvillimin ekonomik të Durrësit në të njëjtën periudhë.

Në raftet e bibliotekës së qytetit gjendet dhe një album fotografik i Durrësit në viteve 1930-1950, botuar me shpenzimet e autorit Aristidh Mima, që përmban gjithashtu foto personale dhe familjare.

Jo të gjithë botimet e kësaj kategorie gjejnë mbështetje financiare për tu botuar. Në Durrës ka edhe studiues e historianë të cilët për vite me radhë kanë përgatitur monografi dhe studime me vlerë për sektorë të ndryshëm, por që vazhdojnë të mbeten nëpër sirtarë, në kërkim të financuesve për botimin e tyre.

Studiuesi Halim Maloku, i cili ndërroi jetë katër vjet më parë, la pas disa dorëshkrime të pabotuara  pas një pune të gjatë kërkimore në arkivat lokale dhe kombëtare. “Historia e arsimit në Durrës”, “Prefektura e Durrësit, 1912-2012” dhe “Shënime të shkurtra për Arqipeshkvninë”, janë tekste që janë përgatitur kur Maloku ishte gjallë, por ende nuk e kanë parë dritën e botimit.

Teuta Dhima, specialiste e librit në bibliotekën e qytetit i vlerëson botimet e këtij karakteri, të cilat sipas saj janë kthyer në pika referimi edhe për studentët shqiptarë në universitetet e vendeve të ndryshme të Evropës.

“Ata parapëlqejnë të zgjedhin për diplomat e tyre tema që trajtojnë historinë e Shqipërisë, traditën zakonore, historikun e gjuhës, etnografisë dhe arkitekturës shqiptare,” shpjegon specialistja e bibliotekës, duke shtuar se “edhe pedagogët e huaj i mbështesin këto nisma”.

Specialistja e bibliotekës Durrës, Teuta Dhima, | Foto nga : Gëzim Kabashi

Sipas Dhimës botimet e historianëve amatorë jo gjithmonë janë pa gabime, por kjo nuk i zbeh vlerat e tyre.

“Ndodh që lexuesit e vëmendshëm gjejnë gabime në ndonjërin prej teksteve,” tha Teuta, e cila i konsideron vërejtjet si një rritje e vëmendjes ndaj historisë së qytetit. Ajo shtoi se ky lëmë botimesh historike duhet ripërtërirë në kohë dhe pasioni i autorëve të deritanishëm duhet të gjejë mbështetjen e institucioneve përfituese.

“Botime të kësaj natyre gjen shumë në bibliotekën e qytetit, por të vjen keq për  mungesën e plotë të vëmendjes nga institucionet të cilave u kushtohen këto botime,” tha ajo. “Sidoqoftë ato mbeten tekste mjaft të kërkuara, veçanërisht nga studentët e universiteteve vendase dhe të huaja,” përfundoi Dhima.