Lajm29 Mar 2018

Historiani Xhufi zemëron të mbijetuarit e kampit të komunizmit

Pëllumb Xhufi zemëroi studiuesit dhe pasardhësit e të mbijetuarve të një kampi famëkeq internimi duke pretenduar se kushtet atje ishin 'jo të këqija'.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Kjo foto e vitit 2003 tregon ceremoninë e rivarrimit të Prena dhe Dina Gjikola, dy vajzave që vdiqën gjatë një epidemie tifoje në vitin 1948 në kampin e internimit në Tepelenë. Nënat e tyre, Mrika dhe Gjela thanë se kërkimi për varret e tyre zgjati 15 vjet pas rënies së komunizmit. Foto kortezi: Fatbardha Saraçi. http://fatbardhasaraci.al/mobile/index.html#p=133

Pëllumb Xhufi, një ish politikan dhe historian më së shumti i njohur për punën e tij mbi historinë e Mesjetës shkaktoi tronditje të mërkurën në mbrëmje kur pretendoi se ka lexuar raporte të CIA-s që i vlerësonin kushtet në kampin e Tepelenës si “jo të këqija”.

Xhufi po i referohej një kampi famëkeq në Tepelenë, Shqipëria e jugut, ku mijëra njerëz, më së shumti gra e fëmijë, u izoluan nga regjimi komunist mes viteve 1945 dhe 1955 sepse ata ishin familjarë të “armiqve” të shtetit.

Të mbijetuarit kanë dëshmuar gjerësisht mbi kushtet çnjerëzore. Disa nga kujtimet e mbledhura nga studiuesit pas rënies së komunizmit tregojnë se si qindra fëmijë vdiqën si pasojë e mungesës së ushqimeve dhe ilaçeve.

Gjithsesi, në një debat televiziv mbi historinë në Ora Neës, Xhufi e mohoi haptazi këtë.

“Absolutisht jo!” tha ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje nëse ishte e vërtetë se rreth 300 fëmijë vdiqën.

“Kampi funksionoi si kazermë ushtarake deri në vitet -60. Ai qe ndërtuar nga italianët, ishte ndërtesë solide me tulla. Në dokument [e CIA-s] shkruhet se kushtet ishin ‘no bad’ jo të mira,” shtoi ai ndërsa pranoi e Tepelena ishte në thelb një kamp pune të detyruar.

Sipas Xhufit, është “banalitet” të krahasohet kampi me kampet e përqendrimit të Nazistëve.

Fatbardha Saraçi, një studiuese që ka mbledhur kujtimet e të mbijetuarve të regjimit komunist, përfshirë të nënave që humbën dy fëmijë të vegjël në kamp, i quajti komentet e Xhufit fyese dhe poshtëruese.

“Është fyerje, në veçanti tregohen të pashpirtë për jetët e njerëzve që vdiqën në burgje dhe në kampet e internimit dhe të punës dhe që s’iu nda asnjëherë lufta e klasave,” tha Saraçi për BIRN.

“Kushtet në kampin e Tepelenës ishin çnjerëzore. Në barraka të vogla gjendeshin qindra njërës që jetuan për vite, të interntuar pa gjyq dhe të përdorur në punë të rëndë në prerjen e pyjeve. Krimi i tyre i vetëm ishte se i përkisnin familjeve që komunistët i konsideronin “armiq’,” shtoi Saraçi.

Enriketa Pandelejmoni, një profesore e historisë në Universitetin e Tiranës, tha se një diskurs i tillë mbi vuajtjet dhe krimet është absurt.

“Mendoj se është kriminale. Çfarë do të thotë ‘kushtet ishin jo të këqija?’ Studimet mbi atë kamp dhe dëshmitë nga të mbijetuarit janë shumë të qarta. Në secilën prej gjashtë kazermave ngjesheshin 100 deri në 200 persona, të cilët flinin në dërrasa pa kushte higjenike. Ata duhej të mbijetonin me vetëm 500 gramë bukë në ditë,” tha ajo.

Shqipëria përjetoi një nga regjimet më të egra komuniste në Europën Lindore. Rreth 6 mijë njerëz u ekzekutuan nga një popullsi prej vetëm 1 milionë banorësh më 1945 ndërsa përgjatë 45 viteve të sundimit diktatorial kishte dhjetëramijëra të burgosur dhe të internuar, shumica e të cilëve përdoreshin si punë e lirë nëpër miniera, ndërtim dhe bujqësi.

Pavarësisht vuajtjeve, ka gjithashtu nostalgji mbi komunizmin, dhe ndryshe nga shumë vende të tjera të Europës Lindore, nuk ka pasur drejtësi për viktimat e regjimit komunist në Shqipëri.

“Shoh një dashje dhe një instrumentalizim të së shkuarës komuniste dhe një justifikim të krimeve, me ironira të tipit ‘ashtu ka qenë koha’. Ka ende ceremoni publike që legjitimojnë narrativa të bazuara në mite të kohës së komunizmit,” tha Pandelejmoni.

Sipas saj, vendi ka nevojë për ligj për de-komunistizimin si dhe hetimin dhe përndjekjen e krimeve, një proces që Shqipëria nuk e ka kryer.

Aktualisht shumë familje janë ende duke u përpjekur kundër kohës për të gjetur varret e të vrarëve, përfshirë atyre që vdiqën në kampin e Tepelenës.

“Ka pasur përpjekje sistemike për të fshirë gjurmët e krimeve,” tha Saraçi.

“Ka dëshmi që tregojnë se si viktimat u rivarrosën deri në tre herë dhe vendi i preferuar ishte pranë lumit,” tha ajo.

Shqipëria nuk ka nisur ende të kërkojë në mënyrë sistematike varret e atyre që vdiqën nëpër burgje apo u ekzekutuan dhe u varrosën nëpër varreza sekrete.