Blog22 Feb 2019

Holanda po i paguan njerëzit që të shkojnë me biçikletë në punë

Në Holandë ka më shumë biçikleta sesa njerëz dhe ato përdoren për pothuajse gjysmën e të gjitha udhëtimeve midis shtëpisë dhe punës vetëm në qytetin e Amsterdamit.

Autor: Sean Fleming Weforum
Printo

Foto ilustruese: Pixabay.

Nuk është habi që vendi me krenari e quan veten “kombi numër një për përdorimin e biçikletave” në botë.

Duke qenë një vend relativisht i sheshtë, padyshim që kjo i ndihmon njerëzit t’u hipin biçikletave të tyre. Po ashtu edhe zgjerimi i rrugëve dhe korsive për biçikleta që i mbajnë këto të fundit të ndara nga pjesa tjetër e trafikut. Por ka edhe një shtysë tjetër shumë pak të ditur që i bën holandezët të përdorin biçikletat e tyre.

Çdo kilometër i përshkuar me biçikletë mund t’ju bëjë të fitoni 0.22 dollarë, pa taksa, të cilat shkojnë direkt në xhepin tuaj. Kjo funksionon pak a shumë në të njëjtën mënyrë se si një person që nget e makinën e vet për qëllime biznesi është në gjendje të kërkojë një shumë fikse në lidhje me distancën e përshkuar me makinë. Por e vërteta është se përdoruesit e biçikletave mund të fitojnë para thjesht duke shkuar dhe duke u kthyer nga puna.

Holanda nuk është i vetmi vend që ofron stimuj financiarë për t’i nxjerrë njerëzit nga makinat e tyre dhe për të përdorur fuqinë pedaluese në vend të karburantit.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Skema Pedalo për në Punë operon sipas një modeli që i lejon punonjësit të marrin biçikleta dhe pajisje me zbritje nëpërmjet punëdhënësit të tyre. Punëdhënësi blen biçikletën dhe ia jep me qira atë punëmarrësit gjatë një periudhe të caktuar – zakonisht 12 muaj. Pagesat mujore zbriten nga të ardhurat bruto, që do të thotë një kursim efektiv prej 32% për taksën mbi të ardhurat të taksapaguesve. Ekziston gjithashtu një pagesë për kilometrazh e vënë në dispozicion për përdoruesit britanikë të biçikletave të cilët i përdorin biçikletat e tyre qëllime biznesi, ku një pagesë prej 0.26 dollarë për kilometër është në dispozicion për ata.

Një skemë e ngjashme për blerjen e biçikletës pa taksa që funksionon edhe në Holandë, si edhe në Belgjikë, ku një pagesë prej 0.26 dollarë për kilometër është në dispozicion për çiklistët.

Në vendin e vogël pa dalje në det të Luksemburgut, të vendosur midis Francës, Gjermanisë dhe Belgjikës, punonjësit mund të përfitojnë nga një zbritje tatimore prej 340 dollarësh që do të përdoret për të blerë një biçikletë. Ndërkohë, në Francë, ekziston një skemë rimbursimi për kilometër për çiklistët që do të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm. Ajo do të lejojë një pagesë pa taksa prej rreth 230 dollarë në vit për punonjësit publikë – bizneset private do të jenë në gjendje të dyfishojnë atë shumë nëse dëshirojnë.

Superfuqia tjetër pedaluese e Europës, Danimarka, nuk ofron aktualisht ndonjë nxitje tatimore për çiklistët, e megjithatë arrin të ketë çdo vit një rritje të personave që përdorin biçikletën, të paktën në kryeqytet, Kopenhagen.

Edhe në Shtetet e Bashkuara ka një sërë reduktimesh taksash për banorët e periferisë, duke përfshirë edhe një pagesë mujore prej 20 dollarësh për shpenzimet e përdorimit të biçikletës. Megjithatë, Dekreti i Reduktimit të Taksave dhe Vendeve të Punës i vitit 2017 i ndryshoi të gjitha këto dhe kostot e përdorimit të biçikletës nuk mund të zbriten nga paga para taksave, duke e bërë atë pak më të shtrenjtë për disa çiklistë amerikanë.

Marrë me autorizim nga Weforum.org.  The Netherlands is paying people to cycle to work