Gjykimi i krimeve të luftës, tensionet etnike, kërcënimet ndaj gazetarëve dhe të drejtat e pakicave dhe emigrantëve vazhdojnë të mbeten problemet kyçe në fushën e të drejtave të njeriut në Ballkan, theksoi Raporti Botëror 2019 i Human Rights Watch.
Human Rights Watch, HRW, tha në raportin e saj botëror 2019, të publikuar të enjten, se vendet e Ballkanit vitin e kaluar bënë një progres modest në fushën e të drejtave të njeriut, duke përmendur mungesën e mbështetjes për gjykimin e krimeve të luftës dhe çështje të tjera.
Megjithatë, pamja globale ishte e përzier. “Në disa mënyra kjo është një periudhë e errët për të drejtat e njeriut. Megjithatë, ndërkohë që autokratët dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut mund të dalin në titujt kryesorë të lajmeve, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit gjithashtu po fitojnë forcë,” shkroi në një ese të përfshirë në raport drejtori ekzekutiv i HRW, Kenneth Roth.
Raporti Botëror i HRW 2019 përmbledh çështjet kyçe të të drejtave të njeriut në më shumë se 90 vende dhe territore në mbarë botën, duke u mbështetur në ngjarjet nga fundi i vitit 2017 deri në nëntor 2018.
Bosnja dhe Hercegovina
Bosnja bëri shumë pak progres në vitin 2018 përsa i takon zgjidhjes së problemeve afatgjata të të drejtave të njeriut, tha raporti.
Rastet e krimeve të luftës zgjidhen me ritme të ngadalta, ndërsa një Strategji e rishikuar Kombëtare për Përpunimin e Krimeve të Luftës ka që në shkurt të vitit 2018 që pret miratimin nga Këshilli i Ministrave, qeveria.
Anëtarët e pakicave kombëtare mbetën të papërshtatshëm për të kandiduar për presidencën në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2018 për shkak të mos ndryshimit të dispozitave diskriminuese në kushtetutë.
Gjithashtu, autoritetet nuk ofruan as mbështetje minimale për mijëra azilkërkues dhe emigrantë që mbërritën në vitin 2018, tha raporti.
Gazetarët përballen me kërcënime dhe ndërhyrje në punën e tyre, dhe edhe pse disa raste janë hetuar nga policia dhe i janë dorëzuar Zyrës së Prokurorisë, askush nuk është dënuar për sulme ndaj gazetarëve në kohën e shkrimit të raportit.
Kroacia
Midis janarit dhe shtatorit 2018, pati 14 raste krimesh luftës përpara gjykatave në Kroaci. Në të njëjtën periudhë, gjykatat dënuan vetëm katër persona për krime lufte dhe gjykimi i çështjeve të tjera vazhdoi ngadalë.
HRW theksoi akuzat se që nga janari rreth 2,500 azilkërkues dhe emigrantë ishin kthyer nga policia kroate në Bosnjë dhe Hercegovinë, qindra raste refuzimi të qasjes në procedurat e azilit dhe mbi 700 akuza për dhunë dhe vjedhje nga ana e policisë.
Një dekadë pasi Kroacia ratifikoi Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD), mijëra të rritur dhe fëmijë me aftësi të kufizuara mbeten të bllokuar në institucione të ndara.
Raporti vëren se një studim i financuar nga qeveria i publikuar në korrik zbuloi se pothuajse të gjithë romët në vend jetojnë në varfëri dhe më pak se një e treta e përfundojnë shkollën fillore.
Raporti vuri në dukje një fushatë që filloi në maj për një referendum publik për të reduktuar numrin e vendeve për serbët etnikë në parlament dhe për t'i kufizuar ata nga votimi mbi buxhetin dhe formimi i qeverisë, gjë që ka alarmuar liderët e komunitetit serb dhe OJQ-të.
Kosova
Progresi në përmirësimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Kosovë ishte i ngadaltë gjatë vitit, tha raporti i HRW.
Liderët serbë dhe të Kosovës në gusht njoftuan një plan polemik për të ndryshuar kufijtë e tyre, gjë që shkaktoi shqetësime rreth pasojave të të drejtave të njeriut nga transferimet e popullsisë që mund të kërkohen sipas planit.
Tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës vazhduan, sidomos në veri. Komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane të Ballkanit vazhdojnë të përballen me diskriminim.
Funksionimi i Gjykatës Speciale të krijuar për të gjykuar krimet serioze të luftës të kryera gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë u vonua për shkak të një ndryshimi të prokurorit të specializuar.
Gazetarët u përballën me kërcënime dhe kanosje dhe gjykimet e krimeve kundër gazetarëve ishin të ngadalta.
Serbia
Në Serbi, progresi në gjykimin e krimeve të luftës qe i ngadaltë dhe i mungonte mbështetja politike dhe burime adekuate, ndërsa mekanizmat e mbështetjes së dëshmitarëve ishin të dobëta, tha raporti.
“Pak zyrtarë të lartë të përfshirë në abuzime serioze gjatë kohës së luftës janë deklaruar përgjegjës në gjykatat serbe,” sipas HRW.
Raporti tha gjithashtu se sistemi i azilit vazhdonte të ishte i çalë dhe kushtet për azilkërkuesit nuk ishin përmirësuar.
Situata për gazetarët gjithashtu vazhdoi të ishte e pasigurt, duke përfshirë sulme, kërcënime dhe padi për ata që raportojnë çështje të ndjeshme, vuri në dukje raporti.