Lajm27 Jun 2019

Hungaria refuzon të ekstradojë Gruevskin në Maqedoninë e Veriut

Një gjykatë në Hungari të enjten refuzoi të ekstradojë ish-kryeministrin e kërkuar të Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, për t'u përballur me drejtësinë në vendin e tij ku duhet të kishte filluar të kryente dënimin e tij me dy vjet burg.

Autor: Sinisa Jakov Marusic BIRN Shkup
Printo

Nikola Gruevski. Foto: MIA

Një gjykatë në Hungari ka hedhur poshtë një kërkesë nga Maqedonia e Veriut për ekstradimin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski që të mund të fillojë të vuajë dënimin me dy vjet burg të dhënë për blerjen në mënyrë të paligjshme të një Mercedesi 580,000 euro në vitin 2012.

Maqedonia e Veriut gjithashtu kërkoi ekstradimin e tij si një nga organizatorët e dyshuar të sulmit të prillit 2017 në parlament, kur mbështetësit e partisë VMRO DPMNE sulmuan ndërtesën në Shkup dhe sulmuan deputetët e opozitës dhe gazetarët.

Edhe pse seanca gjyqësore në Budapest ishte e mbyllur, pamja e pazakonshme e Gruevskit teksa hynte në ndërtesë kapi vëmendjen e mediave. Ai u shfaq me pranga, të mbuluara nga xhaketa e tij, syze dielli dhe me një kapelë bejsbolli në kokë.

Pasi gjykatat në Maqedoninë e Veriut e gjetën Gruevskin fajtor për blerjen e paligjshme të një limuzine luksoze, ai duhet të raportonte për të filluar vuajtjen e dënimit të tij me dy vjet burg më 9 nëntor të vitit të kaluar. Ai nuk arriti ta bënte këtë, pasi ishte arratisur nga vendi.

Ai u arratis fillimisht në Shqipërinë fqinjë dhe më pas, me ndihmën e diplomatëve hungarezë, arriti në Budapest, ku ai aplikoi për azil. Ai e fitoi azilin, thuhet, se falë lidhjeve të tij të ngushta me kryeministrin hungarez, Viktor Orban.

Lideri i vjetër i partisë së djathtë VMRO DPMNE dhe kryeministër nga viti 2006 deri në vitin 2016 u akuzua gjerësisht për sjellje autoritare dhe nxitje të korrupsionit.

Ai pretendon se është viktimë e një sajese politike dhe pretendon se nëse ai do të qëndronte në vend dhe do të shkonte në burg, mund ta vrisnin.