Lajm7 Nov 2018

I dyshuari për aktivitet kriminale, ekzekutohet në atentat

Edison Harizaj i dënuar më herët për vrasje dhe për armëmbajtje pa leje, përmendet në një vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës si i përfshirë në zhdukjen e një të riu. Harizaj mbeti i vrarë në një atentat të martën në mbrëmje në Durrës, në të cilin u plagos Genci Caca.

Autor: Jerola Ziaj BIRN Vlorë
Printo

Foto ilustrative

Edison Harizaj, një 39-vjeçar nga Vlora, mbeti i vrarë gjatë një atentati mbrëmjen e të martës në rrugën Tiranë-Durrës. Policia njoftoi se veç Harizajt në atentat ishte plagosur rëndë një tjetër person i identifikuar si Genci Caca.

Policia nuk ka bërë me dije nëse ka apo jo persona të dyshuar për vrasjen, por Harizaj i cili është përmendur publikisht në lidhje me një sërë krimesh të rënda rezulton person me precedentë penalë. Në një vendim të Gjykatës së Apelit të Vlorës të cilin BIRN e disponon Harizaj përmendet nga një dëshmitarë si “personi që kishte urdhëruar” rrëmbimin në verë të këtij viti të një të riu nga Vlora.

Është e paqartë nëse viktima (Harizaj) ishte në hetim sa i përket zhdukjeve dhe nëse dëshmitë e referuar në masën e sigurisë ndaj një personi të tretë që është lënë i lirë nga Gjykata e Apelit në Vlorë, ishin verifikuar nga policia.

Sipas dëshmisë së dhënë në vendim Harizaj ishte urdhërues për zhdukjen Albano Xhaferrit në qershor të këtij viti. Aty përmenden emrat e tre personave të cilët sipas dëshmitarit kishin dërguar viktimën në ambjentet ne pronësi të Harizajt.

Xhaferri është një nga rreth 19 personat që dyshohen të zhdukur në tre vitet e fundit në Vlorë. Të afërm të tij kanë dëshmuar se i zhdukuri është thirrur nga persona të panjohur dhe është larguar me ta e nuk është kthyer me në shtëpi. Xhaferri sipas prindërve kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Belgjika.

Në vendimin e gjykatës dëshmitari citohet po ashtu ta ketë lidhur zhdukjen e Xhaferrit me një atentat të ndodhur në Vlorë në tetor të vitit 2017 ku mbetën të plagosur dy persona, megjithatë në vendim nuk jepen të dhëna nëse prokuroria apo policia i kishin verifikuar dëshmitë.

Po ashtu gjykata konsideroi se kishte mungesë provash duke lënë me masë “detyrim paraqitje” dhe sekuestrim pasaporte, ndaj personit që ishte ndaluar për moskallëzim krimi dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.

Një investigim i mëparshëm i BIRN gjeti se në dy vjet në Vlorë ishin zhdukur 13 persona, një pjesë e të cilëve edhe sipas të afërmve ishin të përfshirë në trasportin e narkotikëve drejt Italisë. Pas Xhaferrit po ashtu u zhduk një person tjetër i identifikuar si Ervis Troqe, i cili sipas dëshmisë së babait të Xhaferrit, kishte jetuar bashkë me të në Belgjikë.

Ndërkohë Harizaj ishte dënuar më herët për vrasje në vitin 2004, ndërsa u lirua nga burgu me kusht në vitin 2010 nga Gjykata e Krujës ndërsa kishte sipas vendimit edhe 1 vit e 8 muaj kohë burgimi të mbetur.

Ai po ashtu përmendet për lidhjet me Emiljano Shullazin i dënuar më herët për trafik narkotikësh dhe i akuzuar sëfundmi për “grup të strukturuar kriminal”. Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dënimin e tij me 17 vjet burg dhe po ashtu edhe dënimin e disa personave të tjerë të arrestuar me të. Avokati i Shullazit kërkoi pafajësi.

Harizaj sipas një vendimi të Gjykatës së Lezhës u dënua në vitin 2012 për “armëmbajtje pa leje” sëbashku me Shullazin. Të dy ishin arrestuar në Korrik të atij viti dhe u liruan një vit më vonë pasi plotësuan dënimin me afatet e paraburgimit, ndërsa çështja të cilën e kishin apeluar u pushua.