Blog7 Nov 2016

I kërkoj falje kujtdo që u largua!

Duke kthyer shikimin pas në krenarinë e dikurshme të atyre që i qëndruan besnikë atdheut të përfshirë nga lufta në Ballkan, Emela Burdzoviç pranon më në fund se kupton dëshirën për të qenë të lumtur të emigrantëve të cilët e kanë arritur kënaqësinë në vende të tjera të botës.

Autor: Emela Burdzovic
Printo

Sarajeva. Foto: Clark dhe Kim Kays/Flickr

Sarajeva. Foto: Clark dhe Kim Kays/Flickr

Njerëzit që u larguan nga lufta në Bosnje ndonjëherë viheshin në siklet nga ata që qëndruan – por pasi jetova në realitetin stresues të postluftës, mendoj që mbase ata bënë zgjedhjen e duhur.

Në periudhën e pasluftës ne ishim të përçarë – përveçse mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve dhe të tjerëve, edhe mes atyre që u larguan gjatë luftës dhe atyre që qëndruan për të vuajtur në Bosnje.

Ne fëmijëve na pëlqente të bënim sikur ishte çështje zgjedhjeje, megjithëse ishim shumë të vegjël të pyeteshim nga prindërit tanë. Për fat të keq, shumë prej nesh nuk ishin shumë të vegjël për t’u pikasur nga një snajper dhe për t’u vrarë.

Ndaj unë isha shumë krenare për guximin tim në zgjedhjen për të qëndruar dhe vuajtur. Kur lufta më në fund përfundoi, ata që u kthyen në vend, kryesisht nga Gjermania, në sytë tanë nuk ishin shumë të fortë.

Na dukej shumë për të qeshur të mësonim si i thuhej “ku ishe ti gjatë luftës?” në gjermanisht dhe t’i provokonim ata duke i pyetur “Wo waren Sie während des Krieges?”

Më lejoni t’ju tregoj një episod të shkurtër nga gjimnazi.

Nuk do ta harroj kurrë shoqen e klasës Sanida, e cila një ditë u ngrit para të gjithëve ne, e lodhur nga provokimet tona, e kuqe në fytyrë dhe e lënduar e me zemërim na tha: “Ju nuk e keni idenë se sa e tmerrshme është ndjenja e të qenët refugjat!”

Sa keq. Asnjë empati, asnjë solidaritet, vetëm një valë 25 zërash të lartë, përfshirë timin që bërtitën: “Si guxon të ankohesh?”

Unë isha shumë e zemëruar atëherë, tani qesh me zemër sa herë që e kujtojmë. Dhe e kujtojmë shpesh, pa rënë ende dakord mbi këtë çështje, por shumë më të qeta. Ajo është një nga shoqet e mia të ngushta prej 20-vjetësh.

Shumë vite më pas, vazhdova ta ruaj atë krenari dhe patriotizëm, e vendosur të udhëtoja por të mos largohesha kurrë nga vendi.

Një brez i ri erdhi, ne në një farë mënyre reshtëm së ndari kohën dhe mendimet në periudhën para dhe pas luftës, por kishte ende disa prej nesh që besonin në “zgjedhjen” tonë heroike të qëndrimit të atëhershëm dhe të qëndrimit tani e përgjithmonë.

Kur takova bashkëshortin tim në fund të moshës 20-vjeçare, 15 vite pasi lufta mori fund, pyetja e parë ishte: “Ku ishe ti gjatë luftës?”

Në Gjermani, sigurisht. Një arsye e mirë për ta ngacmuar atë.

Gjatë gjithë këtyre viteve mund të na dëgjoje neve, të cilët nuk donim të largoheshim, teksa ankoheshim rreth qeverisë, mungesës së mundësive, vendeve të punës, jetës së gjallë të natës, dyqaneve – por pa e marrë kurrë në konsideratë mundësinë për t’u larguar. Jam lodhur aq shumë duke i prishur mendjen kujtdo që peshonte largimin, duke u dhënë asnjë arsye logjike tjetër përveç dashurisë për atdheun.

Pastaj papritur, katër vite më parë, Dida, një shoqe e mirë e imja, lajmëroi se po largohej me bashkëshortin. U shokova. Ajo ishte një nga ne që qëndruan atëherë dhe supozohej të qëndronim tani dhe përgjithmonë.

Ajo kishte një punë të mirë këtu dhe ai punonte gjithashtu. Të dy intelektualë që nuk kishin arsye tjetër përveçse më të madhes – ata nuk ishin të lumtur me mjedisin këtu.

Për mua, ai e kishte fajin. Si mund të ishin ata më të lumtur larg prindërve, larg të gjithëve ne, diku ku nuk i priste asnjë punë, ku nuk kishte nënë për t’i mbajtur fëmijët që do të bënin?

Ata u larguan gjithsesi. Ajo u bë një nga ata që largohen.

Në dy vitet e para, e vlerësova përpjekjen e saj të madhe për të gjetur një punë të mirë sepse kjo ishte provë që ajo kishte të drejtë.

Ndërkohë patëm zgjedhje zhgënjyese dy herë dhe u futëm gjithnjë e më në errësirë. Ajo lindi një Lenë të adhurueshme amerikane. Ata të dy gjetën punë të mira dhe unë kam ngecur këtu duke kontrolluar kush është boshnjak, kush është serb, kush kroat.

Papritur, disa njerëz filluan të aplikonin për punë jashtë vendit. Të gjithë të punësuar, me shtëpi dhe të arsimuar, por ende pa asnjë perspektivë të ardhshme për lumtur. Të tjerë u bënë të vendosur t’i dërgojnë fëmijët e tyre sapo të mbushnin 16 vjeç.

Për herë të parë, shkova në Dublin dhe si kurrë më parë, ndjeva një dëshirë për të marrë frymë në këtë afër të pastër. Zbulova se atje ishte një jetë që më kishte munguar gjithë kohës.

Nuk ekziston më lumturia e famshme e kthimit në shtëpi.

Një nga një, të palumturit vendosën të largohen. Kolegu i vëllait la punën në një institucion shtetëror dhe u zhvendos me familjen në SHBA. Edhe pse motra e tij u mërzit, ajo nuk kishte argumente të arsyeshme për t’i kërkuar atij të qëndrojë.

Kushëriri im shkoi në Australi, miku im i dashur Darko gjeti një punë në Gjermani. Dhe të gjithë këta në dy vitet e fundit. Herën e fundit që Darko erdhi për vizitë, kishte një buzëqeshje ngjitëse.

Nuk më duhej më shumë. Ne që qëndruam u bëmë veçse ata që ia bëjnë me dorë atyre që largohen për të qenë më të lumtur.

Dhe për herë të parë doja të isha në vend të tij.

Po, kam një punë këtu dhe po, kam një familje dhe shumë miq, por më mungon kjo ndjenjë e mrekullueshme e të jetuarit një jetë dhe perspektiva e një të ardhmeje. Më mungoj ajo ndjenjë që ke kur njerëzit rreth teje janë të lumtur.

Sot, qëndrojmë këtu dhe nuk shtiremi se e kemi zgjedhur. Është rezultat i rrethanave të pafat.

E pyeta Didën nëse ishte e lumtur. Pa u menduar ajo më tha: “Po, jam!”

Shpresoj që ajo të jetë duke e lexuar këtë blog të sinqertë që të mund t’i kërkoj falje që i fola për qëndrimin.

Ku ishe ti gjatë luftës? Në Bosnje.

Ku ishe ti ndërsa jeta të iku? Në Bosnje.

  • Kolec P. Traboini

    Sa shkrim i bukur e tronditës. E njëjta gjë dhe në Shqipëri. Po fundja e njëjta gjë si në të gjithë vendet me qeverisje të palumtur e me të ardhme zymtë.