Investigim3 Apr 2017

I mbytur në borxhe: Ujësjellësi i Kukësit i gëzohet shkëlqimit të rremë të çmimit ndërkombëtar

Ujësjellës-Kanalizime i Kukësit, një ndërmarrje me probleme dhe borxhe u shpall fitues i një trofeu për Menaxhim dhe Cilësi nga një organizatë me reputacion të dyshimtë, që zakonisht fiton mijëra euro nga biznesi i ‘certifikatave ndërkombëtare’.

Autor: Ivana Dervishi BIRN Tiranë
Printo

Drejtori i Ujësjellësit të Kukësit, Gëzim Shehu pranon certifikatën për Menaxhim dhe Cilësi për vitin 2016 të lëshuar nga një organizatë me reputacion të dyshimtë. Foto: Facebook

Drejtori i Ujësjellësit të Kukësit, Gëzim Shehu pranon certifikatën për Menaxhim dhe Cilësi për vitin 2016 të lëshuar nga një organizatë me reputacion të dyshimtë. Foto: Facebook

Më 20 mars, Ujësjellësi i Kukësit u shpall fitues i një trofeu ndërkombëtar për Menaxhim dhe Cilësi për vitin 2016, ndonëse noton mes bilanceve me humbje, bllokimit të llogarive bankare prej Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe ankesave të banorëve për probleme të furnizimit me ujë.

Në një ceremoni të organizuar në hotelin luksoz Meridien Etoile, rreth 4 km nga qendra e Parisit, një organizatë e quajtur Global Trade Leaders´ Club, GTLC me bazë në Madrid ia dorëzoi certifikatën dhe trofeun drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Kukës (UKK), Gëzim Shehu.

Më herët, lajmi se kishin fituar një çmim ndërkombëtar i kishte zënë në befasi drejtuesit e Ujësjellësit të Kukësit.

“UKK ka bilance negative, gjë që i është bërë e ditur që prej fillimit të komunikimit lidhjes së bizneseve në Madrid,” i tha BIRN përmes një bisede telefonike ndërmarrja e Kukësit.

Sh.a Ujësjellës Kanalizime Kukës zotërohet në 100 për qind nga Bashkia Kukës dhe përfaqësohet nga administratori Gëzim Shehu, si dhe nga anëtarët Albert Omuri, nënkryetar i bashkisë Kukës dhe sekretari i përgjithshëm i bashkisë, Bujar Muçmata.

Duke publikuar fotot nga ceremonia në faqen e vet në Facebook dhe në uebsajtin zyrtar, Bashkia u shpreh se çmimi është akorduar “…pas një monitorimi disa mujor nga Komiteti i Përzgjedhjes për Trofeun Ndërkombëtar të Cilësisë… në më shumë se 90 shtete të botës në 5 kontinente”.

Ndërsa Global Trade Leaders´ Club njoftoi në procesverbalin e eventit në Paris se “UKK ishte një nga 30 kompanitë që morën të njëjtin vlerësim.

Global Trade Leader’s Club, GTLC e prezanton veten si një organizatë e bizneseve të suksesshme me rreth 7500 anëtarë në 95 shtete të botës. Megjithatë, ajo është shenjestruar më parë si njëra prej “organizatave mashtruese” që shpërndajnë çmime të rreme për këdo që ofron të paguajë kuotat e saj të anëtarësimit.

Një investigim nga Qendra për Raportimin Investigativ në Serbi (CINS) dhe Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin (OCCRP) në vitin 2014 zbuloi kuotat e anëtarësimit të GTLC variojnë nga 2,000 deri në 7,000 euro.

Sipas investigimit, në një rast të ngjashëm me Ujësjellësin e Kukësit në Serbi, GTLC kërkoi 5600 euro në natën e dorëzimit të trofeut: 4180 euro për pjesëmarrjen dhe 1493 euro për akomodimin në ditën e ceremonisë.

Drejtori i Ujësjellësit të Kukësit, Gëzim Shehu pranon në Paris trofeun për Menaxhim dhe Cilësi për vitin 2016 të lëshuar nga një organizatë me reputacion të dyshimtë. Foto: Facebook

Drejtori i Ujësjellësit të Kukësit, Gëzim Shehu pranon në Paris trofeun për Menaxhim dhe Cilësi për vitin 2016 të lëshuar nga një organizatë me reputacion të dyshimtë. Foto: Facebook

I kontaktuar nga BIRN, drejtori i UKK, Gëzim Shehu u shpreh krenar për arritjen e ndërmarrjes që ai drejton prej një viti.

“Normalisht që do ta pranonim çmimin, pasi është një privilegj për ne dhe punën që kemi bërë deri tani,” tha ai.“Ne e kemi fituar çmimin për shërbimin dhe cilësinë e ujit që rrjedh nga mali,” shtoi Shehu.

UKK mohoi të ketë paguar për çmimin.

Biznesi i dhënies së çmimeve rezulton të jetë shumë fitimprurës. Organizata kryesisht me bazë në vendet e BE-së ua shesin çmimet e tyre në të shumtën e rasteve vendeve në zhvillim, përfshirë ato të Ballkanit, me qëllimin e vetëm të mburrjes. Ndërkohë, shumë kompani që kanë vlerësime pompoze kanë qenë në prag falimenti ose kanë falimentuar më pas.

E kontaktuar nga BIRN për çmimin e Ujësjellësit të Kukësit, GTLC u shpreh se certifikata dhe trofeu ishin një mjet marketingu dhe reklamimi; dhe se pavarësisht emrit ajo nuk ishte një certifikatë e vërtetë cilësie si ISO 9000 – e cila lidhet me standardet ndërkombëtare të cilësisë.

“[Certifikata] është një formë e njohjes dhe promovimit të kontratave dhe marrëdhënieve mes biznesmenëve në mbarë botën, dhe një mjet marketingu dhe publiciteti për të gjithë kompanitë e vlerësuara,” tha për BIRN Eduardo Manrique, menaxheri i marrëdhënieve ndërkombëtare të GTLC.

Shkëlqimi i përjetuar në natën e ndarjes së çmimeve në Paris është në kontrast të thellë me situatën e UKK në qytetin e Kukësit.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe drejtues të Shërbimit Mjedisor ankohen për probleme të furnizimit me ujë të pijshëm-vetëm 8 orë në ditë, apo ndotje të ujit nga ndërhyrjet e paautorizuara dhe mospastrimi i depozitave.

“Verën e kaluar u ngjit për herë të parë gjatë verës uji në katet e 5-ta të pallateve. Qyteti vazhdon të mos e paguajë ujin pothuajse fare, ndërkohë në verë uji përdoret për të vaditur tokat, pra ndërpritet nga ndërhyrjet e paligjshme,” i tha BIRN një aktivist nga Kukës.

“Siç dihet nga të gjithë, Kukësi furnizohet me ujë orar tepër të reduktuar, ndaj…mospastrimi i depozitave apo ekspozimi në diell është me rrezik dhe pasoja për konsumatorët e ujit,” u shpreh Nevion Halilaj, shef i Shërbimit Mjedisor në Drejtorinë e Higjienës dhe Epidemiologjisë.

Përveç problemeve të mësipërme, UKK përballet prej vitesh edhe me probleme të thella financiare, ndërkohë që bilancet e saj tregojnë se ndërmarrja është më humbje.

Në dy intervista të ndryshme gjatë vitit 2016, kryebashkiaku i Kukësit, Bashkim Shehu dhe Sekretari i Përgjithshëm, Bujar Muçmata janë shprehur se “UKK sh.a është i mbytur në borxhe”.

Pamje e përgjithshme nga qyteti i Kukësit ku dallohen depozitat e pallateve. Foto: BIRN

Pamje e përgjithshme nga qyteti i Kukësit ku dallohen depozitat e pallateve. Foto: BIRN

Ndërsa në prill 2016, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bllokoi të gjitha llogaritë bankare të Ujësjellës Kanalizime Kukës, për shkak të një borxhi të akumuluar në 9 vitet e fundit që e kalon shifrën 1 milionë eurove.

Ujësjellësi i Kukësit nuk është i vetmi institucion shqiptar që i është gëzuar shkëlqimit të rremë të çmimeve të dyshimta.

Në vitin 2014, BIRN zbuloi se Bashkia Kamëz pagoi mbi 10 mijë euro për çmime të ngjashme, që e shpallën bashkinë  modeste, kampione të praktikave më të mira Europiane për vitin 2014 dhe si qytetin më të mirë në Europë për të njëjtin vit.

Ftesa të ngjashme nëpërmjet emailit morën edhe Bashkitë e Pukës dhe Gramshit në vitin 2013 për t’i shpallur qytetet e tyre si “destinacione turistike botërore”, por kryebashkiakët qëndruan jashtë lojës për shkak se organizatorët kërkonin para.

  • elio

    Nuk eshte cmim eshte thjeshte nje “Dhurate” e blere shtrenjte…e konfeksionuar enkas per idiote..