Lajm17 May 2018

I riu vdes në qeli, familjarët akuzojnë policinë për dhunë

Një 27 vjeçar vdiq në ambjentet e Komisariatit të Korçës mëngjesin e së enjtes, por ndërsa policia e njoftoi vdekjen si natyrale bashkëshortja akuzoi se ndaj të ndjerit ishte përdorur dhunë, ndërsa dhjetra të afërm u mblodhën në protestë para Drejtorisë së Policisë në Korçë.

Autor: Dhorjela Çule BIRN Korçë
Printo

Të afërm të viktimës në protestë para policisë së Korçës. Foto:Dhorjela Çule

Prokuroria e Korçës njoftoi nisjen e hetimeve, ndërkohë që u thirrën ekspertë mjeko-ligjorë nga Tirana, pasi një 27-vjeçar u gjet i vdekur në qelitë e paraburgimit në Komisariatin e Korçës mëngjesin e të ejtes. Ndërkohë më herët dhjetra persona të afërm të viktimës u mblodhën në shenjë proteste para Drejtorisë së Policisë së Korçës dhe e akuzuan policinë se kishte ushtruar dhunë dhe shkaktuar vdekjen e të riut.

Enea Ftoj, baba i tre fëmijëve,  ishte arrestuar sipas policisë më 14 maj me akuzën e vjedhjes me dhunë, dhe duhej të dilte të ejten para gjykatës për masën e sigurisë, por në pritje të seancës të afërmve iu tha se ai ishte gjetur i vdekur në qeli.

Policia përmes një komunikate zyrtare njoftoi se: “Në dhomat e sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë, ka vdekur shtetasi Enea Ftoj, 27 vjeç, banues në Korçë, i arrestuar në datë 14.05.2018, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Sipas saj në trupin e të riut nuk kishte pasur shenja dhune, ndërsa njoftohet edhe se ai ishte përdorues droge. “Nga kqyrja e trupit nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga informacionet paraprake dyshohet se viktima, ka qenë përdorues i lëndëve narkotike”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të afërmit e viktimës nuk e besuan këtë version. Dhjetra persona u grumbulluan para Drejtorisë së Policisë Korçë duke akuzuar policinë për vrasje.

Bashkëshortja e viktimës Entela Ftoj foli për gazetarët gjatë protestës duke thënë se i shoqi ishte dhunuar dhe se ajo dyshonte se vdekja nuk ishte natyrale. “Bashkëshorti im është dhunuar në momentin e shoqërimit në polici. Dhuna është ushtruar nga tre efektivë në një zonë publike të qytetit ku ka edhe dëshmitarë”, tha Ftoj. Ajo tha se i shoqi i kishte thënë edhe se ishte rrahur edhe brenda komisariatit. “Ma ka deklaruar vetë nga dritarja e dhomës kur unë erdha t’i sjell ushqimin dhe metadonin pasi përdorte heroinë”, tha gruaja e revoltuar. “Nëse vjedh burgosesh, nuk vritesh”-  tha ajo.

27-vjeçari paraditen e së enjtes do të dilte para gjykatës në seancën për përcaktimin e masës së sigurisë ndaj tij, por në këtë seancë u komunikua se ai kishte ndëruar jetë. Familjarët arritën të sigurojnë foto të viktimës dhe pretendojnë se në pjesën e djathtë të fytyrës, në sy dhe faqe duken shenja dhune.

Prokuroria e Korçës e cila tha se nisi hetimet, njoftoi edhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë.