Lajm3 Oct 2019

“I zhgënjyer totalisht”: Artur Malaj kundërshton analizën financiare të KPA

Për dy orë e gjysmë, gjyqtari Artur Malaj kundërshtoi analizën financiare të Njësisë Ligjore të KPA-së si “të njëanshme, të pasaktë dhe absurde”, por trupa gjykuese e rrëzoi si të panevojshme kërkesën e tij për një ekspert të pavarur.

Autor: Aleksandra Bogdani BIRN Tiranë
Printo

Gjyqtari Artur Malaj gjatë seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, datë 19.07.2019 | Foto : Besar Likmeta/BIRN

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj kundërshtoi për 2 orë e gjysmë analizën financiare të realizuar nga Njësia Ligjore e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të enjten dhe pasi e cilësoi atë të njëanshme dhe të mbushur me gabime – kërkoi një ekspert të pavarur kontabël.

Malaj kontestoi gjithashtu në thelb procedurën, duke e konsideruar përfshirjen e Njësisë Ligjore të Kolegjit si kompromentim të pavarësisë dhe paanësisë në gjykim.

“Kemi 6 analiza financiare të ndryshme, dy nga KPK, dy nga Komisioneri, analiza e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe analiza e kryer nga eksperti im. Kërkoj ekspert të pavarur dhe të paanshëm, pasi Njësia Ligjore në varësi të Kolegjit e vendos gjykatën në rolin e palës dhe jo të arbitrit,” tha Malaj, pasi kishte kundërshtuar më parë bilancin negativ si “absurd dhe jo-realist”.

Përmes një vendimi të ndërmjetëm, trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit e rrëzoi kërkesën për ekspertizë të pavarur financiare si “të panevojshme”. Megjithatë, Kolegji vendosi të pranojë në cilësinë e provës 9 dokumente të reja shkresore të dorëzuara nga Malaj, përmes të cilave ai pretendon se zerohen diferencat negative në analizën financiare të kryer së fundmi nga Kolegji.

Në seancë u mësua se analiza e re financiare e rëndon pozitën e Malajt disafish – nga mungesa prej 1.2 milionë lekësh e konstatuar në ankimin e Komisionerit Publik në një diferencë të thellë prej 11.8 milionë lekësh. Malaj tha se ishte “i zhgënjyer totalisht” nga analiza financiare.

Megjithatë, gjyqtari pretendoi në mbrojtjen e gjatë të tij se kjo diferencë s’ishte gjë tjetër veçse shumatorja e një kësti prej 15 mijë eurosh – kurrë të paguar prej tij si dhe e fitimeve 3-vjeçare të bashkëshortes nga aktiviteti i noterisë, për të cilat tha se ishin zbritur padrejtësisht.

Duke përsëritur disa herë se Njësia Ligjore e Kolegjit kishte “fryrë shpenzimet dhe hequr të ardhurat e ligjshme të bashkëshortes”, Malaj u ndal më pas në rezultatet për vitin 2005 si dhe për vitet 2008-2011.

Rezultatin negativ për vitin 2005, Malaj ia atribuoi përfshirjes në llogaritje të vlerës 15 130 euro, e cila lidhej me këstin e një kontrate porosie për një apartament, i cili sipas tij nuk u pagua asnjëherë. Ai pretendoi se Njësia Ligjore e kishte përfshirë këtë shumë në kundërshtim me provën e dorëzuar prej tij- revokimin e kontratës vetëm 1 muaj e 22 ditë më pas nga kompania me arsyen e mospagesës.

Malaj e konsideroi absurde përfshirjen e kësaj shume, duke argumentuar më pas se binte ndesh edhe me provën tjetër – kontratrën e shitjes së apartamentit në Selitë si dhe me çmimet e paguara nga fqinjët e tij.

“Ky shpenzim nuk është kryer, ndaj balanca për vitin 2005 del pozitive,” tha ai.

Lidhur me diferencën negative për vitet 2008-2011, Malaj argumentoi se është rezultat i zbritjes së fitimeve 3-vjeçare të bashkëshortes nga aktiviteti i noterisë – zbritje që ai e konsideroi në kundërshtim me Kushtetutën.

Nga argumentet e lexuara prej Malajt u kuptua se përjashtimi i fitimeve 3-vjeçare të bashkëshortes ishte motivuar nga Njësia Ligjore me faktin se në bilacin e vitit 2011, vlera prej 9.5 milionë lekësh rezultonte si fitim i pashpërndarë.

“Bashkëshortja ka deklaruar fitime dhe ka paguar tatime për të tre vitet. Në ILDKPK këto para janë deklaruar si burim për shpenzimet dhe kursimet, por Njësia Ligjore nuk i përfshin këto të ardhura me pretendimin se nuk janë përdorur, por janë mbajtur në sirtar,” tha ai, duke e kundërshtuar këtë argument.

Malaj e shpjegoi deklarimin e vitit 2011 në bilanc fillimisht si gabim të kontabilistit të diktuar nga ndryshimet ligjore për Tatimet dhe më pas si rideklarim vullnetar të bashkëshortes së tij në kuadër të legalizimit të kapitalit.

Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimin se bashkëshortja e tij nuk mund të përfitonte lehtësira fiskale, duke bërë dallimin ligjor mes personit fizik dhe individit si dhe solli si provë të re një intepretim ligjor nga Drejtoria e Tatimeve që mbështet argumentet e tij.

“Rideklarimi është e drejtë e çdo tatimpaguesi dhe në vitin 2011, bashkëshortja ime ka rideklaruar fitime shtesë për vitin 2009 me vullnetin e saj dhe ka përfituar falje tatimore prej 128 mijë lekësh. Njësia Ligjore nuk ka njohur as të ardhurat, as fitimet dhe as faljen tatimore,” shtoi ai.

Malaj kundërshtoi llogaritë e bëra mbi udhëtimet jashtë shtetit si dhe kundërshtoi përjashtimin e dietave – për të cilat tha se ose duhen llogaritur si të ardhura ose duhen zbritur si shpenzime jetese.

Ai pretendoi një seri fryrjesh dhe pasaktësish për llogaritjen e shpenzimeve të udhëtimeve jashtë shtetit dhe paraqiti si prova deklaratat noteriale nga agjencitë e udhëtimit, të cilat referonin çmime më të ulëta si dhe familjarë që deklarojnë se kanë mbuluar shpenzimet.

Për udhëtimet e punës, Malaj i apeloi kujtesës së ish-gjyqtarëve – anëtarë të trupit gjykues.

“Anëtarët e trupit gjykues, që kur kanë qenë gjyqtarë kanë qenë në këto udhëtime e dinë shumë mirë se këto nuk janë paguar prej nesh,” shtoi Malaj, duke e konsideruar analizën financiare të njëanshme.

Në fund të seancës, Komisioneri Publik, Dariel Sina kërkoi 5-6 ditë kohë për të paraqitur qëndrimet e tij në lidhje me provat e reja të administruara si dhe qëndrimet e Malajt. Trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të zhvillohej më 11 tetor.