Të perceptuara si të korruptuara dhe të kompromentuara nga ndikimi politik, gjykatat dhe prokuroria janë sipas një sondazhi të publikuar të premten, institucionet që besohen më pak nga qytetarët.
Një sondazh i opinionit publik për besimin te qeverisja, i publikuar të premten nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (PNUD) zbuloi se prokuroria, gjykatat dhe partitë politike janë institucionet më pak të besuara në Shqipëri – të perceptuara kryesisht si shumë të prekshme nga ndikimi politik.
Sondazhi që u zhvillua për të pestin vit radhazi intervistoi 1647 qytetarë nga 61 bashkitë e vendit gjatë nëntorit 2017 për çështje si besimi, transparenca, llogaridhënia, angazhimi qytetar dhe teknologjia.
Institucionet fetare (76%), Forcat e Armatosura (63%), Organizatat e Shoqërisë Civile (57%), Media (54%), Institucionet e Shëndetit Publik (53%) dhe Policia e Shtetit (53%) janë institucionet kombëtare që gëzojnë besimin më të lartë te qytetarët e intervistuar.
Më pak se gjysma e të anketuarve besojnë te qeveria vendore (49%), qeveria (47%), parlamenti (34%) dhe presidenti (33%).
Qytetarët janë po ashtu të ndarë për zbatimin me korrektësi të reformës në drejtësi, ku vetëm 43 për qind e tyre besojnë se ajo do të zbatohet siç duhet, ndërsa 38 për qind besojnë të kundërtën.
Sipas perceptimit publik korrupsioni i nivelit të ulët dhe të lartë është i përhapur ose shumë i përhapur në Shqipëri, – mendim ky që e ndajnë 8 nga 10 të anketuar.
Institucionet më të korruptuara sipas perceptimit qytetar janë gjykatat, qeveria, shëndeti publik dhe parlamenti.
Megjithatë, sondazhi nënvizon se shifra e personave që e kanë dëshmuar këtë korrupsion është shumë më e ulët se perceptimi, ndonëse ka një trend në rritje të atyre që po hasen me korrupsionin vendor dhe qendror krahasuar me vitin 2016.
Qytetarët kanë shprehur pak besim për një ndëshkim të drejtë ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe atij të ulët.
Perceptimi qytetar për transparencën në nivel vendor dhe qendror mbetet ende i ulët respektivisht 44% me 40% të të anketuarve që i shohin bashkitë dhe qeverinë si transparente.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, (67%), Media (65%) dhe Parlamenti (63%) shihen si institucionet që ndikuan më shumë te nxitja e qeverisë për transparencë gjatë vitit 2017.
Sipas sondazhit, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve mendojnë se hapja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit do të kontribuonte pozitivisht te institucionet publike dhe te drejtësia shoqërore.
Një problematikë e ngritur nga sondazhi në angazhimin qytetar rezultojnë të jenë dëgjesat publike që 67 për qind e tyre i shohin si formale dhe me ndikim të kufizuar te vendimet bashkiake. Vetëm 15 për qind e tyre kanë marrë pjesë në një konsultim të tillë.
Rreth gjysma e qytetarëve janë të kënaqur me furnizimin me ujë të pijshëm, pastrimin dhe shërbimet e emergjencave, si dhe te arsimi publik, sipas sondazhit.
Pakënaqësia megjithatë dominon në fushat e punësimit, gjykatat, shëndetin publik dhe shërbimet sociale. Besimi te ankimi pranë këtyre institioneve për cilësinë e dobët të shërbimit megjithatë angazhon vetëm 15% të qytetarëve ta përdorin, ku qytetarët ndihen të padëgjuar dhe se nuk marrin zgjidhje.
Po ashtu, kriminaliteti, pasiguria në punë dhe problemet me drejtësinë jo të plotë, bëjnë që 51% e të anketuarve të shprehen se ndihen të pasigurt gjatë jetës së tyre të përditshme.
Diskriminimi gjinor, një tjetër fushë e sondazhit mbetet një perceptim që deri më tani i takon vetëm gjinisë femërore të të anketuarve, pasi një përqindje e konsiderueshme e të anktuarve thonë se ka barazi mes burrave dhe grave në shoqëri dhe shërbime.
“Gratë kanë më pak gjasa të pajtohen me deklarata të tilla sesa burrat,” thotë studimi.