Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI, ka paditur në prokurori ish deputetin Socialist për fshehjen e pasurisë.
Sipas një njoftimi të publikuar të mërkurën Harasani figuron ne mes të një numri zyrtarësh, për të cilët ILKPKI paraqiti pranë organit të akuzës kallëzim për ndjekje penale për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.
Neni 257/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë thotë se “fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.”
I zgjedhur dy herë në parlament më 2005 dhe 2009, nga shtatori 2002 deri në korrik 2005 Harasani ka qenë drejtor i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, kompanisë më të madhe në Shqipëri me shitje prej afro gjysmë miliardi euro.
Në shtator 2012, ai dha dorëheqjen si deputet dhe shkoi në Nju Jork për të themeluar një kompani të quajtur Eagle HVAC, Inc..
Një investigim i BIRN i publikuar në 2013, zbuloi se ish-deputeti i PS në vitin 2007 kishte krijuar një kompani të fshehtë dhe nuk e deklaroi atë siç e kërkon ligji për deklarimin e pasurisë
Sipas të dhënave të siguruara nga BIRN, në nëntor 2007 Harasani e regjistroi kompaninë me emrin White Ebony Holdings Ltd në Ishujt Virxhin të Britanisë, ku ai rezulton drejtor dhe aksioner.
Të dhënat identifikojnë Singaporin, një parajsë tjetër fiskale, si vendi ku kompania u regjistrua fillimisht dhe përmend si adresë biznesi një apartament në Franzstrasse në Bonn. Motra e Harasanit është një gazetare për Radio Deutsche Welle në Bon dhe ajo banon në këtë adresë.
Të dhënat për kompaninë e Harasanit ishin pjesë e një databaze, të siguruar nga Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarisë Investigative, ICIJ, me anë të të cliës u zbuluan zyrtarë që fshehnin pasurinë nga e gjithë bota.