Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e një vendimi të qeverisë për regjistrimin e IMEI-t, por në fakt ky pezullim nuk qe aq shumë i nevojshëm për aq kohë sa vendimi nuk u zbatua nga vetë kompanitë celulare.
Në 4 qershor të këtij viti, qeveria shqiptare mori një vendim me nr. 354. Vendimi nuk u publikua në faqen e internetit të kryeministrisë ku u listuan VKM-të e asaj mbledhjeje por u publikua nja dy javë më vonë në Fletoren Zyrtare. Ai sanksiononte që çdo përdorues celulari në Shqipëri duhej të paraqitej në një nga dyqanet e rrjeteve të kompanive celulare ku duhej të paguante 500 lekë dhe të regjistronte numrin unik të identifikimit të celularit. Ky numër unik do të vendosej në një databazë në Ministrinë e Financave. Kompanitë celulare duhej t’i kryenin regjistrimet brenda dy muajve si dhe të ndërprisnin shërbimin për çdo shqiptar që nuk paraqitej për regjistrim pas periudhës fillestare dymujore.
Pasi u publikua, vendimi shkaktoi shqetësim mes disa ekspertëve të teknologjisë së informacionit, të cilët argumentuan se kjo VKM shkel të drejtat e privatësisë, lehtëson punën e organeve të rendit publik për të përgjuar dhe krijon një sistem paralel me sistemin e drejtësisë pasi Ministria e Financave krijon me këtë vendim një databazë me të dhëna personale dhe i jep të drejtë vetes t’ia transferojë këto të dhëna një numri institucionesh si policia, pa marrë miratim paraprak nga gjykata.
Aktivistët anonimë organizuan një farë rezistence ndaj vendimit të qeverisë, të shqetësuar para së gjithash për të drejtën e jetës private dhe mbrojtjes së të dhënave private nga qeveria.
Shqetësimi i tyre u kap nga media dhe më pas, nga opozita, e cila iu drejtua Gjykatës Kushtetuese ku kërkoi pezullimin.
Gjykata Kushtetuese vendosi të mërkurën më 17 shtator pezullimin e zbatimit të këtij vendimi deri në kryerjen e gjykimit të tyre.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mikprit nga aktivistët e medias sociale si fitore. Por në fakt, vendimi i Kushtetueses nuk qe tërësisht i nevojshëm. Për momentin askush nuk po e zbaton vendimin 354 të qeverisë, kundër askujt nuk po merren masa për moszbatimin e këtij vendimi dhe rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese nuk ka pse të pezullojë zbatimin e një vendimi që në praktikë nuk ekziston sepse nuk po zbatohet.
Arsyeja pse ky vendim nuk po zbatohej është e thjeshtë: qeveria nuk ka asnjë mekanizëm shtrëngues mbi kompanitë celulare, në rast se këto të fundit refuzojnë të zbatojnë atë. Vendimi në fjalë nuk mbart asnjë klauzolë shtrënguese, si fjala vjen, “gjobë”, në rast se kompanitë celulare nuk e zbatojnë.
Kjo është një histori që përsëritet. Vite më parë, qeveria shqiptare urdhëroi kompanitë celulare të regjistronin të gjitha kartat SIM. Këto të fundit kryen regjistrime, por duket se nuk ndërprenë shërbimin për numrat e paregjistruar.
Më herët këtë vit, kur një valë bombash me celularë goditi vendin, u kuptua më në fund se kompanitë celulare nuk e kishin zbatuar ligjin për regjistrimin e kartave SIM. Një urdhër i dytë kërkoi regjistrimin nga e para, tashmë si urgjencë për faktin se kartat e paregjistruara po përdoreshin për të vënë bomba. Por qeveria nuk e pa të arsyeshme të ndërmerrte ndonjë masë shtrënguese kundër kompanive celulare që nuk e kishin zbatuar ligjin.
Në fund, pafuqia e qeverisë për të zbatuar ligjet apo vendimet e veta, si në rastin e kartave SIM apo IMEI-t, është për të ardhur keq. Këto janë edhe dy shembuj se si i konceptojnë ligjet dhe vendimet burrokratët e qeverisë shqiptare: i konceptojnë pa mekanizma zbatimi duke i bërë praktikisht në formën e këshillave për t’u ndjekur sipas dëshirës dhe jo në formën e ligjit që duhet zbatuar nën kërcënimin e masave shtrënguese.
Dhe mbi këto ligje të pazbatuara, Gjykata Kushtetuese merr vendime për pezullim zbatimi.
Për shqiptarët kjo situatë krijon dy shqetësime: e para, ligjet dhe vendimet që qeveria i ndërmerr lehtë pa patur parasysh kushtetutshmërinë e tyre dhe; e dyta, ligjet dhe vendimet që qeveria nuk ka fuqi reale t’i zbatojë.