Indeksi Global vjetor i Paqes shënoi rënie për të disatin vit rradhazi, por kryesisht muajt e parë të vitit 2020 sollën një influencë negative për shkak të kufizimeve të shumta të imponuara nga pandemia e COVID-19, duke u mohuar kështu qytetarëve të drejta të cilat më parë merreshin të mirëqena.
Paraditen e së enjtes Instituti i Ekonomisë dhe i Paqes (IEP) në bashkëpunim me Institutin e Demokracisë dhe Ndërmjetësimit (IDM) prezantuan nëpërmjet një komunikimi online prirjet e paqes globale bazuar në të dhënat e raportit të Indeksit Global të Paqes ku përfshihen 163 shtete, por fokus iu kushtua Ballkanin Perëndimor ku disa prej regjimeve i përkasin akoma një sistemi hibrid. Të dhënat e indeksit për 2020 tregojnë një rënie të treguesve të paqes me 2.5% që prej vitit 2008, ku treguesit e 81 shteteve kanë shënuar rënie ndërsa 79 shtete të tjera kanë shënuar përmirësim.
Gjithashtu përhapja e COVID-19 gjatë muajve të fundit ka pasur një efekt negativ në fushat sociale, politike dhe ekonomike, pasi pandemia preku direkt sistemet e qeverisjes dhe të drejtat bazike të qytetarëve.
Shqipëria, konsideruar si një shtet me regjim hibrid, përjetoi sfida të shumta në të gjitha fushat e sipërpërmendura.
“Situata qe solli COVID-19 ishte një test për demokracinë tonë“, tha gjatë prezantimit online Redion Qirjazi, Menaxher i Programit të Sigurisë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).
“Gjatë periudhës se izolimit vumë re krijimin e disa PPP-ve si edhe fenomenin e kalimit të pronësisë se truallit të Teatrit Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, që solli dhe më pas shkatërrimin e tij “, përmendi Redion Qirjazi në lidhje me veprimet e ndërmarra gjatë javëve të gjendjes së jashtëzakonshme nga qeveria shqiptare.
Shqipëria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore prej mesit të Marsit deri më 23 Qershor, periudhë e cila u shoqërua me kufizime të shumta përsa i përket të drejtave dhe shërbimeve bazike.
Gjithsesi, për shkak të pakënaqësive të shumta nga ana e qytetarëve në lidhje me vendimet e qeverisë, muajt e fundit të gjendjes së emergjencës u shoqëruan me protesta masive të banorëve të Tiranës dhe shoqërisë civile.
Sipas ekspertëve, ky destabilitet civil në vende të shumta është pikërisht një fenomen që ka ndikuar në uljen e indeksit të paqes.
“Që prej vitit 2011 deri në 2019 numri i protestave, marshimeve, grevave dhe demonstratave anti-qeveritare është rritur me 244% në rang global“, shkruhet në raportin e indeksit global të paqes për vitin 2020.
“Paqja në rajonin e Ballkanit Perëndimor varet nga lidershipi dhe vizioni i drejtimit“, theksoi gjatë fjalës së tij z.Srdjan Majstrorovic, nga Bordi i Drejtimit të European Policy Center.
Ai theksoi se një tjetër fushë që është dëmtuar është ajo ekonomike, sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ekonomitë e rajoneve të Ballkanit Perëndimor janë të lidhura ngushtë dhe të varura nga tregu i Bashkimit Europian“, pranoi z.Majstrovovic, duke theksuar rëndësinë e plotësimit të kushteve për integrimin e këtyre shteteve në Europë dhe se do të duhet pak kohë derisa të bëhen ndryshime të reja në planin demokratik.
Ai i bëri thirrje udhëheqësve si nga BE ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor për bashkëpunim në mënyrë që të forcohen strukturat e brendshme qeveritare.
Në rang global, sipas raportit, Islanda renditet si shteti më paqësor, ndërsa ato me nivel më të ulët për sa i përket nivelit të paqes janë Afganistani, Siria, Iraku, Sudani i Jugut, Jemeni, Somalia, etj.
Përhapja e pandemisë ka krijuar probleme me pasigurinë ekonomike, pakënaqësi në lidhje me sistemet e izolimit që u imponuan kudo, ndërprerje të tregtisë botërore, e gjithashtu të lëvizjes së lirë.
“Është viti i nëntë që indeksi i paqes globale po pëson ulje“, u shpreh i shqetësuar Redon Qirjazi gjatë webminarit të së enjtes.
“Në rastin e Shqipërisë, gjatë periudhës së pandemisë ishte zyra e Kryeministrisë ajo që nxori akte normative, pa kryer ndonjë konsultë me publikun“, u shpreh z. Qirjazi, duke vënë theksin mbi rëndësinë e transparencës së vendimmarrjes në kohë pandemie, kur liritë e publikut janë të kufizuara.
Sipas Qirjazit, në vendin tonë u morën vendime të cilat nuk patën lidhje drejtpërdrejtë me pandeminë dhe gjendjen e emergjencës, por këto vendime kanë të bëjnë me përdorimin e pushtetit në kohë ku liritë janë të kufizuara.
Ekspertët theksuan se rezultati përfundimtar i raportit është se të pasurit institucione më të forta dhe demokratike mundëson përballimin në mënyrë më të mirë të situatës që solli pandemia COVID-19.
“Zgjidhja më e mirë në këto situata do të ishte krijimi i institucioneve të qëndrushme dhe të forta, dhe jo thjesht të bazohemi në vendimet ad-hoc“, përfundoi z.Qirjazi.