Lajm12 Jun 2019

Indeksi Global i Paqes tregon se Ballkani po bëhet më paqësor

Indeksi i Global i Paqes 2019 tregon një rritje shumë të theksuar të rezultatit të paqes në Maqedoninë e Veriut dhe rritje më modeste në rezultatet e Serbisë, Bosnjës dhe Kosovës.

Autor: Mladen Lakic BIRN Sarajevë
Printo

Raporti i Indeksit Global të Paqes 2019. Foto: Instituti Ndërkombëtar për Ekonomi dhe Paqe.

Indeksi i fundit Global i Paqes i publikuar nga Instituti Ndërkombëtar për Ekonomi dhe Paqe, një institut i pavarur i cili synon të masë paqen dhe stabilitetin në botë, thotë se bota ishte një vend paksa më paqësor vitin e kaluar.

Ai thotë se 24 vende në Europë panë një reduktim të terrorizmit sa i përket ndikimit të tij vitin e kaluar, edhe pse ai vëren një rritje në tetë vende, duke përfshirë Serbinë.

Indeksi, i publikuar të mërkurën, përdor 22 tregues, që variojnë nga niveli i shpenzimeve ushtarake të një vendi deri te marrëdhëniet e tij me vendet fqinje dhe përqindja e popullsisë së tij të burgosur.

Pasi shqyrtoi 163 vende apo entitete në tërësi, dhe atë që ai e quan nivelin e tyre të paqes, ai përsëri renditi Islandën si vendin më paqësor në botë, pasuar nga Danimarka, Zelanda e Re, Portugalia dhe Austria.

Sllovenia u rendit më lart nga rajoni i Ballkanit në aspektin e paqes në rezultatin e saj të përgjithshëm, në vendin e tetë nga 163 vende në total. Ajo u pasua nga Rumania, në vendin e 25-të, dhe nga Bullgaria në vendin e 26-të.

Kroacia është më poshtë në vendin e 28-të, e ndjekur nga Serbia në vendin e 50-të, Shqipëria në vendin e 51-të dhe Maqedonia e Veriut në vendin e 65-të. Mali i Zi është në vendin e 67-të, i ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 81-të dhe Kosova në vendin e 86-të.

Megjithatë, Serbia është rritur me pesë pikë në indeksin e fundit, Kosova është rritur me tetë pikë, Bosnja me nëntë pikë dhe Maqedonia e Veriut me 23 pikë më e lartë se rezultati i mëparshëm.

Asnjë shtet në Ballkan nuk ka shënuar rënie të theksuara.

Raporti tha se Europa është bërë pak më paqësore, në përgjithësi, me përjashtim të Turqisë. “Turqia ka rezultatin më të keq të terrorizmit në rajon. Vetëm tetë vende në Europë regjistruan rritje në terrorizëm, përfshirë Holandën, Letoninë, Poloninë, Norvegjinë dhe Serbinë,” tha raporti.

Serbia dhe Kosova regjistruan rënie në zhvendosjen e popullsisë në Europë, edhe pse shifrat e saktat variojnë në varësi nga burimi i të dhënave për këto vende, vuri në dukje raporti.

Edicioni i trembëdhjetë i Indeksit Global të Paqes tregon se niveli mesatar i paqes globale u përmirësua shumë pak. Kjo është hera e parë që indeksi ka shënuar një përmirësim të tillë në pesë vjet. Rezultati mesatar i vendit u përmirësua me 0.09 për qind, me 86 vende që shënuan një rezultat të përmirësuar dhe 76 shënuan përkeqësim.

Indeksi zbulon një botë në të cilën konfliktet dhe krizat që lindën në dekadën e fundit kanë filluar të ulen, edhe pse kanë lindur gjithashtu tensione të reja brenda dhe midis kombeve.

Afganistani është tani vendi më pak paqësor në botë, sipas raportit, duke zëvendësuar Sirinë, e cila tani është e dyta më pak paqësore. Sudani i Jugut, Jemeni dhe Iraku përbëjnë pesë vendet më pak paqësore, duke u renditur të fundit në raport.