Lajm20 Mar 2020

Infektimet dhe vdekjet nga COVID-19 rriten me shpejtësi

Të dhënat statistikore të mbledhura nga Johns Hopkins University tregojnë se mëngjesin e sotëm, numri i të vdekurve arriti në mbi 10 mijë ndërsa infektimet e konfirmuara janë shtuar me ritëm të frikshëm gjatë ditëve të fundit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Harta infografike e OBSH për COVID-19

Numri i të vdekurve nga pandemia e koronavirusit u rrit në mbi 10 mijë të Premten në mëngjes ku Italia mban numrin më të lartë të viktimave dhe normën më të lartë të vdekjeve në raport me të sëmurët, bëhet e ditur nga të dhënat statistikore të grumbulluara nga Universiteti Johns Hopkins në SHBA.

Numri i rasteve të konfirmuara arriti në 244 mijë, ku Kina vijon të mbajë vendin e parë me 81 mijë, pasuar nga Italia me 42 mijë, Irani e Spanja me nga 18 mijë dhe Gjermania me 15 mijë.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, dita e Enjte shënoi një rekord tjetër negativ sa i përket numrit të viktimave, 828 vetë në të gjithë botën, nga të cilët, 473 u shënuan në Itali dhe 107 në Spanjë.

Gjithsej, 16,500 persona u raportuan si të infektuar brenda ditës së Enjte, sipas OBSH-së, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin në Itali, Spanjë, SHBA dhe Gjermani. Numri i infektimeve të reja është rritur shumë shpejt gjatë ditëve të fundit, por disa ekspertët mendojnë se kjo rritje mund t’i atribuohet pjesërisht përshkallëzimit të testimeve në vendet e pasura si Spanja, Gjermania, SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar duke reflektuar infektime që mund të kenë ndodhur më herët.

Shtetet e Bashkuara janë vendi ku numri i infektimeve të konfirmuara me analiza laboratorike po rritet çdo minutë. Gjatë ditës së së djeshme në SHBA u konfirmuan mbi 3,500 raste, një dyfishim brenda një dite.

Tashmë pjesë të mëdha të botës janë bllokuar në aktivitetin e përditshëm ndërsa politikëbërësit presin të shohin se kur masat ekstreme të zbatuara për distancimin shoqëror do të mund të japin efekt. Shteti i Kalifornisë ishte i fundit që publikoi urdhrin për popullsinë e vet që të qëndrojë në shtëpi.

Guvernatori Gavin Neësom deklaroi se sipas këshilltarëve të qeverisë, rreth 56% e banorëve të shtetit ose më shumë se 25 milionë njerëz mund të infektohen përgjatë tetë javëve të ardhshme. “Mendoj se është koha që t’ju them ju çfarë i them familjes sime,” deklaroi ai.

Sipas të dhënave të Johns Hopinks, afro 86 mijë nga personat e infektuar në të gjithë botën janë shëruar tashmë nga COVID-19, pjesa dërrmuese e të cilëve janë në Kinë, 59 mijë.