Lajm13 Jan 2020

Inflacioni bie në nivelin më të ulët në tre vjet

Viti 2019 u mbyll me një normë inflacioni prej vetëm 1.4%, më e ulëta që nga viti 2016, duke reflektuar gjendjen e vështirë ekonomike të vendit.

Autor: Gjergj Erebara BIRN Tiranë
Printo

Foto ilustruese: Malton Dibra/LSA

Inflacioni mesatar për vitin që lamë pas ishte në masën 1.4%, shifra më e ulët e lexuar që nga viti 2016, duke reflektuar vështirësi më të gjera në ekonomi, në një vit në të cilin vendi përjetoi protesta të dhunshme nga ana e opozitës dhe zgjedhje të njëanshme nga ana e qeverisë, shoqëruar me tërmetin më të fuqishëm që goditi vendin në rreth 50 vjet.

Sipas Institutit të Statistikave, inflacioni vjetor në muajin dhjetor, muaji menjëherë pas tërmetit, ishte vetëm 1.1%, ndërkohë që në dhjetor 2018 ishte 1.8% ndërsa objektivi i vendit është për inflacion që luhatet mes minimalisht 2 dhe maksimalisht 4%.

Inflacioni gjatë vitit të kaluar pati të njëjtën tendencë si më parë, shtrenjtim i shpejtë i zarzavateve dhe frutave, si dhe stanjacion ose rënie të lehtë në mallrat dhe shërbimet e tjera.

Viti 2019 u mbyll me shtrenjtim të zarzavateve në masën 11.3% si dhe të frutave në masën 5.5%, gjë që kontribuoi në nivelin e përgjithshëm të çmimeve të ushqimeve që u rritën me 2.6%. Përkundër kësaj, veshjet patën gjatë vitit të kaluar të njëjtat çmime si një vit më parë dhe po kështu mobiljet apo pajisjet elektroshtëpiake.