Pasi qëndroi për shtatë muaj mbi kufirin e poshtëm të objektivit të Bankës së Shqipërisë, Indeksi i Çmimeve të Konsumit ra në një rritje vjetore prej 1.6% në gusht, duke dhënë shenja për vijimin e vështirësive ekonomike në vend.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit me bazë vjetore 1.6% në muajin gusht, leximi më i ulët që nga tetori i vitit të kaluar, bëri të ditur Instituti i Statistikave të premten [link INSTAT]. IÇK pati shënuar rritje mesatare prej 2.2 për qind për shtatë muajt janar – korrik 2016, nivel ky pak më i lartë se sa objektivi minimal i Bankës së Shqipërisë, e cila synon t’i mbajë çmimet në rritje nga 2 deri në 4 për qind, me shënjestër për rritje rreth nivelit 3 për qind.
Sipas INSTAT, grupi “Ushqim dhe Pije Joalkoolike”, në të cilin shqiptarët shpenzojnë rreth 40 për qind të të ardhurave të veta, vijoi të ketë rritje më të lartë se sa pjesa tjetër e shportës, por ritmi i rritjes qe më i ulët se sa muajt e mëparshëm. Çmimet e ushqimeve u rritën me 3.3 për qind në gusht në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që qenë rritur me 4.7 dhe 5.1 për qind në korrik dhe qershor.
Shqipëria u përball me një thatësirë të pazakontë gjatë kësaj vere, gjë që zakonisht sjell normë më të lartë inflacioni, veçanërisht për produktet bujqësore të cilat për shkak të thatësirës janë më të pakta e më të shtrenjta. Zarzavatet qenë grupi me inflacionimin më të lartë gjatë muajve të fundit, duke shënuar rritje vjetore prej 14 për qind në korrik dhe 7.5 për qind në gusht. Por rritja e çmimeve të zarzvateve duket se u kompensua në një farë mase me rënien e çmimeve të mallrave të importit si pasojë e forcimit të pazakontë të lekut kundrejt euros.
Leku kushtoi gjatë gushtit rreth 132 lekë, nga 136 që kushtonte gushtin e vitit 2016.
Ka disa hipoteza për shkaqet e rënies së lekut, përfshirë supozimin se sasia e paprecedentë e drogës së mbjellë më 2016 dhe eksportuar gjatë këtij viti ka sjellë sasi të pazakontë eurosh në tregun e brendshëm, ndërkohë që një supozim tjetër është që kaosi qeverisës që pasoi prishjen e koalicionit PS-LSI solli bllokim të punës normale të buxhetit të shtetit dhe mungesë të shpenzimeve buxhetore.