Lajm3 Dec 2018

Institucionet bënë ‘zero’ përpjekje për arkëtimin e garancisë 85 milion USD të Albpetrol

Një raport auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxjerr në pah se institucionet shqiptare kanë bërë pak për të arkëtuar garancinë bankare, e cila u ofrua në vitin 2012 nga një kompani e lidhur me biznesmenin famëkeq Rezart Taçi për privatizimin e Albpetrol.

Autor: Besar Likmeta BIRN Tiranë
Printo

Rezart Taçi gjatë prezantimit të ofertës së Vetro Energy | Foto nga : LSA

Në shtator 2012, një kompani e quajtur Vetro Silk Road Equity Ltd, bëri një ofertë prej 850 milionë USD për privatizimin e Albpetrol. Kjo ofertë nuk u materializua, pasi kompania e regjistruar në Singapor nuk e bëri pagesën për privatizimin e kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës, duke çuar në dështimin e tenderit të privatizimit.  Oferta e Vetro Silk Road Equity Ltd mbështetej nga një garanci bankare prej 85 milion USD,  nga American Chartered Bank në Çikago

Gjashtë vjet pas dështimit të këtij tenderi publik ndërkombëtar, Kontrolli i Lartë i Shtetit shprehet se institucionet shqiptare nuk kanë bërë përpjekje domethënëse për të arkëtuar qoftë edhe pjesërisht garancinë e ofertës së shpallur fituese prej 85 milionë USD.

“Institucioni i Avokaturës së Shtetit ka pasur dijeni për mos arkëtimin e garancisë së privatizimit, në vlerën prej 85 milionë Euro nga kompania Vetro Energy PTE Ltd” që nga viti 2012. Deri tani, ky institucion, ende nuk ka marrë asnjë veprim ligjor, në bashkëpunim me ish- METE, ish-MZHETTS, tashmë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, për arkëtimin e kësaj vlere,” shkruan KLSH.

Oferta e Vetro Energy për Albpetrol ishte më shumë se dyfishi i vlerësimit të kompanisë amerikane Patton Boggs, e cila e kishte çmuar Albpetrolin në një vlerë 300 milionë dollarë.

Në një konferencë për shtyp me 5 tetor 2012, Biznesmi Rezart Taçi deklaroi se ai është pjesë e konsorciumit që ka fituar tenderin për privatizimin e Albpetrolit

Sipas të dhënave të bëra publike Vetro Energy ishte 51 % nën pronësinë e YPO Holdings –një kompani nën pronësinë e Taçit e regjistruar në Singapor, dhe 49 % në pronësi të fondit amerikan të investimeve Silk Road Equity.

Nga viti 2008 deri në vitin 2013, Taçi zotëroi një paketë kontrolluese në rafinerinë ARMO, kohë gjatë së cilës kjo kompani akumuloi borxhe të shumta ndaj tatimeve, doganave dhe institucioneve shtetërore.

Një investigim i BIRN i botuar në maj 2016, hedh dritë se si biznesmeni Rezart Taçi përvetësoi qindra milionë dollarë me anë të ‘mashtrimit, evazionit fiskal dhe kredive të këqija,’ duke shkatërruar kompaninë e rafinimit të naftës bruto ARMO – ndërkohë që institucionet dhe krerët e shtetit bënin një sy qorr.