Lajm27 Nov 2018

Ish-gjyqtari Shkëlqim Miri dënohet me 2.6 vite burg për korrupsion

I akuzuar për mitëmarrje për një vendim të favorshëm për një të dënuar për vrasje, Miri u dënua me masën minimale të parashikuar për këtë vepër penale dhe përfitoi edhe nga gjykimi i shkurtuar pavarësisht se u deklarua i pafajshëm në gjyq.

Autor: Edmond Hoxhaj BIRN Tiranë
Printo

Në këtë foto arkivë, gjyqtari Shkëlqim Miri po flet për gazetarët pasi fitoi postin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë më 7 dhjetor 2007. Foto: Gent Shkullaku, LSA

Ish-gjyqtari Shkëlqim Miri, i cili u arrestua në nëntor 2017 me afro 33 milionë lekë para të thata në shtëpi, u dënua në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë me masën minimale të parashikuar për veprën penale të “korrupsionit pasiv të gjyqtarëve dhe prokurorëve” ndërkohë që përfitoi ulje me një të tretën e dënimit për shkak se pranoi gjykim të shkurtuar, ndonëse nuk pranoi fajësinë.

Në vendimin e dhënë më 27 nëntor, afro një vit pas arrestimit, gjykata e dënoi atë me 2.6 vite burg. Kushëriri i tij, Kujtim Miri, i cili u akuzua si “sekseri” që i dha paratë Shkëlqim Mirit, në përfundim u dënua me një vit e 8 muaj heqje lirie.

Kodi Penal parashikon dënime deri në 10 vjet burg, për personat e akuzuar sipas nenin “319 Ç” për “korrupsion  pasiv  i  gjyqtarëve”, por prokurori Klodian Brajo ka kërkuar dënimin e të pandehurit me katër vjet burg, të cilat bazuar në gjykim e shkurtuar reduktohen në 2 vjet e 8 muaj, që çoi edhe në vendimin përfundimtar të gjykatës për dënimin e Shkëlqim Mirit me 2 vjet e 6 muaj burgim.

Avokati i ish-gjyqtarit Ardian Visha deklaroi se klienti i tij ishte i pafajshëm dhe akuzoi prokurorinë se ka bërë “shoë mediatik” në rastin e Mirit. Ai pohoi se hetimit të prokurorisë i mungon logjika, duke shpjeguar se trupa e gjykatës së Apelit përbëhet nga tre anëtarë dhe se vendimmarrja mund të merret të paktën nga dy gjyqtarë. Sipas avokatit Visha, një gjyqtar i vetëm nuk mund të marrë para pa e ndarë këtë përgjegjësi me kolegët. Ai shtoi se akuza duhej të kishte hetuar edhe për gjyqtarët e tjerë pjesë në vendimarrjen për të cilën Miri akuzohet se ka kryer favorizim kundrejt shumës së parave. Avokati kërkoi shpalljen e Mirit të pafajshëm.

Ish-gjyqtari së bashku me kushëririn e tij Kujtim Miri dhe Alban Bucin u arrestuan nga prokuroria për akuzën e korrupsionit pasiv dhe aktiv, pasi sipas prokurorisë kundrejt 30 mijë eurove, ndërhynë për të lënë në fuqi dënimin me 8 vite burg për Gentian Dodën, dënim i cili i dha lirinë të akuzuarit për vrasje në Burrel.

Hetimi i prokurorisë nisi pas informacioneve të marra se funksionarë të drejtësisë kanë  favorizuar të pandehurin Gentian Doda i cili ishte dënuar në vitin 2012 me 20 vjet heqje lirie. Doda kishte marrë një ulje dënimi nga Gjykata e Matit dhe më pas trupa gjykuese e Apelit të Tiranës, pjesë e të cilës ishte edhe gjykatësi Miri, la në fuqi dënimin e ri me 8 vjet burg ndaj tij.

Akuza ndaj ish-gjyqtarit Miri u mbështetën në një sërë përgjimesh dhe më pas në sekuestrimin e sasisë prej rreth 250 mijë eurosh që u gjetën ‘cash’ në shtëpinë e tij. Nga pretenca rezulton se Miri nuk ka mundur të vërtetojë ligjshmërinë e parave që iu kapën. Ai pretendoi se një pjesë e parave, sasia në lekë, i përkisnin babait. Por prokuroria tha se pretendimi nuk qëndronte. Po ashtu sipas prokurorisë as pretendimi se sasia prej 174 mijë eurosh i ishte lënë për investim nga të afërm të bashkëshortes nuk qëndronte.

Shkëlqim Miri, 46 vjeç, ka pasur një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, e cila starton në vitin 1999. Ai më parë ka qenë dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Lexo më shumë:

Gjykatësi i Apelit dhe ish-anëtari i KLD Shkelqim Miri arrestohet për korrupsion

Paratë dhe përgjimet rëndojnë akuzën për korrupsion ndaj ish gjyqtarit të Apelit

Zvarritet procesi për korrupsion ndaj ish-gjyqtarit të Apelit Shkëlqim Miri

Prokuroria kërkon dënim minimal për ish-gjyqtarin Shkëlqim Miri