Lajm14 Jun 2018

Ish-kreu i Euralius: Reforma po funksionon, ka nevojë për më shumë mbështetje finaciare

Ekspertët vlerësojnë procesin e vetingut si funksional dhe të drejtë, por kërkojnë më shumë mbështetje dhe përshpejtim të punës, që do të nxirrte nga ngërçi institucionet e drejtësisë. Raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit vlerësoi transparencën, ndërsa u theksua se pengesa kryesore ishte konflikti politik.

Autor: Vladimir Karaj BIRN Tiranë
Printo

Tryeza e organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit për monitorimin e procesit të vetingut. Foto:Vladimir Karaj

Puna e bërë deri tani nga institucionet e ngritura për vetingun është vlerësuar si pozitive nga monitorues dhe ekspertë të procesit, të mbledhur në një tryezë nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ndërkohë që ata kërkuan përshpejtimin e procesit dhe më shumë mbështetje financiare e plotësim me personel ndihmës për trupat gjykues.

“Nëse duam më shumë produkt dhe shpejtësi, pa prishur cilësinë, ne duhet të shtojmë inputet,” tha ish-kreu i EURALIUS në Tiranë, Rainer Deville, tani gjykatës në Gjykatën e Lartë të Apelit në Gjermani. Vlerësim pozitiv po ashtu ndau edhe Marina Boskovic nga Shoqata e Prokurorëve Serbë.

Ndërsa Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca theksoi “pritshmëritë e larta” të krijuara prej procesit, që ajo tha se kërkonin një sistem perfekt dhe vuri në dukje se procesi duhej të “ishte i hapur për kritika” dhe këto nuk duheshin parë si sulm ndaj reformës. Përfaqësues i Fondacionit për Shoqëri të Hapur, Andi Dobrushi theksoi rëndësinë e veçantë të procesit dhe vuri në dukje domosdoshëmërinë e tij.

Qëndrimi i ekspertëve

Ekspertët e ftuar në tryezë e vlerësuan pozitivisht zhvillimin e deritanishëm të reformës në drejtësi. Ish-kreu i EURALIUS në Tiranë, Rainer Deville, i përfshirë në hartimin e reformës  dhe po ashtu në polemikat që e shoqëruan atë, tha se procesi i deritanishëm kishte rrëzuar paragjykimet se në Shqipëri nuk do të kishte një vlerësim të drejtë dhe transparent të punës së gjykatësve.

“Është hera e parë që mund të themi se diçka po funksionon në Shqipëri sipas standardit më të mirë dhe që është një model për rajonin,” tha Deville, duke theksuar se dy vjet më parë kjo ishte në diskutim. Deville pranoi ndërkohë se ngadalësia e procesit kishte sjellë probleme në gjykatat më të larta, por ai tha se kjo dëshmon që korrupsioni ishte i pranishëm në ato rangje.

Duke iu përgjigjiur shqetësimit që Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë po mbeteshin pa gjyqtarë, Deville vuri në dukje se procesi mund të përshpejtohej nëse në të investohej më shumë.

“Sot është koha për të dhënë më shumë mbështetje,” tha ai, duke pasur parasysh plotësimin me staf të organeve të vetingut dhe po ashtu angazhimin e politikës për zgjidhje të problemeve që kërkojnë shumicë të cilësuar vote.

Nga ana e saj, përfaqësuesja e Shoqatës së Prokurorëve Serbë, Boskovic e cila ka monitoruar ecurinë e procesit tha se në disa pika, Shqipëria kishte korrigjuar gabimet e bëra në Serbi. Ajo tha se procesi në Shqipëri ishte më transparent dhe më i drejtë, duke theksuar praninë e publikut në seanca dhe po ashtu faktin që subjektet e rivlerësimit kishin mundësi të njiheshin me dosjet kundër tyre. Ajo shtoi megjithatë se procesi nuk duhej të zgjatej pafundësisht, pasi kjo do të sillte humbje të besimit të publikut te ai.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca ishte më skeptike. Ajo vuri në dukje se pritshmëritë e larta të krijuar për procesin do të kënaqeshin vetëm nga “një sistem perfekt”, i cili tha ajo nuk ishte i mundshëm. Ballanca po ashtu theksoi se kishte paragjykim sa i përket gjyqësorit shqiptar, duke thënë se “jo të gjithë gjykatësit ishin të korruptuar”- siç sipas saj është krijuar perceptimi. Ajo tha se procesi ka nevojë për kritikë të shëndoshë dhe se “nuk duhej të kishte frikë nga kritika”.

Gjetjet e raportit

Raporti i Komiteti Shqiptar i Helsinikit, KSHH, i cili vjen pas monitorimit të aktivitetit të deritanishëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i prezantuar të enjten, rekomandoi përshpejtim të seancave, rritje të transparencës të organeve ndihmëse, konfirmim të shpejtë të rasteve të qarta, rishikim të strukturave të organeve të vetingut- në mënyrë që të përballohet ngarkesa dhe rishikim të rregullores së KPK-së për mediat në raport me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

KShH këmbënguli në përshpejtimin e proceseve, ndërsa vuri në dukje se qershori kishte qenë më i ngjeshur dhe më produktiv. Aty po ashtu u theksua se problematika kryesore që kishte sjellë vonesën dhe për rrjedhojë edhe ngërçin në sistemin e drejtësisë ishte përplasja politike dhe mungesa e dakordësisë prej palëve që prej fillimit.

Raporti po ashtu vuri në dukje faktin se procesi ishte në një fazë ende fillestare dhe se praktika pritej të konsolidohej në vijim, ndërsa u theksua përshembull diskutimi mbi sasinë e pasurisë së pajustifikuar që duhej të kishte një subjekt për të sjellë shkarkimin e tij nga detyra.

Po ashtu, raporti theksoi si problem informimin. Ndërsa u tha se interesi i publikut kishte qenë i lartë me mbi 700 denoncime, u zbulua po ashtu se mungonin bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe se në pjesën më të madhe, denoncuesit ishin të keqkuptuar duke menduar se vetingu do të rishqyrtonte dosjet e tyre me themel.

Rivlerësimi i gjykatësve dhe prokurorëve filloi konkretisht me seanca dëgjimore në fund të muajit mars, dhe monitorimi ka mbikëqyrur shqyrimin për 24 subjekte, prej të cilëve 5 janë shkarkuar, 8 rikonfirmuar dhe 11 kanë dhënë dorëheqjen.