Policia financiare e Maqedonisë zbuloi se ish-kreu i prokurimeve publike ndihmoi në manipulimin e një tenderi për pastrimin e ndërtesave qeveritare, duke u siguruar që ta fitonte një kompani e paracaktuar.
Policia Maqedonase lajmëroi të premten se kishte ngritur akuza për shpërdorim detyre kundër ish-shefit të prokurimeve publike, Vase Donevski.
Biznesmeni austriak Wolfgang Gamper dyshohet se është bashkëpunëtor me të, pasi zotëron një kompani të quajtur Securicom, ngarkuar me pastrimin dhe sigurimin e ndërtesave qeveritare dhe ministrive të tjera.
Kreu i policisë financiare, Arafat Ademi, tha se Donevski dhe Gamper në vitin 2015 manipuluan një tender qeveritar me vlerë rreth 10.7 milionë euro duke u siguruar që ta fitonte kompania e Gamper.
Nga hetimet e deritanishme është zbuluar se është anashkaluar procedura elektronike e tenderimit dhe se për të eliminuar konkurrencën, Donevski në vitin 2015 ftoi tetë kompani të ndryshme që ishin ose kanë qenë zotëruar nga Gamper ose kishin lidhje biznesi me të.
Në fund, vetëm një kompani, Securicom, aplikoi për tenderin dhe fitoi, tha Ademi.
Ai shtoi se gjatë arrestimit të Donevskit të enjten në mbrëmje, policia financiare sekuestroi pajisje elektrike dhe një automjet që mund të shërbejnë si prova.
Ai tha se kishte shenja që mjeti i sekuestruar nga Donevski të ishte blerë fillimisht nga Securicom.
“Çështja u dorëzua në Prokurorinë e Krimit të Organizuar”, tha Ademi, duke shtuar se “kjo është vetëm faza e parë e hetimit”.
Një investigim i BIRN në Maqedoni, publikuar në gusht 2016 titulluar “Njollat në tenderin e qeverisë për pastrimin”, e bëri çështjen publike.
Ashtu sikurse zbuloi dhe BIRN në atë kohë, konfirmuar tashmë nga policia financiare Donevski i lejoi Securicomit të krijonte një konkurrencë të rreme nëpërmjet kompanive të lidhura me të me qëllim që të krijonte idenë se tenderi kërkohej nga disa kompani.
Si rezultat, nuk pati konkurrencë të vërtetë dhe kompania e fitoi tenderin duke ofruar një çmim që ishte vetëm 16 denarë [rreth 25 cent] më i ulët se vlerësimi fillestar.
Suzana Petrovska, nga policia financiare, tha të premten se të njëjtat ndërtesa qeveritare po pastrohen tani për një çmim 45 për qind më të ulët, vetëm se konkurrenca tenderi i ri lejoi konkurrencën reale.