Lajm11 Nov 2019

Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku shpallet në kërkim nga Prokuroria

Bllokimi i bashkisë së Vorës përmes shkarkimit të dy nënkryetarëve rrezikon të çojë në burg ish-kryebashkiakun socialist, Agim Kajmaku, i cili humbi mandatin nga ligji i dekriminalizimit.  

Autor: BIRN BIRN Tiranë
Printo

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku gjatë fushatës elektorale. Foto: Facebook.

Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku u shpall në kërkim të hënën, pasi policia dështoi të ekzekutojë një urdhër arresti të miratuar më parë nga Gjykata e Tiranës në adresë të tij.

Sipas një njoftimi për shtyp të Prokurorisë, Kajmaku akuzohet për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës”, “falsifikimit të formularëve” si dhe “ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

I zgjedhuri socialist në bashkinë e Vorës e humbi mandatin më 1 nëntor, për shkak se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit ndalimin dhe hetimin e tij në Greqi nën emrin Jorgo Toto për veprën penale të përdorimit të parave false.

Megjithatë, pozita penale e Kajmakut duket se është rënduar nga veprimet e kryera prej tij pas vendimit të shkarkimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Më 1 nëntor, Kajmaku ka shkuar për gati një orë në zyrën e tij dhe ka firmosur shkarkimin e dy nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, sipas një kronike të transmetuar në TV Klan. Në vend të tyre, Kajmaku ka emëruar shefin e tij të kabinetit, Gentian Picari, duke tentuar kështu që të ruajë kontrollin e tij mbi Bashkinë e Vorës edhe pas shkarkimit nga detyra.

Ligji për vetëqeverisjen vendore parashikon në pikën 5 të nenit 61 që në rastet kur mandati i kryetarit përfundon para kohe, funksionet e tij i kryen nënkryetari i Bashkisë. Dy nënkryetarët e “shkarkuar” të bashkisë së Vorës, Omeri dhe Brahimaj mësohet se kanë bërë kallëzim kundër Kajmakut në Prokurori, çka mesa duket ka sjellë edhe procedimin e Kajmakut për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “ushtrimit të funksioneve pas dhënies fund të detyrës”.

Agim Kajmaku është njëri prej tre të zgjedhurve lokalë nga Partia Socialiste, që u akuzua nga Partia Demokratike në opozitë për të shkuarën e fshehur kriminale, që bie ndesh me ligjin e dekriminalizimit. Kajmaku mohoi fillimisht akuzat se kishte qenë i ndaluar në Greqi, por  akuzat e Partisë Demokratike u vërtetuan nga Prokuroria e Përgjithshme përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave.

Më herët, edhe kryebashkiaku i zgjedhur i Shkodrës, Valdrin Pjetri dha dorëheqjen për shkak të një dënimi në Itali për trafikim të lëndëve narkotike.

Partia Demokratike ka denoncuar në shtator edhe një kryebashkiak të tretë socialist, Mark Babani, i cili aludohet se është arrestuar në Siçili për vjedhje makinash. Babani ka mohuar akuzat duke paralajmëruar edhe një denoncim penal për shpifje.