Një gjykatë në Shkup vendosi të mërkurën të dënojë me dy vite burg ish-kryeministrin Nikola Gruevski i cili u përfshi në një shkelje tenderi për blerjen e Mercedezit të tij luksoz. Ai po hetohet gjithashtu për katër akuza të tjera në çështje të ndara.
Nikola Gruevski, ish-kryeministri maqedonas i partisë VRMO DPMNE u dënua me dy vjet burg të mërkurën pasi mori “një shpërblim” në formën e një Mercedezi luksoz, pasi ndikoi në mënyrë të paligjshme dy të akuzuar të tjerë për të blerë automjetin ilegalisht.
Gjykata Penale e Shkupit dënoi me gjashtë vite e gjysmë burg një tjetër të akuzuar, ish ndihmësministrin e brendshëm Gjoko Popovski.
Ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska po gjykohet në një çështje të veçuar për shkak të shtatzënisë.
Gjatë dhënies së vendimit, gjyqtarja Dobrila Kacarska tha se Gruevski kishte kërkuar blerjen e Mercedezit prej 580,000 euro nga ministrja e brendshme në atë kohë Jankulloska.
Ajo shtoi se Jankulloska më pas e nxiti Popovskin të kompromentojë tenderimin publik duke favorizuar kompaninë Mak Auto Star, tregtarin e Mercedez për Maqedoninë.
“Mbajtja e një detyre publike, veçanërisht Kryeministrore është një nder. Ai [Gruevski] e mori legjitimitetin nga qytetarët dhe duhej të kujdesej për interesat e tyre. Por, ai i poshtëroi dhe i nënvlerësoi ata [qytetarët],” tha gjyqtarja Kacarska.
Gruevski nuk u paraqit në gjykatë për vendimin.
Në seancat e mëparshme gjyqësore, ai u tha gazetarëve para gjykatës se çështja ishte kurth ndaj tij nga qeveria aktuale, e udhëhequr nga Social Demokratët, SDSM.
Një grup i vogël mbështetësish të Gruevskit protestuan kundër vendimit përpara gjykatës.
Ky ishte i pari vendim kundër Gruevskit, ndërsa ndaj tij janë ngritur pesë çështje gjyqësore nga Prokuroria Speciale. Gruevski po gjykohet gjithashtu në çështjet e quajtura “Dhuna”, “Trajektore”, “Titanik” dhe “TNT”.
Të gjitha këto çështje janë ngritur pas zbulimit të përgjimeve të paligjshme në vitin 2015 nga opozita e atëhershme, ku mendohet se qeveria e Gruevskit përgjoi rreth 20.000 qytetarë, përfshirë kabinetin e vet.