Policia e Shtetit doli duarbosh nga shtëpia e ish-kryeprokurorit në Tiranë pasi SPAK lëshoi urdhrin për transferimin e tij në burg pas dënimit në Gjykatën e Apelit, në një operacion të kryer nën shoqërinë e pazakontë të kamerave dhe gazetarëve. Avokati i Llallës thotë se nuk ka komunikuar me klientin “prej kohësh”.
Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, lëshoi urdhrin për ekzekutimin e vendimit për dënim me burg të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla ndërsa Policia e Shtetit kreu inspektimin e banesës së ish-kryeprokurorit me synim arrestimin e tij, nën praninë e pazakontë të disa kameramanëve dhe gazetarëve. Pas një inspektimi të shkurtër, policët dolën duarbosh nga banesa pasi nuk arritën të gjejnë ish-kryeprokurorin.
“Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij,” deklaroi SPAK pasditen e së mërkurës, disa orë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila përcaktoi se Llalla duhet të vuajë rreth 1.4 vjet burg për akuzën e fshehjes së pasurisë dhe deklarimit të rremë të pasurisë.
Sokol Hazizaj, avokati i të dënuarit, deklaroi në mënyrë të përsëritur se Llalla është i sëmurë dhe gjendet në spital, duke refuzuar të shpjegojë se ku gjendet klienti i tij.
“Kam kohë që nuk kam komunikuar me Zotin Llalla,” deklaroi ai para gazetarëve.
Llalla është zyrtari i vetëm i lartë në shumë dekada që përfundon i dënuar me vendim të formës së prerë me burg për fshehje pasurie.