Ish-kryeprokurorja e Agjencisë së Anti-Korrupsionit e Rumanisë, Laura Codruta Kovesi, është përzgjedhur për postin e prokurores së BE-së, por qeveria e Bukureshtit, e cila e shkarkoi atë nga detyra, u shpreh se ka ndërmend ta parandalojë emërimin e saj.
Zyrtarët e qeverisë rumune do të bëjnë gjithçka që është në pushtetin e tyre për të mos lejuar emërimin e ish-kryeprokurores së anti-korrupsionit Laura Codruta Kovesi si prokurore e Bashkimit Evropian, tha Ministri i Drejtësisë Tudorel Toader të hënën në mbrëmje pasi u njoftua zyrtarisht nga Brukseli se ajo ishte përzgjedhur për atë post.
“Unë mendoj se anëtarët e komisionit të përzgjedhjes nuk janë të vetëdijshëm për abuzimet që ka bërë Laura Codruta Kovesi, të cilat prekën qytetarët dhe sundimin e ligjit,” tha Toader për gazetarët.
Ai tha gjithashtu se do të informojë të gjithë ministrat e drejtësisë në BE për arsyet pse Kovesi u shkarkua në korrik 2018 nga posti i saj si kryeprokurore e Drejtorisë së Anti-Korrupsionit.
Kovesi u shkarkua pasi Gjykata Kushtetuese e Rumanisë vendosi se presidenti i vendit ishte i detyruar të miratonte kërkesën e Ministrit të Drejtësisë për ta shkarkuar atë, pavarësisht se presidenti Klaus Iohannis refuzoi vazhdimisht ta bënte këtë gjë.
Ministri i Drejtësisë Toader kishte kërkuar shkarkimin e Kovesit pas një raporti që e akuzonte atë për abuzim të pushtetit të saj dhe për presion ndaj prokurorëve për të ndërtuar raste kundër politikanëve të profilit të lartë. Kovesi i mohoi akuzat.
Në fund të dhjetorit, Kovesi ngriti një padi kundër qeverisë së Rumanisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për shkarkimin e saj pa mundësinë për të përgatitur një mbrojtje.
Kovesi u përzgjodh si një nga tre kandidatët kryesorë për postin e prokurorit të BE-së nga një komision përzgjedhës, sipas një dokumenti të dërguar në Parlamentin Europian dhe i publikuar nga deputeti rumun Iulian Bulai në Facebook.
Procedura kërkon që të tre kandidatët në listë, Kovesi e Rumanisë, Jean Francois Bohnert i Francës dhe Andres Ritter i Gjermanisë, të verifikohen nga disa komisione të Parlamentit Europian përpara një votimi. Kandidatët gjithashtu do të votohen në Këshillin e BE-së.
Disa eurodeputete rumunë kanë premtuar tashmë mbështetjen e tyre për Kovesin.
“Unë do të votoj për Laura Codruta Kovesin si për postin e prokurores së BE-së,” njoftoi eurodeputeti Cristian Preda në Facebook të hënën në mbrëmje.
“Nëse social demokratët në pushtet dhe aleati i tyre i vogël ALDE e kundërshtojnë këtë emërim, ata thjesht po konfirmojnë natyrën kriminale të regjimit të tyre,” shtoi ai.
Kovesi u emërua kryeprokurore e Drejtorisë së Anti-Korrupsionit të Rumanisë në vitin 2013. Më parë, nga viti 2006 deri në vitin 2012, ajo shërbeu si Prokurorja e Përgjithshme më e re dhe e vetmja femër e vendit.